Lajme

Musliu: Qeveria ende nuk e ka bërë atë që duhet për UÇK-në – unë nuk e kam përdorur asnjëherë për vota

Autori: Gazeta inFokus 10:01 | 25 September 2026

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka rikthyer në vëmendje qëndrimet e saj të vitit 2022 për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë edhe propozimin që objekti i Qeverisë të mbulohej me flamurin e UÇK-së.

Përmes publikimit të disa artikujve të asaj kohe, Musliu ka dashur të tregojë se qëndrimi i saj ndaj UÇK-së nuk është i lidhur me rrethanat aktuale politike apo me interesa elektorale, por se për këtë çështje ka reaguar vazhdimisht ndër vite.

“UÇK-në nuk e kam parë asnjëherë as për vota, as për modë. Sepse ka gjëra që nuk përdoren. Ka emra që nuk instrumentalizohen. Ka sakrifica që nuk maten me interesin e ditës. UÇK-ja është njëra prej tyre”, ka shkruar Musliu.

-Advertisement-

Deputetja e PDK-së ka thënë se UÇK-ja nuk duhet të shndërrohet në një simbol që përdoret vetëm në momente të caktuara, duke theksuar se ajo përfaqëson historinë dhe sakrificën mbi të cilën, sipas saj, është ndërtuar liria e Kosovës.

“Ajo nuk është një simbol që shfaqet kur na duhet dhe fshihet kur na pengon. Nuk është dekor për ditë festash dhe as fjalë që thuhet për të fituar duartrokitje. Është historia e një populli që e pagoi lirinë me jetë”, ka deklaruar ajo.

Duke iu referuar reagimeve të saj të mëhershme, Musliu ka kujtuar se kishte kritikuar Qeverinë edhe në vitin 2022, kur objekti i saj ishte ndriçuar me ngjyra dhe simbole të ndryshme, ndërsa kishte munguar simbolika e UÇK-së. Në atë kohë, ajo kishte hedhur idenë që ndërtesa e Qeverisë të mbulohej me flamurin e UÇK-së.

“Kam reaguar edhe atëherë kur ndërtesa e Qeverisë ndriçohej me ngjyra e simbole të ndryshme, ndërsa simbolika e UÇK-së mungonte. Dhe po e them edhe sot: Si mund të nderojmë sakrificat e të tjerëve, nëse nuk dimë ta nderojmë sakrificën mbi të cilën është ngritur liria jonë?”, ka shkruar Musliu.

Në reagimin e saj, deputetja e PDK-së ka kritikuar edhe qëndrimin aktual të institucioneve ndaj UÇK-së, duke thënë se, sipas saj, heshtja institucionale është bërë edhe më e rëndë në një kohë kur ajo konsideron se po cenohet një nga vlerat më të rëndësishme të historisë së Kosovës.

“Qeveria ende nuk e ka bërë atë që duhet ta bëjë një shtet me historinë e vet: ta nderojë UÇK-në me dinjitet institucional, jo sipas interesit të momentit”, ka thënë ajo.

Musliu e ka përmbyllur reagimin duke përsëritur se qëndrimet e saj për UÇK-në nuk kanë qenë të motivuara nga përfitimi politik, ndërsa pikërisht si dëshmi për këtë ka publikuar edhe artikujt e vitit 2022.

“Unë nuk e kam përdorur UÇK-në as për vota, as për modë. E kam mbrojtur kur ka qenë më lehtë të heshtet. Dhe do ta mbroj edhe atëherë kur mbrojtja e saj kërkon më shumë guxim. Sepse disa vlera nuk mbrohen për të fituar diçka. Mbrohen sepse pa to, nuk dimë më kush jemi”, ka përfunduar Musliu./Gazeta Infokus

Udhëto Oslo – Prishtinë çdo javë me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy