Lajme

Kushtetuesja: Kuvendi është konstituuar, Presidenti duhet të zgjidhet deri më 6 tetor

Autori: Gazeta inFokus 15:10 | 23 September 2026

Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se Kuvendi i Kosovës është konstituuar pas përfundimit të afatit kushtetues prej 30 ditësh, ndërsa ka përcaktuar se afati për zgjedhjen e Presidentit të vendit përfundon më 6 tetor 2026.

Vendimi është marrë më 23 shtator 2026, lidhur me kërkesat e bashkuara KO256/26 dhe KO258/26, të parashtruara nga deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës.

Sipas vendimit, Gjykata njëzëri ka konstatuar se Kuvendi është konstituuar pas kalimit të afatit 30-ditor të përcaktuar me nenin 66 të Kushtetutës.

-Advertisement-

Kushtetuesja ka sqaruar se kalimi i këtij afati sjell fillimin e rrjedhjes së afateve kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit, në rastet kur posti është vakant, si dhe për zgjedhjen e Qeverisë.

Në këtë rast, afati 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit ka nisur më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026.

Gjykata ka kërkuar gjithashtu që deputetët, “sa më parë”, ta zgjedhin nënkryetarin e Kuvendit nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar, në përputhje me nenin 67 të Kushtetutës.

Në të njëjtin aktgjykim, Kushtetuesja ka trajtuar edhe vendimin e Kuvendit të 13 shtatorit 2026 për zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës.

Gjykata ka konstatuar se ky vendim nuk është në kundërshtim me nenin 95 të Kushtetutës, i cili rregullon procedurën për zgjedhjen e Qeverisë.

Kushtetuesja ka refuzuar ndërkohë kërkesën për vendosjen e masës së përkohshme.

Aktgjykimi do t’u kumtohet palëve dhe do të publikohet në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, ndërsa hyn në fuqi në ditën e publikimit nga Gjykata Kushtetuese.

Vendimi i Kushtetueses përcakton kështu 6 tetorin si përfundimin e afatit kushtetues 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës.

Gjykata Kushtetuese, njëzëri, vendosi:

  1.   TË DEKLAROJË kërkesën të pranueshme;
  2. TË KONSTATOJË që Kuvendi i Republikës së Kosovës është konstituuar pas kalimit të afatit tridhjetë (30) ditor, të përcaktuar në paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;
  3. TË KONSTATOJË që kalimi i afatit tridhjetë (30) ditor për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të përcaktuar në paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ka për pasojë fillimin e rrjedhjes së afateve kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, kur posti i Presidentit është vakant dhe për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës sipas neneve 86 [Zgjedhja e Presidentit], 95 [Zgjedhja e Qeverisë] dhe nënparagrafëve 1 dhe 3, paragrafit 1 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
  4. TË KONSTATOJË që deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës duhet që sa më parë të zgjedhin Nënkryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar, në pajtim me paragrafin 3 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
  5.  TË KONSTATOJË që Vendimi [Nr. 11-V-007] i 13 shtatorit 2026 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës nuk është në kundërshtim me nenin 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;.
  6. TË KONSTATOJË që afati gjashtëdhjetë (60) ditor për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, sipas nënparagrafit 3, paragrafit 1 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës ka filluar më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026;
  7.  TË REFUZOJË kërkesën për masë të përkohshme;
    T’UA KUMTOJË këtë Aktgjykim palëve;
  8. TË PUBLIKOJË këtë Aktgjykim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 (Vendimet) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës;
  9. TË KONSTATOJË që ky Aktgjykim hyn në fuqi në ditën e publikimit të tij nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës.

Udhëto Oslo – Prishtinë çdo javë me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy