Lajme

Kurti kërkon që “Bondsteel” të bëhet bazë e përhershme e ushtrisë amerikane në Kosovë

Autori: Gazeta inFokus 12:17 | 23 September 2026

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që Kampi Bondsteel të shndërrohet në një bazë të përhershme ushtarake amerikane në Kosovë, duke e cilësuar këtë si një hap në funksion të paqes, stabilitetit dhe sigurisë afatgjatë në rajon.

Ai e ka bërë këtë kërkesë gjatë një takimi në New York me kongresistin amerikan George Latimer, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet në fushën e sigurisë, ekonomisë dhe forcimin e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Ritheksova qëndrimin tonë që Kampi ‘Bondsteel’ të shndërrohet në bazë të përhershme ushtarake amerikane, në funksion të paqes, stabilitetit dhe sigurisë afatgjate në rajon”, ka shkruar Kurti në Facebook.

-Advertisement-

Sipas tij, gjatë takimit është diskutuar edhe për anëtarësimin e Kosovës në NATO, zhvillimin ekonomik, përparimin në siguri dhe forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.

I pari i Qeverisë së Kosovës, ka thënë se me kongresistin Latimer ka diskutuar edhe për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe zhvillimit, duke e cilësuar Shtetet e Bashkuara si një aleat të rëndësishëm të Kosovës.

Një tjetër temë e diskutimit ka qenë çështja e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, përfshirë varrezat masive dhe nevojën për deklasifikimin e dokumentacionit dhe hapjen e arkivave nga Serbia.

“Biseduam për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit, varrezat masive, rëndësinë e deklasifikimit të dokumentacionit dhe hapjes së arkivave nga Serbia si dhe nevojën për drejtësi për krimet e kryera”, ka deklaruar Kurti.

Në takim është ngritur edhe çështja e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, ndërsa Kurti ka përmendur edhe sulmin e armatosur në Banjskë.

Në prag të trevjetorit të sulmit të 24 shtatorit 2023, kryeministri ka thënë se me kongresistin amerikan ka diskutuar për Milan Radoiçiqin dhe përgjegjësinë penale për personat që, sipas autoriteteve të Kosovës, lidhen me sulmin.

“Rënditëm sërish çështjen e Milan Radoiçiqit dhe domosdoshmërinë që ai dhe përgjegjësit tjerë të përballen me drejtësinë në Republikën e Kosovës”, ka shkruar Kurti.

Në përfundim të postimit të tij, kryeministri ka vlerësuar marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, duke shprehur mirënjohje për, siç e ka quajtur, “mbështetjen dypartiake që shteti ynë gëzon në Kongresin amerikan”.

Udhëto Oslo – Prishtinë çdo javë me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy