Lajme

IKD: MPFVLÇ nuk po zbaton aktgjykimet për pensionet, kërkohet hetim nga Prokuroria

Autori: Gazeta inFokus 12:08 | 29 July 2026

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka shprehur shqetësim për moszbatimin e aktgjykimeve të formës së prerë nga Departamentet e Pensioneve në kuadër të Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare (MPFVLÇ), të cilat u njohin qytetarëve të drejtën për pension të dyfishtë.

Sipas IKD-së, rastet e trajtuara nga Qendra për Ndihmë Juridike Falas dëshmojnë se nuk bëhet fjalë për raste të izoluara.

“Edhe pas përfundimit të procedurave gjyqësore, MPFVLÇ në raste të caktuara nuk i ekzekuton aktgjykimet, nuk i alokon mjetet financiare tek qytetarët përfitues të kësaj të drejte ose nxjerr vendime të reja që bien ndesh me atë që ka vendosur gjykata”, thuhet në reagim.

-Advertisement-

IKD thekson se në disa raste, edhe kur e drejta është konfirmuar nga të gjitha instancat gjyqësore, përfshirë Gjykatën Supreme, aktgjykimet vazhdojnë të mos zbatohen, ndërsa në raste të tjera Ministria, pas anulimit të vendimit nga gjykata, nxjerr sërish vendime refuzuese me të njëjtin arsyetim.

“Kthimi i çështjes në rivendosje nuk i jep Ministrisë të drejtë ta përsërisë vendimin e anuluar, pa i marrë në konsideratë vërejtjet dhe udhëzimet e gjykatës. Pra, ajo është e obliguar ta respektojë qëndrimin juridik të gjykatës dhe ta shqyrtojë rastin sipas udhëzimeve të saj”, thuhet më tej.

Sipas IKD-së, kjo praktikë cenon rëndë sigurinë juridike dhe i detyron qytetarët të kalojnë vazhdimisht në procedura administrative e gjyqësore për të realizuar një të drejtë që tashmë u është njohur me aktgjykim të formës së prerë.

“Qytetari nuk duhet të detyrohet të kalojë vazhdimisht nëpër procedura administrative apo gjyqësore vetëm për ta realizuar një të drejtë që tashmë i është njohur nga gjykata. Detyrimi i Ministrisë është ta zbatojë aktgjykimin, jo ta pengojë zbatimin e tij përmes një vendimi tjetër administrativ”, thekson IKD.

Instituti rikujton se moszbatimi i vendimeve gjyqësore mund të ketë pasoja penale për zyrtarët përgjegjës.

“Neni 394 i Kodit Penal e përcakton si vepër penale refuzimin ose mosekzekutimin brenda afatit të një vendimi apo aktgjykimi të plotfuqishëm gjyqësor. Varësisht nga pasojat, dënimi për këtë vepër penale mund të arrijë deri në pesë vjet burgim”, thuhet në komunikatë.

Në fund, IKD i ka bërë thirrje MPFVLÇ-së që të zbatojë menjëherë të gjitha aktgjykimet e formës së prerë dhe të kryejë pagesat që burojnë prej tyre, ndërsa ka kërkuar edhe nga Prokurori i Shtetit të hetojë rastin.

“IKD kërkon nga MPFVLÇ që t’i evidentojë dhe t’i zbatojë menjëherë të gjitha aktgjykimet e formës së prerë, t’i kryejë pagesat që burojnë prej tyre dhe ta ndalë nxjerrjen e vendimeve në kundërshtim me qëndrimet e gjykatës”, thuhet në reagim.

Po ashtu, instituti ka kërkuar nga Prokurori i Shtetit “që ta hetojë këtë situatë në kuptim të dyshimeve të ngritura për veprën penale të mosekzekutimit të vendimeve gjyqësore”./Gazeta Infokus

Reagim-i-IKD-29.07.2026

Teknologjia në kuzhinë nuk është vetëm çështje komoditeti, por edhe kohe: Njihuni me pllakën inovative me induksion Miele KM 8000!
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy