Lajme

Gruri hyri pa ‘kontrollë’ nga Serbia në Kosovë se “nuk pati “qese të mostrave”, reagon Smajli: Kjo është alarmante duhet të nisin menjëherë hetimet

Autori: Gazeta inFokus 11:17 | 29 July 2026

Gazetarja Hateme Smajli ka reaguar pasi, sipas një dokumenti të publikuar nga Janina Ymeri, të dhëna zyrtare tregojnë se një pjesë e grurit të importuar në Kosovë nuk i është nënshtruar analizave laboratorike, ndërsa arsyeja e dhënë nga inspektorët për mosmarrjen e mostrave ishte mungesa e qeseve për mostra.

Sipas dokumentit, gruri është importuar vetëm përmes dy pikave kufitare – në Merdarë nga Serbia dhe në Mitrovicë nga Kroacia. Në raport thuhet se “mosmarrjen e mostrave të analizës inspektorët e justifikojnë me mungesën e thasëve për mostra.”

Po ashtu, të dhënat tregojnë se nga Serbia janë importuar 1,167.18 tonë grurë, për të cilat janë kryer vetëm dy analiza, ndërsa nga Kroacia janë importuar 506.67 tonë grurë, pa u kryer asnjë analizë.

-Advertisement-

Përmes një reagimi publik, gazetarja Hateme Smajli e ka cilësuar këtë situatë skandaloze, duke ngritur shqetësime për sigurinë ushqimore.

“Me të hy gruri në Kosovë, mos harroni produkti i dytë ushqimor më i importuar nga Serbia, pothuajse pa kontrolle është skandaloze. Sipas kësaj tabele që e ka publikuar Janina Ymeri, prej Serbisë kanë hyrë 1,167 tonë grurë, prej të cilave janë bërë vetëm dy analiza, ndërsa në 506 tonë grurë që kanë ardhur nga Kroacia nuk është bërë as edhe një analizë”, ka shkruar Smajli.

Ajo ka kritikuar edhe arsyetimin e institucioneve për mungesën e analizave.

“Për shtetin tonë mjafton arsyetimi ‘s’kemi pasur thasë për mostra’, që me i rreziku qytetarët dhe mos me qenë të sigurt se çka konsumojnë, e pikërisht bukën, diçka që është e përditshme në sofrat tona”, ka theksuar ajo.

Smajli ka rikujtuar edhe të dhënat e Doganës për importin e grurit nga Serbia gjatë viteve 2025-2026.

“Sipas të dhënave nga Dogana, nga Serbia për një vit e gjysmë janë importuar mbi 80 mijë tonë grurë, në vlerë prej mbi 18 milionë euro. E tash as për këta s’jemi të sigurt se a kanë pasur thasë për mostra”, ka shkruar ajo.

Në fund, gazetarja ka bërë thirrje që rasti të hetohet pa vonesë.

“Kjo është alarmante dhe duhet të nisin menjëherë hetimet. Qytetarët nuk janë loloja juaj që t’ua rrezikoni shëndetin me papërgjegjësinë tuaj”, ka përfunduar Hateme Smajli.

Teknologjia në kuzhinë nuk është vetëm çështje komoditeti, por edhe kohe: Njihuni me pllakën inovative me induksion Miele KM 8000!
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy