Konjufca i shkruan letër Kallasit: Jemi të shqetësuar për reagimin e kufizuar të BE-së, pas deklaratave të Paunoviqit
Autori: Gazeta inFokus
23:13 | 17 July 2026
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, i ka shkruar letër përfaqësueses së lartë të BE-së për Politika të Jashtme, Kaja Kallas, pas deklaratave skandaloze të ministres serbe, Snezhana Paunoviq, që tha se do të kishte bërë spastrim etnik në Kosovë.
Sipas Konjufcës, mbështetja e vlerave evropiane kërkon një përgjigje të qartë dhe parimore sa herë që shfaqet retorikë që glorifikon krimet e luftës ose spastrimin etnik.
“Një retorikë e tillë nga një ministre në detyrë nuk mund të trajtohet si një gafë e zakonshme. E gjithë intervista ishte e mbushur me përmbajtje thellësisht revizioniste dhe armiqësore, duke reflektuar një model më të gjerë deklaratash që vazhdojnë të minojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, si dhe të gërryejnë besimin në këtë proces.
Po ashtu, jemi të shqetësuar që reagimi fillestar i Bashkimit Evropian ishte i kufizuar dhe erdhi më shumë se 48 orë pas deklaratës, vetëm pasi çështja u bë temë kryesore në rajon dhe më gjerë. Një reagim publik më i qartë dhe më i fuqishëm është i domosdoshëm për të mbështetur angazhimin e Bashkimit Evropian për parandalimin e krimeve mizore, refuzimin e gjuhës së urrejtjes dhe luftimin e revizionizmit historik” shkroi Konjufca në letër.
Ai gjithashtu parashtroi një listë kërkesash drejtuar autoriteteve.
Mes të tjerash, Konjufca kërkoi që BE-ja të lëshojë një dënim të qartë, të fuqishëm dhe publik të deklaratës së ministres, ta ngrejë këtë çështje në mënyrën e duhur në kuadër të dialogut politik ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Serbisë, si dhe në procesin e anëtarësimit, e kështu me radhë.
Tutje, Konjufca kërkoi nga Kallas një bisedë sa më shpejt të jetë e mundur, qoftë përmes telefonit, qoftë përmes një takimi.
Kjo është letra e plotë:
Po ju drejtohem për të shprehur dënimin e fuqishëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me përkrahjen e hapur dhe të papranueshme publike të spastrimit etnik, të bërë nga znj. Snezana Paunoviq, ministre e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale e Republikës së Serbisë.
Më 11 korrik 2026, ministrja Paunoviq deklaroi në një intervistë televizive se, po të kishte qenë në pozitën e Slobodan Millosheviqit në vitin 1998, ajo “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën nga shqiptarët”. Kjo deklaratë përbën një lavdërim të qëllimshëm të krimeve të luftës, nxitje të urrejtjes dhe një kërcënim të drejtpërdrejtë për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Ajo është thelbësisht e papajtueshme me vlerat evropiane dhe me obligimet politike e ligjore që Serbia ka marrë përsipër në kuadër të procesit të saj të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Ndonëse kemi marrë parasysh deklaratat e mëvonshme nga Beogradi, me të cilat Qeveria e Serbisë u distancua nga këto komente, ne i konsiderojmë ato më shumë si deklarata formale sesa si shprehje të sinqerta dhe domethënëse pendese. Një retorikë e tillë nga një ministre në detyrë nuk mund të trajtohet si një gafë e zakonshme. E gjithë intervista ishte e mbushur me përmbajtje thellësisht revizioniste dhe armiqësore, duke reflektuar një model më të gjerë deklaratash që vazhdojnë të minojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, si dhe të gërryejnë besimin në këtë proces.
Po ashtu, jemi të shqetësuar që reagimi fillestar i Bashkimit Evropian ishte i kufizuar dhe erdhi më shumë se 48 orë pas deklaratës, vetëm pasi çështja u bë temë kryesore në rajon dhe më gjerë. Një reagim publik më i qartë dhe më i fuqishëm është i domosdoshëm për të mbështetur angazhimin e Bashkimit Evropian për parandalimin e krimeve mizore, refuzimin e gjuhës së urrejtjes dhe luftimin e revizionizmit historik.
Republika e Kosovës mbetet fuqimisht e përkushtuar ndaj demokracisë shumetnike, sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së të drejtave të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Ne e refuzojmë spastrimin etnik dhe ndëshkimin kolektiv në të gjitha format e tyre.
Në dritën e sa më sipër, kërkoj me respekt që Bashkimi Evropian:
1.Të lëshojë një dënim të qartë, të fuqishëm dhe publik të deklaratës së ministres Paunoviq dhe të retorikës revizioniste që ajo përfaqëson.
2.T’ua rikujtojë zyrtarisht autoriteteve të Serbisë se deklarata të tilla janë të papranueshme dhe të papajtueshme me vlerat evropiane dhe me kërkesat e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
3.Ta ngrejë këtë çështje në mënyrën e duhur në kuadër të dialogut politik ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Serbisë, si dhe në procesin e anëtarësimit, në mënyrë që Beogradi ta kuptojë seriozitetin me të cilin Bashkimi Evropian i sheh incidente të tilla.
Do të isha mirënjohës për mundësinë që ta diskutojmë këtë çështje me ju sa më shpejt që të jetë e mundur, qoftë në një takim apo përmes telefonit. Kosova mbetet një partnere e besueshme e Bashkimit Evropian dhe beson se Bashkimi do të reagojë në mënyrë konsekuente, në përputhje me vlerat dhe parimet që synon të mbrojë.
Ju lutem, Shkëlqesi, pranoni shprehjen e konsideratës sime më të lartë.

T� tjera
-
Parashikimi i motit për të shtunën
Të shtunën parashikohet që gjatë orëve të para të 24-orëshit të arrijë një si...
-
Konsulli i Kosovës në Toronto, Kadri Dakaj, takohet me kryetaren e Bashkisë së Torontos, diskutojnë për bashkëpunim dhe komunitetin shqiptaro-kosovar
Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Toronto, Kadri Dakaj, ësht...
-
Daut Haradinaj për Jakup Krasniqin: S’di çka të them, e kisha nda një pjesë të jetës me të zëvendësu ty…
Daut Haradinaj nga Aleanca, ka reaguar lidhur me vizitën e Jakup Krasniqit në...
-
Uji tejkalon standardet e lejuara, ndalohet përdorimi për pije në dy zona të Gjakovës
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Gjakova” ka njoftuar se uji në zonat e furn...
-
Jakup Krasniqi nesër përfundon vizitën në Kosovë, raportohet se në orën 15:00 niset për në Hagë
Ish-kryekuvendari, Jakup Krasniqi, pritet të largohet nga Kosova, të shtunën ...
-
Policia e Shqipërisë jep detaje mbi alarmin për bo*mbë në avion
Policia e Shqipërisë ka reaguar pas raportimeve se në avionin Manchester – Ti...
-
Panik në fluturimin Manchester-Tiranë, alarm për bom*bë në avion, pasagjerët gjejnë shënimin
Një situatë tensioni kanë përjetuar sot pasagjerët e një avioni të Ryanair, q...
-
Maqedonci vlerëson pjesëmarrjen e FSK-së në ushtrimin “Golden Sabre”
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka marrë pjesë në ushtrimin fushor “Golden ...
-
Sveçla njofton për aksionin në Mitrovicë, sekuestrohen kok*ainë, telefona dhe mbi 1 mijë euro
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se Policia e ...
-
Shiroka-Pula: Filantropia dhe shërbimi ndaj të tjerëve janë vlera që forcojnë shoqërinë
Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, mori pjesë në Sami...
-
Ardian Gjini publikon shifrat e BQK-së: Çmimet dhe borxhet e qytetarëve janë rritur në mënyrë ekstreme, si po ia dalin familjet kosovare?
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka ngritur shqetësimin për rritjen e ndjes...
-
Reagimet se i kanë ndarë vetëm 1.5 milionë për to, Pacolli: Mandat i digave, janë në proces, ndërtimet fillojnë më 2027 -28
Fitore Pacolli, ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, përmes një po...


































