Lajme

Pas përplasjeve në LDK, reagon deputeti Fadil Hadergjonaj: LDK-ja ka nevojë për unitet, jo për ndarje

Autori: Gazeta inFokus 14:25 | 24 June 2026

Zhvillimet e fundit brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku disa degë kanë kërkuar dorëheqjen e kryetarit Lumir Abdixhiku, ndërsa të tjera kanë dalë në mbështetje të tij, kanë nxitur reagime të shumta brenda partisë.

Së fundmi ka reaguar edhe deputeti i zgjedhur i LDK-së, Fadil Hadergjonaj, i cili ka bërë thirrje për unitet, reflektim dhe shmangie të përçarjeve të brendshme.

Sipas Hadergjonajt, LDK-ja sot ka nevojë për reflektim të thellë dhe jo për fajësime, për unitet dhe jo për ndarje.

-Advertisement-

Ai ka theksuar se në një kohë kur Kosova po përballet me krizë politike, polarizim shoqëror, stagnim institucional dhe mungesë të perspektivës zhvillimore, LDK-ja nuk ka luksin të merret me përplasje të brendshme apo beteja personale.

“LDK-ja nuk e ka luksin të merret me përçarje të brendshme apo me beteja personale. Përkundrazi, ka obligim ndaj historisë së saj, ndaj anëtarësisë dhe ndaj qytetarëve që të jetë e bashkuar, e përgjegjshme dhe e gatshme të ofrojë zgjidhje”, ka shkruar ai.

Deputeti i LDK-së ka vlerësuar se Kosova prej vitesh po përballet me një krizë politike që ka dobësuar institucionet dhe ka zbehur besimin e qytetarëve, ndërsa ka shtuar se e gjithë energjia duhet të orientohet drejt forcimit të partisë dhe rolit të saj në shërbim të shtetit.

Hadergjonaj ka bërë thirrje që analizat për rezultatin zgjedhor të jenë të ndershme, kolektive dhe të bazuara në përgjegjësi, duke nxjerrë mësime dhe duke marrë vendime për ecje përpara.

“Nuk është kohë për ego personale, por për vizion të përbashkët. Nuk është kohë për ndarje, por për bashkim rreth vlerave që e kanë bërë LDK-në shtyllë të shtetformimit dhe demokracisë në Kosovë”, ka deklaruar ai.

Në fund të reagimit, deputeti i LDK-së ka theksuar se partia duhet të vazhdojë të mbrojë vlerat e saj burimore dhe të mbetet zëri i arsyes, dialogut dhe interesit shtetëror.

“LDK nuk është rastësi. LDK është histori. LDK është përgjegjësi. LDK është dashni”, ka përfunduar Hadergjonaj.

 

 

Teknologjia në kuzhinë nuk është vetëm çështje komoditeti, por edhe kohe: Njihuni me pllakën inovative me induksion Miele KM 8000!
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy