Sekretari amerikan i Shtetit: Anëtarësimi i Kosovës në NATO tani nuk është në krye të agjendës së aleatëve
Autori: Gazeta inFokus
11:22 | 04 June 2026
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se zgjerimi i NATO-s për të përfshirë Kosovën aktualisht nuk është në krye të agjendës së aleatëve, por shtoi se kjo nuk do të thotë se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë në të ardhmen.
Gjatë një seance dëgjimore në Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, Rubio tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara mbështesin kandidatin italian për postin e ri të përfaqësuesit të lartë në Bosnje e Hercegovinë, duke thënë se besojnë se ai “do ta kryente mirë punën dhe do të ndihmonte në sjelljen e stabilitetit në këtë funksion”.
Sekretari amerikan i Shtetit iu përgjigj pyetjeve të kryetarit të Nënkomitetit për Evropë në Dhomën e Përfaqësuesve, Keith Self, i cili së fundmi ka vizituar Bosnje e Hercegovinën, Serbinë dhe Kosovën. Gjatë seancës, Self e cilësoi situatën në Ballkanin Perëndimor si “jashtëzakonisht të brishtë”.
Self tha se mes Serbisë dhe Kosovës ekziston një “problem i pazgjidhur” dhe i kërkoi Rubios që, në bisedimet me katër vendet anëtare të NATO-s që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe që, rrjedhimisht, e bllokojnë anëtarësimin e saj në aleancën ushtarake perëndimore, të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në NATO.
Rubio tha se, bazuar në takimet e tij me ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të aleancës, NATO-ja “është e përqendruar në çështje të tjera” dhe se “zgjerimi, posaçërisht në rastin e Kosovës, por edhe në raste të tjera, nuk është në krye të agjendës së këtyre vendeve”. Megjithatë, ai shtoi se kjo “nuk do të thotë se një gjë e tillë nuk do të ndodhë kurrë”.
“Kjo nuk ka pasur vend të rëndësishëm në bisedimet e fundit me aleatët tanë të NATO-s”, tha Rubio.
Kosova synon të bëhet pjesë e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian. Por, shtetet që nuk e njohin pavarësinë e saj, të shpallur më 2008, vazhdojnë të jenë pengesë në integrimin euroatlantik të Prishtinës.
Self, së bashku me dy kolegë të tij në Kongres, Ritchie Torres dhe Mike Lawler, ka paraqitur në Dhomën e Përfaqësuesve një rezolutë në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në NATO. Në këtë rezolutë thuhet se prania e Kosovës në aleancë është e domosdoshme për mbrojtjen e interesave të sigurisë kombëtare të SHBA-së në Evropën Juglindore.
“Zotëria nga Italia” për Bosnje e Hercegovinën
I pyetur nga Self për zgjedhjen e përfaqësuesit të ri të lartë në Bosnje e Hercegovinë, pas dorëheqjes së Christian Schmidtit, Rubio tha se SHBA-ja mbështet “zotërinë nga Italia”, pa e përmendur emrin e tij.
Diplomati italian Antonio Zanardi Landi përmendet si kandidat që gëzon mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, ndërsa vendet evropiane kanë kandidatët e tyre.
“Përtej kësaj, ne mbetemi të angazhuar në këtë çështje, siç e theksuat edhe ju, dhe këtë e kemi bërë edhe privatisht. Gjëja e fundit që duam të shohim është çfarëdo lloj konflikti atje, çfarëdo ndarjeje, kufizimi apo gjëra të kësaj natyre që do të shkaktonin konflikt të mëtejshëm”, tha Rubio.
Në Sarajevë, të mërkurën, nisi mbledhja e Këshillit për Zbatimin e Paqes (PIC), në të cilën pritet të diskutohet për zgjedhjen e përfaqësuesit të ri të lartë në Bosnje e Hercegovinë, si dhe për përcaktimin e mandatit të tij të ardhshëm.
Përveç Zanardit, ndër kandidatët e përmendur janë edhe i dërguari i posaçëm i Francës për Ballkanin Perëndimor, René Troccaz, si dhe të dërguarit aktualë dhe të mëparshëm britanikë për Ballkanin Perëndimor, Karen Pierce dhe Stuart Peach.
Nëse nuk arrihet marrëveshje, përfaqësuesi aktual i lartë, Schmidt, do të mbetet në detyrë deri në një vendim tjetër, siç ka paralajmëruar edhe vetë gjatë dorëheqjes së tij.
Përfaqësuesi i lartë, i cili emërohet nga PIC-u, ka mandat për të mbikëqyrur zbatimin civil të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, me të cilën, më 1995, u ndal lufta në Bosnje e Hercegovinë. Atij i janë dhënë të ashtuquajturat kompetenca të Bonit, që përfshijnë mundësinë e imponimit të vendimeve dhe ligjeve, si dhe shkarkimin e zyrtarëve në Bosnje e Hercegovinë.

T� tjera
-
Ndalohet personi i tretë i dyshuar për përgatitje të vrasjes së rëndë
Policia e Kosovës ka ndaluar edhe personin e tretë të dyshuar në kuadër të he...
-
Bajrami – Qeverisë: Ku i keni ndërtuar 800km rrugë? Publikojeni listën
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami e ka sfiduar Qeve...
-
21 vjet nga vendimi i Hagës kur Fatmir Limaj u shpall i pafajshëm
Më 30 nëntor 2005, Gjykata e Hagës e shpalli të pafajshëm ish-luftëtarin e UÇ...
-
Protesta në ditën e Pavarësisë, Tirana “pushtohet” nga gazi lotsjellës, 47 persona të lënduar
Pas rreth 10 orësh përplasjeje dhe tensionesh të vazhdueshme mes protestuesve...
-
Gjashtë persona kapen nga policia në Kaçanik – çfarë ndodhi pas mosmarrëveshjes në një kafeteri?
Gjashtë persona janë arrestuar në Kaçanik, pasi dyshohet se kanë sulmuar me t...
-
Një person nga Enti Special në Shtime dërgohet pa shenja jete në QKMF
Një person i gjinisë mashkullore është dërguar pa shenja jete në Qendrën Krye...
-
Përgatitje e vra*sjes së rëndë në Prishtinë, pesë të dyshuar – dy arrestohen, intervistohet viktima
Policia e Kosovës ka identifikuar pesë persona të dyshuar për përgatitje të v...
-
Foshnja njëmuajshe dërgohet pa shenja jete në QKMF në Skenderaj, rasti po hetohet
Një foshnjë rreth njëmuajshe, e gjinisë femërore, është dërguar pa shenja jet...
-
Borë në gjithë Kosovën, rrugët të kalueshme, shoferëve u rekomandohet kujdes
Të reshura bore kishte në gjithë Kosovën, por rrugët janë të kalueshme.Disa n...
-
Reshjet e borës vazhdojnë në Kosovë, këto janë rrugët e mbuluara
Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka njoftuar se të gjitha rrugët në Koso...
-
“Shqipëria është zemra e bashkuar e kombit”, Lladrovci dhe Hoxhaj festojnë 28 Nëntorin në Tiranë
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, dhe deputeti i Partisë Demok...
-
Mrekullia mes tragjedisë – Dr. Genc Shala rrëfen momentet emocionuese të shpëtimit të Amserës nga rrënojat në Restelicë
Një nga ngjarjet më prekëse që ka përjetuar gjatë angazhimit të tij në ushtri...



































