Lajme

Takimi me Costan, Kurti: Kosova e gatshme për statusin kandidat dhe hapjen e negociatave

Autori: Gazeta inFokus 15:54 | 03 June 2026

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka pritur sot në takim Presidentin e Këshillit Evropian, António Costa, në kuadër të vizitës së tij në Kosovë, dy ditë para Samitit Bashkimi Evropian–Ballkani Perëndimor në Tivat.

Sipas njoftimit të ZKM’së, Kurti ka thënë se Kosova është e gatshme për statusin kandidat dhe hapjen e negociatave, shkruan Reporteri.net.

Kurti ka deklaruar se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar ndaj reformave që derivojnë nga Plani i Rritjes dhe instrumentet e tjera të para-anëtarësimit, duke nënvizuar rëndësinë e marrjes së statusit kandidat.

-Advertisement-

Ai ka thënë se Bashkimi Evropian mbetet partneri kryesor zhvillimor i Kosovës.

“Kryeministri në detyrë Kurti e falënderoi Presidentin Costa për kontributin e Bashkimit Evropian si donatori më i madh në zhvillimin dhe ndërtimin e Kosovës, mbështetje të cilën Kosova e ka kthyer në kultivimin dhe promovimin e vlerave të BE-së si dhe në forcimin e institucioneve. Kryeministri në detyrë theksoi se Kosova ka shënuar progres të rëndësishëm në reforma, demokraci dhe ekonomi, me përmirësime në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, lirinë e mediave dhe demokracinë zgjedhore e liberale, si dhe me rritje ekonomike të qëndrueshme, ndër më të shpejtat në rajon”, thuhet në njoftim.

Në takim është folur edhe për bashkëpunimin me institucionet e Bashkimit Evropian, sigurinë dhe rëndësinë e fqinjësisë së mirë në funksion të bashkëpunimit rajonal.

“Kosova është rreshtuar plotësisht me politikën e jashtme të BE-së, ka dënuar luftën agresive të Federatës Ruse ndaj Ukrainës në termat më të ashpër dhe i është bashkuar të gjitha sanksioneve të BE-së kundër Rusisë…Me progresin e shënuar në vitet e fundit, me forcimin e sundimit të ligjit, avancimin e lirive, forcimin e institucioneve demokratike dhe zhvillimin ekonomik, Kosova është e gatshme për statusin kandidat dhe hapjen e negociatave”, theksohet në njoftim.

Kjo ishte vizita e dytë e Presidentit Costa në Prishtinë, pas asaj që realizoi në maj të vitit të kaluar.

Planifikoni udhëtimin tuaj nga Köln në Prishtinë me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy