Opinione

FOLI KRYETARJA E KOSOVËS

Autori: Shkelzen Maliqi 14:49 | 22 November 2024

Shkruan: Shkëlzen Maliqi

Vjosa Osmani e pat ble me lehtësi postin 5 vjeçar të Kryetares të Kosovës fal një pazari hibrid që në vitin 2021 e pat trash bukur mirë me Albin Kurtin. Më parë ajo arriti ta përçajë LDK-në duke e grushtuar dhe poshtëruar Isa Mustafën për „mëkatet“ e koalicioneve të tija të mëhershme me Hashim Thaçin. Në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021, Osmani me një parti fantom që u quajt „Guxo“ (e cila nuk u ngjizë kurrë si forcë reale politike), bëri që rreth 100 mijë vota të elektoratit të LDK-së me orientim të djathtë, kryesisht ata me disponim të theksuar anti-PDK (dhe, sidomos – anti-Thaçi), të rreshtohen me votën shumicë që e nxorën  kryeministër Albin Kurtin.

Kështu e djathta votoi drejtuesin e Lëvizjes Vetëvendosje si subjekt politik i orientimit të së majtës anti-kapitaliste dhe anti-hegjemonisë neo-imperialiste amerikane! Ky koalicion Kurti – Osmani si një popullizëm hibrid, shartim apo  amalgam ideologjik i krijuar ashiqare për një përdorim që të kënaqen ambiciet personale të Albinit dhe Vjosës, në rrethanat e turbulluara politike, doli me një rezultat të bindshëm, madje u quajt referendum, votë e shpresës.

-Advertisement-

Këto vota që Vjosa ia çoi në konton e Albinit ishin vendimtare që zgjedhjet e vitit të 2021 të fitohen me një shumicë bindëse prej 51,3 %! Kryetarja Osmani, si pjesë e triumfit, i qëndroi besnike dhe e pabëzënë qeverisjes së Kurtit edhe kur Kryeministri me një arrogancë të paparë, për shkak të dialogut të keqkuptuar dhe të keq menaxhuar me Serbinë, arriti t’i përmbys raportet e partneriteteve strategjike të Kosovës me SHBA-të dhe vendet kyçe të Perëndimit.

Për katër vite të ushtrimit të postit me përgjegjësi të mëdha, Kryetarja Osmani nuk bëri asnjë tundim kritike dhe trazimi ndaj politikave riskante të Albin Kurtit, për çka që nga viti 2023 Qeveria e tij, por edhe Kosova, u ndëshkuan me sanksione serioze, që ende janë në fuqi. Kryetarja u zgjua nga letargjia parazituese nën hijen e Kryeministrit vetëm në pjesën e dytë të këtij viti, pas presioneve dhe këshillave të ndërkombëtarëve.

Ajo u angazhua për riparimin e raporteve me partnerët strategjik perëndimor, kurse tash, në mënyrë më të artikuluar, e mbajti edhe fjalimin në Kuvend, kur e kritikoi arrogancën e Albinit, e quajti lojë bixhozi me fatin e shtetit të Kosovës. Por këtë adresim kritik para deputetëve e bëri pa e përmendur me emër kryeministrin. Pse kjo mungesë e guximit nga një guximtare!?

Megjithatë, Kryetarja bëri një hap tjetër sinjifikativë për të ndezur lojërat parazgjedhore për pushtet dhe poste, duke paralajmëruar se në zgjedhjet e ardhshme të 9 shkurtit 2015, ajo do të jetë „Me Lumir Abdixhikun!“

 

Një shprehje e tillë e rreshtimit politik dhe ideologjik doemos duhet kualifikuar si gabim trashanik të saj. Si Kryetare e shtetit, ajo nuk do të duhej të mbante anë ndaj subjekteve politike. Deklarimi i saj „Me Abdixhikun“, mund të ketë kuptim vetëm nëse Vjosa Osmani ka ndërmend të dorëhiqet nga posti i Kryetares, një vit para skadimit të mandatit që i përfundon në vitin 2026.

Nëse qëllimi i saj është që në zgjedhjet e 9 shkurtit të ketë rol anues për LDK-në, duke tentuar që t’ia kthejë borxhin e „tradhëtisë“ që ia bëri LDK-së në vitin 2021, kjo mund të kuptohet si taktikë ose strategji e shpëtimit të karrierës të saj politike. Sepse nëse do ta mbante postin e Kryetares deri në vitin 2026, objektivisht rrezikon margjinalizimin e relevancës së saj politike, që tashmë e ka një staturë të komprometuar si politikane e hijes, që edhe u ngrit në majet e pushtetit vetëm përmes sharjeve ndaj Hashim Thaçit, pastaj edhe ndaj Isa Mustafës, pa ndonjë platformë pozitive. Dhe përfundojë si e nënshtruara e Albinit, edhe me fuqinë e Kryetares, i rrinte mim Kryeministrit, pa bërë asgjë të hajrit për të mbrojtur interesat shtetërore kur i katandiste Albini.

Nëse Vjosa e lë postin dhe rreshtohet me Lumirin, duke tentuar që ta kthejë ( a është i kthyeshëm?) pjesën e elektoratit të LDK-së që e ngriti Albinit, ajo ka ndoshta gjasa që të përfitojë nga pazaret e reja për poste. Edhe ashtu në kuloaret politike të Prishtinës kohëve të fundit janë dëgjuar thashethemet se Kryetarja Osmani do të jap dorëheqje, për të përshpejtuar mbajtjen e zgjedhjeve. Mirëpo, tani edhe për këtë është vonuar, është dashur ta bëjë më herët, dëm se para zgjedhjeve në SHBA, nuk i besohej se në pushtet mund të kthehet Trampi. Tani që ai ngadhënjeu në zgjedhje, këshilltarët e saj mund të kanë vlerësuar se erërat e zhvillimeve gjeostrategjike po fryejnë në favor të forcave vendore që, me ndihmën e Grenelit, e patën ndihmuar LDK-në ta largojë përkohësisht nga pushteti Albin Kurtin, dhe se është e mundshme që ky skenar të përsëritet.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Çka do të thotë të gatuash shqip?
-Advertisement-

Të tjera