Ekonomi

Albin Kurti injoron Odat Ekonomike e Sindikatat, nuk konsultohet me askënd për pagën minimale

Autori: Gazeta inFokus 15:51 | 28 August 2024

Sot në mbledhjen e qeverisë me propozim të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati u aprovua vendimi për rritjen në 350 euro në muaj të pagës minimale.

Madje Murati tha se ky vendim do të hyjë në fuqi që nga 1 tetori i këtij viti.

Në lidhje me këtë vendim kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, tha për Gazetën Infokus se Kurti nuk u konsultua as me Odën Ekonomike dhe me asnjë odë tjetër, as me sindikatat, bizneset apo Këshillin Ekonomik Social.

-Advertisement-

“Jo vetëm me Odën Ekonomike të Kosovës por qeveria nuk është konsultuar me asnjë odë, dhe kjo është brengosja jonë më e madhe që po merren vendime pa konsultim, po merren vendime që afektojnë sektorin privat dhe nuk e konsultojnë sektorin privat, nuk e marrin edhe opinionin e sektorit privat në kuptimin se sa i duhet kohë mu përgatit sektori privat për me implementu. Është një vendim goxha që tenton me i obligu bizneset që me e implementu brenda vitit. Se implementimi më i mirë më i plotë i një vendimi bëhet kur dy palët janë në konsultim”, ka thënë Rafuna.

Derisa ai e ka quajtur habitëse se si ministri Hekuran Murati deklaroi se ky vendim hyn në fuqi me 1 tetor, kur sipas tij ka nevojë për ndryshime ligjore dhe një ndryshim i tillë sipas ligjit merr kohë 30 ditë vetëm për komente publike apo konsultim publik.

“E dyta çfarë për neve është habitëse është se ka thënë që ky vendim hyn në fuqi me 1 tetor, ndërsa nevojiten ndryshime ligjore, ndryshime ligjore për me u fut në fuqi, pragu prej 350 euro si pagë minimale. Tani shtrohet pyetja si mundet brenda 30 ditëve të gjitha ndryshime ligjore me u bë, kur vetë rregullorja të cilën vetë e ka qeveria kërkon më së paku 30 ditë vetëm për komente publike. Pra për komente dhe konsultim në publik për çdo ligj që aprovohet prej qeverisë. Kjo për neve është një mesazh që brenda natës kanë me sjellë edhe ndryshime të ligjit, prapë pa konsultim të biznesit”, ka deklaruar i pari i Odës Ekonomike të Kosovës.

Rafuna ka ngritur dyshimet se me këtë vendim qeveria është duke u munduar që të kompensojë shumën prej 30 milionë euro në vit që do të mungojë nga vendimi i djeshëm për ndryshimet në tatimin e të ardhurave personale.

“Na jemi duke e analizu me anëtarët e Odës Ekonomike vendimin, nuk po themi që vendimi është si të themi pragu është i ulët ose i lartë. Dihet që sektori privat ka avancuar me paga dhe paga 350 euro nuk është një sistem që e afekton shumë sektorin privat, se prapë po e theksoj që sektori privat i ka rritë pagat dikun ma shumë dikun ma pak mirëpo ka një lëvizje shumë të madhe krahasu me sektorin publik. Një fakt është që sektorin publik nuk e ka afektu por në qoftë se qeveria vendos 350 euro paga dhe nuk e sjell ligjin për lirim nga tatimi të të ardhurave personale atëherë për neve kjo është mesazh që po don me kompensu qat shumën prej afërsisht 30 milionëve në vit që ka me i mungu sipas ligjit të djeshëm që e kanë aprovu për tatimin në të ardhurat personale”, ka shtuar ai për Infokus.

Për fund Rafuna deklaron se janë mbajtur dy mbedhje të Këshillit Ekonomik dhe se Kurti në asnjërën prej tyre nuk e ka propozuar një rritje të tillë, madje ai thotë se duhet të shtrohet pyetja se pse ky vendim po merret në këtë kohë.

“Nuk po du me supozu pse është marrë një vendim i tillë, mirëpo me vetë faktin që ne i kemi mbajt dy mbledhje të Këshillit Ekonomik për Investime që i ka udhëheq vetë kryeministri dhe në asnjërën prej këtyre nuk është vendos si propozim ose si ide ose nuk i është dhënë mundësia biznesit për me reflektu në këtë propozimin e qeverisë, dhe me vetë faktin që po merret vendim për pagën minimale pa kalu nëpërmjet Këshillit Ekonomik Social që është i parapam dhe që është dashtë me e thirrë ministri i Financave, ku janë sindikatat ku janë organizatat e biznesit, ku janë ministrat përkatës që preken nga kjo paga minimale atëherë për neve kjo është një mesazh jo i mirë edhe pse në këtë kohë shtrohet pyetja”, përfundon kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës.

Derisa ministri Murati në mbledhjen e qeverisë tha se arsyeja pse ky vendim do të hyjë në fuqi në tetor është mundësia që bizneset të arrijnë të përshtatin listat e pagave.

“Përcaktimi i pagës së re minimale tashmë është bërë për orë pune, si dhe nëse kjo përkthehet me orar të plotë, atëherë rezulton me pagë mujore 350 bruto dhe do të fillojë së zbatuari deri në tetor. Arsyeja është që kompanitë të arrijnë të përshtatin listat e pagave”, u shpreh Murati.

Kujtojmë se dje u mor edhe vendimi për ndryshimin e tatimit në të ardhurat personale ku me vendimin e ri secili i punësuar në Kosovë do të merrte në pagë 6 euro e 80 cent më shumë./Gazeta Infokus/

Të gjitha vendimet që u morën sot në mbledhjen e Qeverisë

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Meridian Express hap marketin e ri në qytetin e Mitrovicës Veriore!
-Advertisement-

Të tjera