Sport

8 vjet nga pranimi i Kosovës në UEFA

Autori: Gazeta inFokus 16:40 | 03 May 2024

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka kujtuar 8-vjetorin e anëtarësimit të Kosovës në UEFA.

Ademi tha se ky vendim i dha fund izolimit të padrejtë prej dy dekadash e gjysmë dhe se sipas tij, kalimi i kësaj sfide nuk ishte i lehtë, por gjatë punimeve të Kongresit të 40-të që u mbajt në Budapest, fitoi e drejta, fitoi Kosova.

“Nga aty filloi një epokë e re për Federatën e Futbollit të Kosovës. Që nga ajo ditë, zhvillimi e sukseset kanë shënuar rritje të vazhdueshme. Klubet tona kanë demonstruar vlerat e tyre në arenën ndërkombëtare, duke na bërë krenarë me përfaqësimin dinjitoz. Niveli i ligës është rritur dukshëm dhe jemi ndër kampionatet më të vlerësuara në rajonin tonë”.

-Advertisement-

“Ekipet kombëtare janë konsoliduar, kanë bërë përparime të dukshme dhe janë në ndjekje të ëndrrës së madhe – kualifikimit në finalet e kompeticioneve madhore. Një punë e madhe është bërë në krijimin e kuadrove të reja përmes UEFA-s për trajnerët, gjyqtarët e administratorët e futbollit. Me mbështetjen e programeve nga UEFA e FIFA kemi gjithëpërshirje të komunitetit dhe futbollin e kemi shndërruar në aset kombëtar”, tha Ademi.

Më tej, Ademi tha se që nga 3 maji i vitit 2016, energjia e re dhe dëshira për sukses e kanë shndërruar futbollin në një fuqi të pasur me arritje dhe mundësi.

“Sot, ne festojmë këtë ditë me krenari dhe falënderim për të gjithë ata që kanë punuar e mbajtur gjallë futbollin që nga vitet e okupimit e deri në anëtarësimin tonë në UEFA, madje duke e sakrifikuar edhe pasurinë e familjeve të tyre”.

“E teksa kujtojmë të kaluarën, jemi të përkushtuar për të ndërtuar një të ardhme më të ndritshme për futbollin kosovar. Si president i Federatës së Futbollit të Kosovës, bashkë me Komitetin Ekzekutiv, do të shtyjmë para të gjitha proceset me besim e përkushtim që futbolli ynë të shkëlqejë në arenën vendore dhe atë ndërkombëtare”, tha Ademi.

Udhëto Oslo – Prishtinë çdo javë me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy