Kërkesat maksimaliste sjellin humbje maksimaliste
Autori: Gazeta inFokus 09:32 | 20 September 2023
Në politikë është e pamundur të shkosh përpara me kërkesa maksimaliste. Kërkesa maksimaliste do të thotë: dikush të gjitha, tjetri asgjë.
Në historinë më të vonshme ishin dy shtete në glob që kishin kërkesa maksimaliste: Gjermania dhe Japonia gjatë Luftës së Dytë Botërore (L2B) po synonin ta pushtonin dhe ndanin në dy pjesë tërë masën tokësore të Euroazisë (Evropën dhe Azinë të marra së bashku). Dhe humbja maksimaliste ishte kjo: Gjermania u nda në dy pjesë, pjesa perëndimore e saj u pushtua nga SHBA, Britania e Madhe dhe Franca, kurse pjesa lindore nga Bashkimi Sovjetik.
Praktikisht, pas L2B kontinenti i Evropës ekzistonte vetëm në letër, sepse në praktikë qe pushtuar i tëri gjithandej nga bazat ushtarake të SHBA-së dhe BRSS-së. Përderisa Evropa pas L2B kishte rënë si fuqi globale, kishin lindur dy Superfuqi globale: SHBA dhe BRSS. Ndërsa Japonia qe sakatuar (por jo shkretuar) aq shumë saqë pati kapitulluar dhe qe pushtuar nga SHBA. Sikur Japonia të mos kapitullonte dhe të këmbëngulte në kërkesat e saj maksimaliste, e që ishin goditja e SHBA-së dhe dominimi në Pacifik, atëherë do të ishte shkretuar nga SHBA.
Ka një fjalë popullore: i forti të rrahë dhe s’të lë të qash. Gjithmonë ka qenë kështu. Shtetet vetëm formalisht janë të barabarta, por kurrë praktikisht. Është rast unikat në glob kur Superfuqia, në këtë rast SHBA – edhe pse i kishte pushtuar Gjermaninë Perëndimore dhe Japoninë – i kishte mbështetur e zhvilluar ato duke i bërë dy mrekullitë ekonomike në glob, po asesi ushtarake, bile ishte vetë zhvillimi i Gjermanisë Perëndimore dhe i Japonisë ai që mposhti ideologjinë komuniste dhe njëkohësisht nxiti valën e demokratizimit në botën komuniste dhe jo vetëm.
Sikur SHBA dhe BRSS të kishin këmbëngulur në kërkesa maksimaliste mes tyre për ndarje dhe kontroll sa më të madh të botës nga viti 1945-1990, atëherë lufta nuk do të ndalej fare. Por, e gjetën kompromisin e madh, SHBA drejtonte botën e pasur kapitaliste, BRSS atë të varfër komuniste, ndërsa vendet e varfëra të painkuadruara ishin jashtë lojës së madhe globale edhe pse nën vëzhgim të rreptë nga SHBA e BRSS.
Sikur Serbia të kishte këmbëngulur në vitin 1999 në mos-tërheqjen e forcave të saj ushtarake e policore nga Kosova, atëherë planet e NATO-s ishin për ta pushtuar atë tërësisht, me një fjalë për ta zhdukur nga harta. Ndërkohë, sikur kërkesat e Kosovës të kishin qenë maksimaliste, pra që nga Kosova të largoheshin të gjithë serbët përfshirë ata në veri dhe Kosova të bashkohej me Shqipëri, atëherë Kosova edhe sot do të ishte nën Serbi, sepse Perëndimi nuk do ta përkrahte atë opsion, siç vazhdon të mos e përkahë as sot.
Por, kompromisi i madh ishte ky: Serbia u tërhoq ushtarakisht nga Kosova, ndërsa Kosova u çlirua. Pra, kërkesa maksimaliste e Serbisë ishte një Kosovë pa asnjë shqiptar, kurse kërkesa maksimaliste e Kosovës ishte një Kosovë pa asnjë serb. Perëndimi s’donte as njërën e as tjetrën. E kompromisi ishte një Veri i Kosovës me disa komuna me shumicë serbe, në mënyrë që NATO të mos mund akuzohej nga Rusia me aleatë të saj se i kishte përzënë të gjithë serbët nga Kosova. Thjeshtë NATO nuk donte që në botë të perceptohej si spastruese etnike e serbëve në Kosovë, siç kishte bërë Millosheviqi me shqiptarët. Prandaj, NATO dëshironte të paraqitej si mekanizëm që garantonte paqen dhe sigurinë për të gjitha grupet etnike në Kosovë. Mbi këtë kalkulim politik forcat e NATO-s u vendosën në veri të lumit Ibër, pa marrë parasysh a na pëlqente neve shqiptarëve kjo apo jo.
Ideja e gjithë kësaj ishte që në një fazë të mëvonshme veriu të integrohej me pjesën tjetër duke e bërë kështu Kosovën vend multietnik, ku Rusia me aleatë të saj nuk do të mund ta akuzonin asnjëherë Perëndimin për ndonjë spatrim etnik të serbëve. Dhe në fakt ashtu edhe kishte ndodhur: Kosova qe shpallur e pavarur si vend multietnik dhe më pas patën filluar bisedimet e vështira për integrimin e veriut me pjesën tjetër të Kosovës. Bisedimet me Serbi po vazhdojnë edhe sot dhe baza e tyre ka qenë, është dhe do të jetë kompromisi, ngase meqë NATO që nga 1999 asnjëherë nuk e kishte përkrahur një Kosovë pa serbë, atëherë s’do ta përkrahë as sot e nesër.
Prandaj, edhe te Zajednica kemi të bëjmë me kërkesa maksimaliste. Serbia kërkon që ajo të bëhet jashtë ligjeve të Kosovës, ndërsa SHBA dhe BE duan që ajo të bëhet brenda ligjeve të Kosovës, ndërkohë që Kosova – edhe pse i ka thënë po Zajednicës në Ohër – po mundohet t’i ikën themelimit të Zajednicës. Në fakt Serbia kërkesat i ka maksimaliste vetëm si pretekst, pra që të mos arrijë kurrfarë marrëveshje me Kosovën, sepse ruajtja e status-quosë është interes jetik serb e rus për ta lënë Kosovë përgjithmonë vatër krize. Prandaj, Serbia i mban forcat e saj kriminale në veri të Kosovës, përmes të cilave sa herë të dojë i provokon policinë e Kosovës që të ekspozohet në sytë e opinionit ndërkombëtar si rrezikuese e interesave të serbëve në veri dhe është pikërisht ky ekspozim i policisë së Kosovës që po ia rrit Serbisë pazarin në bisedime duke kërkuar para botës Zajednicë me kompetenca ekzekutive. Prandaj, Kosova u fut në kurthin e Serbisë duke mos e ndëgjuar kërkesën e SHBA-së e BE-së që përqendrimi të ishte te zgjidhja politike së pari e jo në tabela të veturave e aspekte tjera teknike.
Problemi sa më shumë që shtyhet aq më shumë rritet. Kosova që nga 2013 i ka rezistuar vazhdimisht themelimit të Zajednicës. Dhe duke i rezistuar themelimit, nga pushteti aktual Zajednica u rrit në Samoupravnicë (autonomi) bashkë me autonominë e kishave. Sa më shumë që Kosova i bishtnon zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit aq më të mëdha do të jenë kërkesat e serbëve dhe aq më i madh do të bëhet problemi në veri. Sa më i madh që bëhet problemi në veri aq më shumë humb Kosova, sepse loja po zhvillohet në territorin e Kosovës.
Prandaj, nëse Kosova vazhdon konfrontimin me Perëndimin, kjo vetëm sa do të çojë ujë në Serbi e Rusi, ngase këto të fundit duan me çdo kusht që të vazhdojë kjo gjendje shkatërruese psikologjike në Kosovë, e cila ka paralizuar jetën sociale, politike dhe ekonomike në vend, ku si rezultat i së cilës rinia ka kapur kokën në dorë dhe po ikën jashtë vendit në përmasa të frikshme. Sa më shumë që vazhdon kjo gjendje e rëndë në veri aq më shumë zbrazje nga rinia do të ndodhë në Kosovë. Prandaj, nëse Kosova këmbëngul në kërkesa maksimaliste, çështja e veriut do të shtyhet për vite me radhë, e kjo do ta zbrazë Kosovën nga rinia si asnjëherë më parë. A.H.
Të tjera
-
Kurti: Një shoqëri e lirë nga dhu*na është shoqëri më e fortë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se beteja për barazinë në shoqër...
-
Bislimi e Petkoviq takohen në dhjetor – çka pritet nga dialogu?
Takimi i ardhshëm i kryenegociatorëve të Kosovës e Serbisë, Besnik Bislimi dh...
-
“Peci ka aludu se ‘fushata’ kundër tij ka nisur nga kolegët në Qeveri që kanë xhelozi” – Burim Ramadani thotë se qeveria ka probleme përbrenda
Analisti Burim Ramadani tha se në Qeverinë Kurti ka “panik ligjore”, sepse si...
-
Grabitje në një market në Pejë, një person i maskuar kanosi me thikë punëtoren dhe ia mori 500 euro
Marketet në vendin tonë jo rrallëherë janë cak i hajnave. Kjo dukuri po krijo...
-
Të shtëna armësh në Prishtinë, lëndohen disa persona
Të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar sot në Prishtinë, pas një konflikti mid...
-
Shpalosja e programit për arsim në Vushtrri, Abdixhiku premton rritje të pagave për mësimdhënësit
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka shpalosur detaje nga tubimi që mbajti ...
-
Promovohet pulla postare kundër dhu*nës gjinore `Sot dhe Çdo Ditë Tjetër`
Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj, ka lëshuar sonte në qarkullim post...
-
Osmani: Derisa çdo grua të jetë e lirë nga dhụna, asnjëra nga ne nuk është vërtetë e lirë
Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, presidentja e Koso...
-
Izraeli tërheq kundërshtimin për Kosovën në Konventën Apostile të Hagës – vendi aty kishte aderuar më 2016
Ministria e Punëve të Jashtme e Mbretërisë së Holandës ka njoftuar se shteti ...
-
“30 milionë euro naftë o vëlla”, Haziri, qeverisë: Mos i prekni asetet e shtetit
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se miqtë ndërkombëtarë të Kosovë...
-
AAK: Shkollat në Fushë Kosovë po furnizohen me thëngjill, po shkelet ligji
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dega në Fushë Kosovë ka thënë se Komuna e F...
-
Haziri: Kurti ka qenë dhe mbetet ushqyesi i ndarjes dhe frikës politike
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka thënë se kryeministri Albin Kurti është...