Gjithçka që duhet ditur për hapat e Finlandës dhe Suedisë drejt NATO-s
Autori: Gazeta inFokus 10:20 | 10 May 2022
Anëtarësimi i Finlandës dhe i Suedisë në NATO tani shoqërohet më shumë me pyetjen “kur” sesa “nëse”. Por, javët e ardhshme do të jenë vendimtare si për Helsinkin, ashtu edhe për Stokholmin.
Cilat data janë të rëndësishme?
Më 11 maj, Komisioni i punëve të jashtme i Parlamentit finlandez pritet të fillojë hartimin e një raporti të shkurtër për seancat e shumta dëgjimore që ka mbajtur, qëkur Helsinki ka përfunduar Letrën e bardhë të sigurisë në muajin prill. Kjo letër e bardhë nuk përmban rekomandime konkrete për anëtarësimin në NATO, por përshkruan ndryshimin e mjedisit të sigurisë në Evropë që nga muaji shkurt, kur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës.
Dy ditë më vonë, më 13 maj, Stokholmi pritet të publikojë një raport për sigurinë në Suedi, në përpjekje për të ndjekur hapin me fqinjin e tij nordik.
Megjithatë, datat më vendimtare, por deri tani tentative, për t’u vëzhguar, mbeten: 14 dhe 15 maj.
Më 14 maj, Partia Social-Demokratike e kryeministres finlandeze, Sanna Marin – grupi më i madh në Parlament – pritet të shpalosë qëndrimin e saj për anëtarësimin në NATO. Social-Demokratët e kryeministres suedeze, Magdalena Andersson, pritet ta bëjnë të njëjtën gjë një ditë më vonë.
Të dyja udhëheqëset besohet se preferojnë anëtarësimin e vendeve të tyre në NATO, por partitë e tyre – së paku historikisht – kanë ngurruar në këtë drejtim.
Pastaj, janë edhe datat 17-18 maj, kur presidenti i Finlandës – kryesisht ceremonial, por me shumë ndikim – Sauli Niinisto, udhëton në Suedi për një vizitë zyrtare.
Ai gjithashtu besohet se favorizon anëtarësimin në NATO dhe ka thënë se “drejtimi i Finlandës do të jetë i qartë deri në kohën e vizitës”. Andaj, nuk duhet përjashtuar ndonjë njoftim të përbashkët zyrtar në Stokholm.
Në fund është edhe Samiti i NATO-s në Madrid, që mbahet më 28-30 qershor. Zyrtarët e NATO-s kanë thënë se protokollet e pranimit për Finlandën dhe Suedinë mund të nënshkruhen në atë kohë, nëse aplikacionet formale arrijnë në tryezën e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, deri në fund të majit.
A mund t’i pranojë NATO-ja Finlandën dhe Suedinë vërtet kaq shpejt?
Po, duket krejtësisht e besueshme, pasi nuk ka asnjë tregues se ndonjëri prej 30 aleatëve të NATO-s e kundërshton anëtarësimin e Suedisë ose të Finlandës.
Ushtritë e tyre ka kohë që ndërveprojnë me NATO-n, pjesërisht falë anëtarësimit të tyre në Partneritetin për Paqe të NATO-s që nga viti 1994 dhe në mesin e Partnerëve të Mundësive të Zgjeruara, 20 vjet më vonë – të dyja këto struktura që sigurojnë një bashkëpunim më të afërt me organizatën ushtarake.
Dy vendet bëjnë rregullisht stërvitje me NATO-n dhe kanë punuar nën komandën e NATO-s në Ballkanin Perëndimor dhe në Afganistan.
Që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë, më 24 shkurt, ministrat dhe diplomatët finlandezë kanë marrë pjesë edhe në shumicën e takimeve të NATO-s.
Pastaj, është edhe vlera e shtuar për NATO-n. Finlanda, për shkak të rekrutimit universal mashkullor, ka 280,000 trupa dhe 900,000 rezervistë, të trajnuar për kohë lufte – çfarë e bëjnë atë potencialisht njërën nga forcat më të mëdha të NATO-s.
Me prokurimin e madh të armëve në proces, ajo do të përmbushë objektivin e NATO-s për shpenzime të mbrojtjes – që është 2 për qind e bruto prodhimit të brendshëm – këtë vit. Një gjë të tillë, vetëm rreth një e treta e anëtarëve aktualë të NATO-s e kanë arritur.
Suedia ka thënë se do t’i rrisë shpenzimet ushtarake dhe do të arrijë objektivin prej 2% brenda vitesh, dhe ka të ngjarë që madhësia e forcave të saj të armatosura – aktualisht rreth 24,000 burra dhe gra – të rritet ndjeshëm.
Dhe, nuk duhet nënvlerësuar industria suedeze e armëve, e cila, me një qarkullim të raportuar prej 3.5 miliardë eurosh në vit, prodhon topa modernë, pushkë kundërajrore dhe avionë luftarakë JAS.
Procesi i ratifikimit
Ky proces zakonisht zgjat rreth një vit, pasi 30 parlamentet kombëtare duhet të debatojnë dhe votojnë mbi këtë çështje. Por, politikanë dhe zyrtarë të rangut të lartë nga të dyja vendet, muajve të fundit, kanë bërë turne në kryeqytete të ndryshme të NATO-s, për të kërkuar procese të përshpejtuara.
Një ngjarje kyçe këtu është Asambleja Parlamentare e NATO-s, sesioni pranveror i së cilës është planifikuar për në Vilnius, më 27-30 maj.
Ky mekanizëm, i cili mbledh së bashku deputetë nga e gjithë aleanca, pritet t’i dëgjojë me kujdes delegacionet finlandeze dhe suedeze në kryeqytetin lituanez. Andaj, nuk duhet befasuar nëse procesi i ratifikimit përfundon në fund të verës ose në fillim të vjeshtës.
A do të marrin Finlanda dhe Suedia garanci sigurie përkohësisht?
Ndoshta kjo është çështja më urgjente që kryeministret Andersson dhe Marin e kanë eksploruar në bisedimet e tyre me udhëheqës të tjerë.
Është e qartë që Neni 5 i NATO-s – klauzola e mbrojtjes reciproke – mbulon vetëm anëtarët e aleancës.
Kjo e brengos Suedinë dhe veçanërisht Finlandën, e cila ndan një kufi prej 1,300 kilometrash me Rusinë, nëse u duhet të presin me muaj të tërë formalitetet midis NATO-s dhe vendeve të saj anëtare.
Zyrtarët suedezë dhe finlandezë kanë thënë se, në fakt, nuk kërkojnë “garanci”, të cilat do të ishin ligjërisht të detyrueshme, por më tepër “mbështetje për sigurinë”.
Asnjë vend nuk e ka thënë në mënyrë eksplicite se si do ta mbronin Finlandën ose Suedinë kundër sulmeve të mundshme. Por, një zyrtar i NATO-s i ka thënë Radios Evropa e Lirë se “të ftosh një vend [për t’u bashkuar] dhe pastaj thjesht të qëndrosh mënjanë nëse ai vend sulmohet gjatë periudhës së përkohshme, do ta dëmtonte besueshmërinë e aleancës”. Një zgjidhje e mundshme, ka sugjeruar ky burim, është një prani e shtuar e NATO-s në rajonin nordik, në muajt e ardhshëm.
A mund të përjashtohet referendumi për anëtarësimin në NATO?
Sipas të gjitha gjasave, po. Të dyja vendet kanë mbajtur referendume në vitin 1994, kur publiku i tyre ka votuar në favor të anëtarësimit në BE.
Por, këtë herë, duket se ka nevojë për shpejtësi. Një diplomat finlandez ka pranuar se, në rast të referendumit, përgatitjeve të nevojshme për të dhe debatit të zgjatur publik, vendi “do të ekspozohej ndaj ndërhyrjeve të jashtme”.
Një sondazh në Suedi ka treguar se mbi 60 për qind e të anketuarve janë kundër referendumit dhe kryeministrja suedeze ka thënë se ajo dëshiron që çështja “të zgjidhet” shumë kohë përpara zgjedhjeve parlamentare, që do të mbahen në fund të shtatorit.
A do të përpiqet Rusia të ndërhyjë në ndonjë mënyrë?
Rusia ka shprehur hapur kundërshtimet e saj për anëtarësimin e Finlandës dhe të Suedisë në NATO dhe ka paralajmëruar “pasoja ushtarake dhe politike” për to. Por, një zyrtar ushtarak perëndimor ka thënë se nuk ka asnjë kërcënim të afërt ushtarak kundër Finlandës ose Suedisë, edhe pse disa avionë rusë kanë shkelur hapësirat e tyre ajrore në disa raste në javët e fundit.
Ky burim, po ashtu, ka thënë se aftësitë e Rusisë në kufirin e saj verilindor me Finlandën janë “mjaft të kufizuara, pasi shumica e njësiteve i kanë dërguar forcat e tyre në Ukrainë, ku kanë pësuar shumë viktima”.
Ky zyrtar ka shtuar se “do të duheshin vite që Rusia të ndërmerrte ndonjë hap të madh ushtarak pranë kufijve finlandezë, pasi shumica e përpjekjeve tani janë përqendruar në luftën e saj në pjesën lindore të Ukrainës”.
Rusia paralajmëron NATO-n kundër anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës
Një kërcënim që duket i mundshëm, sipas këtij burimi, është rritja e numrit të raketave bërthamore, që përfundojnë të stacionuara në rajonin e Detit Baltik, veçanërisht në Kaliningrad, por edhe në Gadishullin Kola./Rel
Të tjera
-
Shtëpia e poetit Ymer Elshani do të kthehet në muze
Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka...
-
Të shtëna me ármë te lokali “Hamari”në Prishtinë, Policia gjen disa gëzhoja në vendngjarje
Të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar në orët e para të mëngjesit të sotëm te...
-
Ndriçimi smart në kryeqytet, LVV: Tenderi shkon në dëm të buxhetit të komunës
Kordinatori i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Arben Brovina, në një konfe...
-
Bie nataliteti në Kosovë, ASK dhe MPB me statistika të ndryshme për lindjet
Tkurret numri i shtimit të popullsisë në Kosovë vit pas viti. Në dekadat e fu...
-
Vetëvendosje në Prishtinë mban konferencë për media, ka disa akuza për Ramën
Arben Brovina, koordinator i nën komiteteve të lëvizjes Vetvendosje, qendra n...
-
Petkoviqi: Anëtarësimi i Kosovës në KiE operacion kundër Serbisë
Operacion kryesisht të drejtuar kundër Serbisë dhe popullit serb, e ka quajtu...
-
Sa ḁrmë pa leje kanë kosovarët?
Armët pa leje në duart e qytetarëve të Kosovës, paraqesin rrezik serioz, thon...
-
Arrestohet një i dyshuar për vra*je në tentativë në Ferizaj
Është arrestuar dje një person për vrasje në tentativë në Ferizaj që ka ndodh...
-
Shitet për një vlerë marramendëse, ora e njeriut më të pasur të Titanikut
Një orë xhepi prej ari, e gjetur në trupi e njeriut më të pasur në bordin e T...
-
Burri në Viti raporton se i është vjedhur kasaforta me para
Një burrë në Viti ka raportuar se persona të panjohur kanë vjedhur një kasafo...
-
U dërgua në gjendje të rëndë shëndetësore në QKUK, vdes shtetasja serbe
Të shtunën në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka ndërruar jëtë një gr...
-
Iraku miraton ligjin kundër marrëdhënieve të së njëjtës gjini, deri në 15 vjet burg
Parlamenti i Irakut ka miratuar një ligj që dënon marrëdhëniet e të njëjtës g...