Ekonomi

Sindikalistët kundër draftit për Ligjin e Ri të Pagave

Autori: Elvira Haxhiu 16:22 | 16 February 2022

Krerët e Sindikatave të Kosovës janë deklaruar kundër draftit të Ligjit të Ri për Pagat.

Kjo sepse ata nuk janë pyetur e madje as nuk janë ftuar në procesin e hartimit të tij, gjë që ka shfaqur tek ta pakënaqësi të shumta.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jashari, për Gazetën Infokus ka konfirmuar se ata nuk janë ftuar në hartimin e këtij drafti.

-Advertisement-

Ai ka thënë se kanë marrë pjesë në një takim pas përgatitjes së këtij draftligji, ku sindikalistët sipas tij kanë pasur vetëm rolin e spektatorit.

“E krejt çka mund të them në një takim janë ftuar sindikatat, në këtë rast edhe SBASHK-u, përfaqësuesi ynë ka qenë në një takim me dikë nga kabineti i Sveçlës dhe një përfaqësues të komisionit që e ka ngritë ministri Sveçla, por edhe SBASHKU edhe sindikatat tjera kanë qenë në cilësinë e vëzhguesit apo të spektatorit. Vetëm është fol për versionin që është duke u punuar, por nuk u është dhënë mundësia asnjërës që të deklarohen, që të ofrojnë ndonjë propozim të tyre”, ka thënë Jashari.

Po ashtu i pari i SBASHK-ut tha se në të ardhmen nuk do të lejojnë që të jenë në rolin e vëzhguesit dhe se do të kërkojnë nga qeveria një takim ku ata do të konsiderohen si palë e barabartë.

“Ne qoftë se nuk merren parasysh propozimet tona atëherë ne do ta konsiderojmë se ky ligj nuk është i yni. Versioni që është në qarkullim, është i papranueshëm për SBASHK-un dhe presim që të kemi dialog të mirëfilltë dhe jo të jemi vëzhgues sepse ne duhet të jemi të kyçur drejtpërdrejt në punën e versionit final, ngase përfaqësojmë një sektor që nga çerdhet e deri në universitet. Nuk do të lejojmë që sistemi arsimor të jetë i nënçmuar dhe të jetë i degraduar me Ligjin e ri të Pagave”, ka shtuar Jashari.

E për hartimin e këtij drafti nuk është ftuar as Federata Sindikale e Shëndetësisë.

Kështu ka konfirmuar kryetari i kësaj federate, Blerim Syla, i cili tha se javën e kaluar kanë pasur një takim siç e quajti ai “kozmetik”.

“E kemi pas vetëm një takim në javën e kaluar, një takim kozmetik, ku kanë lënë vetëm me shiku ligjin dhe e kanë pru draftin, por pa anekset të cilat janë shumë të domosdoshme, që i bie se as koeficientin nuk e dimë”, ka thënë Syla për Gaztën Infokus.

Ai po ashtu tha se protestat dhe grevat e organizuara nga FSSHK janë bërë pikërisht për këtë qëllim, pjesëmarrjen e sindikatave në hartimin e Ligjit për Paga.

Sipas Sylës në ligjet e Kosovës dhe konventave ndërkombëtare kur të hartohet një ligj duhet të thirren të gjitha palët e interesit.

Edhe nga Sindikata e Infermierëve thanë se kanë pasur një takim me hartuesit e draftligjit, por që nuk kanë qenë pjesë e procesit të hartimit të tij.

Kështu të paktën ka bërë të ditur sekretari i kësaj sindikate, Mentor Sejdiu, i cili tha se në atë mbledhje nuk u është ofruar që ta shohin ligjin.

“Ne kemi marrë pjesë në një mbledhje të hartuesve, por në atë mbledhje nuk na është ofru një ligj i tillë”, ka deklaruar Sejdiu për Gazetën Infokus.

E sipas tij drafti i cili po qarkullon në media qysh nga dje, ku vërehet posaqërisht një rritje në pagat e krerëve të shtetit, është përgatitur nga vetë qeveria.

“Fakti që ky ligj është publikuar nëpër media të ndryshme do të thotë që këtë dikush e ka shpik, e ka qit, sidomos mendojmë që qeveria se përndryshe akterë tjerë nuk ka”, ka shtuar tutje sekretari Sindikatës së Infermierëve.

Ndërkaq, Sejdiu u zotua se nuk do të merret parasysh asnjë draftligj nëse Sindikata e Infermierëve nuk janë pjesë e ekipit hartues, ngase edhe në të kaluarën nuk janë ndarë të kënaqur me Ligjin e Pagave.

“Ne si sindikatë kemi tregu se nuk merret parasysh asnjë draftligj në qoftë se nuk jemi hartues në atë draftligj si Sindikatë e Infermierëve, sepse ne edhe në të kaluarën jemi sakatu në këtë ligj”, ka përfunduar ai.

Jashtë procesit të hartimit të draftligjit për Paga është lënë edhe Sindikata e Policisë të Kosovës.

Kryetari i kësaj sindikate, Imer Zeqiri, për Gazetën Infokus tha se atyre iu është paraqitur ky projektligj i cili nuk është final dhe që sipas tij u është lënë mundësia për propozime të sindikatave.

Një problem tjetër Zeqiri po e sheh edhe mospublikimin e vlerës së koeficinetit nga qeveria e Kosovës dhe se si Sindikatë e PK-së do ta kundërshtojnë fuqishëm këtë.

“Jo nuk pajtohemi më këtë projektligj. Ne e kemi thënë edhe në takimin që e kemi pas, takim konsultativ ka qenë, do më thënë që nuk pajtohemi, është i pa pranueshëm për Policinë e Kosovës dhe si i tillë mendoj që nuk mund të kalojë. Ne do ta kundërshtojmë fuqishëm në rast se nuk merren parasysh kërkesat dhe propozimet tona”, ka deklaruar Zeqiri.

Diskriminues këtë draftligj po e sheh edhe kryetari i Sindikatës së Shërbyesve Civilë, Mursel Zymberi, i cili për Infokusin ka thënë se në bazë të koeficientit dallimi është i madh sidomos në krahasim të nivelit qendror me atë lokal por edhe në shumë aspekte të tjera.

Sipas tij ministri në ligjin e ri për pagat ka koeficientin më të lartë se sa kryetari i komunës përderisa në krahasim të punës, vendin e parë për dhjetëfish më shumë e zë kryetari i komunës.

“Niveli lokal në krahasim me nivelin qendror, merreni me mend pozita e ministrit është për dy tre koeficientë ma e lartë se pozita e kryetarit të komunës i cili është drejtpërsëdrejti i zgjedhur nga populli. Dhe volumi i punës te kryetari është dhjetëfishi i punës së ministrit”, ka thënë Zymberi.

E po ashtu ai ka thënë se diskriminime të tilla në Ligjin e ri për Pagat ka edhe tek shërbimi civil.

Rritjen e koeficientit në pagat e krerëve të shtetit ai po e konsideron të paarsyeshme dhe pasojë e mos ftesës së sindikatave nga qeveria Kurti në hartimin e ligjit të ri të pagave.

“Paga në vitin e kaluar ka qenë një me dhjetë, 10 ka qenë presidenti tash është 1 me 20 domethënë një dallim shumë i lartë dhe nuk e di pse, ku e kanë gjete arsyeshmërinë në këtë rast me ba këtë dallim. Por kjo ka ndodhë përfundimisht sepse nuk kanë marrë pjesë sindikatat në hartimin e këtij projektligji, qeveria ka qenë e mbyllur me dialogun social deri tani asnjëherë si ka pranuar në bisedë për pozitat tyre shërbyesit civilë dhe publikë në përgjithësi, por ka dalë me një projektligj që neve na bën me u shqetësu sepse nuk ndihemi rehat në raport me sektorët e tjerë. Derisa parimi bazë i këtij ligji është pagë e njëjtë për punë të njëjta apo ngjashme dhe ky parim në fakt po vërehet se po shkelet”, ka përfunduar ai.

Theksojmë se drafti i Ligjit të Ri për Pagat nuk është publikuar ende nga qeveria dhe nuk është caktuar ende vlera e koeficientit edhe pse koeficientet për pagat janë bërë publik. E koeficientët goxha të lartë në bazë të draftit që është publikuar në media, i ka presidentja, kryeministri dhe në përgjithësi postet e krerëve të shtetit.

Në media janë publikuar se sa do të jenë ma rritje pagat e krerëve të shtetit dhe kategorive të tjera me vlerën e koeficienti 120, ani pse kjo nuk është bërë ende zyrtare nga qeveria.

Për këtë ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili i quajti të pavërteta dhe qëllimkeqe lajmet për Ligjin e Pagave.

“As nuk ka draft final të ligjit për pagat e zyrtarëve publik e as nuk ka ndonjë vlerë të koeficientit. Vlera e koeficientit nuk do të jetë pjesë e ligjit për pagat e zyrtarëve publik, meqë e njëjta përcaktohet me ligjin e buxhetit”, ka shkruar Sveçla në Facebook./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Fito 50 € për dyshekun e vjetër dhe merr dyshkeun e ri Cloud për vetëm 549 €
-Advertisement-

Të tjera