Lajme

50 ditë që nga fillimi i luftës në Ukrainë, lufta po hynë në fazën vendimtare

Autori: Gazeta inFokus 17:22 | 14 April 2022

E enjtja shënon ditën e 50-të që kur Rusia filloi pushtimin e saj të paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt.

Sulmi fillestar nisi para agimit me një seri sulmesh raketore dhe me përdorimin e artilerisë me rreze të gjatë të veprimit, para se ai të përhapej me shpejtësi në të gjithë Ukrainën qëndrore dhe lindore, teksa forcat ruse sulmuan vendin nga të tri anët, shkruan CNN, përcjell Periskopi.

Por plani i presidentit rus, Vladimir Putin, për ta rrëzuar shpejt Kievin dështoi përballë rezistencës së fortë ukrainase, kurse sfida të tjera ishin: dështimi për të arritur epërsinë ajrore në Ukrainë, problemet e komandës, kontrollit dhe furnizimit dhe humbjet e mëdha të personelit.

-Advertisement-

Ndërsa forcat ruse tërhiqen nga zonat afër Kievit për t’u ripërqendruar në lindje, tmerret e pushtimit të tyre janë bërë të qarta me raportet e viktimave dhe vrasjeve të shumta civile, torturave, zhdukjeve dhe mizorive të tjera. Qytetet në të gjithë vendin vazhdojnë të bombardohen pamëshirshëm, teksa Rusia ka vendosur një grup të armëve për sulme shkatërrimtare ajrore, duke krijuar një katastrofë humanitare.

Pas 50 ditësh, lufta është gati të hyjë në një fazë të re kritike:

Lufta bartet në lindje: Putin ka rishikuar strategjinë e tij të luftës për t’u fokusuar në përpjekjen për të marrë kontrollin e Donbasit dhe rajoneve të tjera në Ukrainën lindore me një datë të synuar në fillim të majit, sipas disa zyrtarëve amerikanë të njohur me vlerësimet më të fundit të inteligjencës amerikane. Ukraina po përgatitet për një përshkallëzim masiv, me një paralajmërim zyrtar për një betejë që “do t’ju kujtojë Luftën e Dytë Botërore.” Imazhet satelitore tregojnë një numër në rritje të trupave ruse dhe automjeteve të blinduara që shtrihen në Ukrainën lindore.

Terreni i ndryshëm: Territori lindor është vendi ku Rusia ka shumë më tepër avantazhe sesa në sulmin e saj të mëparshëm në Ukrainën veriore dhe kryeqytetin, Kiev. Beteja do të zhvillohej në terren të hapur dhe jo në luftime të ngushta në zona urbane dhe të pyllëzuara. Rajoni kufizohet gjithashtu me Rusinë jugperëndimore, duke ia mundësuar forcave ruse të shmangin problemet e mbështetjes, logjistikës dhe komunikimit që penguan pushtimin e tyre të plotë të vendit pothuajse që nga fillimi.

Nxitimi për armë: ShBA po rrit angazhimin e saj ndaj Ukrainës – duke dërguar një shtesë prej 800 milionë dollarësh armë dhe municione në një paketë që përfshin helikopterë Mi-17, topa Howitzer, drone Switchblade, sisteme radari kundër artilerisë dhe pajisje mbrojtëse për t’u siguruar kundër sulmeve të mundshme kimike. Për javë të tëra, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky iu është lutur liderëve botërorë për më shumë armë dhe pajisje të tjera ushtarake.

Katastrofa njerëzore: Që nga fillimi i pushtimit, më shumë se 4.6 milionë njerëz kanë ikur nga Ukraina në vendet fqinje dhe mijëra civilë kanë vdekur, duke përfshirë fëmijë, sipas OKB-së. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka verifikuar rreth 120 sulme ndaj qendrave të kujdesit shëndetësor që nga fillimi i pushtimit. Banorët e bllokuar në qytetet nën bombardimet nga sulmet ruse kanë raportuar se nuk kanë ushqim, ujë apo ilaçe dhe është pamundësuar hyrja e ndihmave.

Akuzat për gjenocid dhe krime lufte: Presidenti i ShBA-së, Joe Biden, i cilësoi mizoritë në Ukrainë si “gjenocid” për herë të parë këtë javë. Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës po heton 5800 raste të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit të kryera nga Rusia, duke përfshirë shënjestrimin e qëllimshëm të civilëve. Imazhet e të paktën 20 trupave të shpërndarë nëpër rrugër në Buça u shfaqën këtë muaj, ndërsa dhjetëra civilë evakuues u vranë në një sulm me raketa ruse në një stacion treni. Ajo pasoi bombardimet e spitaleve, shkollave dhe një teatri ku qindra njerëz, përfshirë fëmijë, ishin duke u strehuar.

NATO: Putin filloi luftën duke kërkuar që NATO të pushojë zgjerimin e tij në lindje dhe të mos pranojë anëtarë të rinj. Ndërsa Zelensky ka pranuar se vendi i tij nuk do të bëhet anëtar, lufta ka bashkuar Perëndimin kundër Moskës. Finlanda dhe Suedia – shtete që zyrtarisht nuk janë të përafrura me aleancën – po shkojnë gjithnjë e më shumë drejt bashkimit me aleancën ushtarake të udhëhequr nga SHBA.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Studio MASTER në UNI, Merr Diplomë dhe lejeqëndrim t’përhershëm në GJERMANI

Të tjera