Lajme

Dita e Evropës, pse zgjedhjet e qershorit janë vendimtare për të ardhmen e BE-së

Autori: Gazeta inFokus 19:11 | 09 May 2024

Ndërsa institucionet e Bashkimit Evropian shënojnë themelimin embrional me Ditën e Evropës, ato po përgatiten edhe për zgjedhjet euro-parlamentare, që janë më pak se 4 javë larg.

Arritjet e Unionit u celebruan në kryeqytetet e vendeve anëtare 74 vjet nga fjalimi historik i ministrit të Jashtëm francez, Robert Schuman, që çoi në themelimin politik dhe ekonomik të bllokut.

Qytetarët u ftuan të vizitonin institucionet e BE-së për të festuar, me Parlamentet Evropiane në Bruksel dhe Luksemburg që hapën dyert për publikun.

-Advertisement-

Jashtë selisë së Parlamentit Evropian në Bruksel, 18-vjeçari gjerman Carlo Ëolter deklaroi se të rinjtë duhet të votojnë.

“Për mua është me rëndësi të votoj sepse ne jemi të rinj. Unë dhe brezi im jemi e ardhmja e Evropës, ndaj dhe opinioni ynë ka rëndësi për atë që do të ndodhë në të ardhmen”, tha studenti gjerman.

Rasti për të votuar vjen teksa BE përgatitet për një nga zgjedhjet më të rëndësishme në histori, të ndikuara nga lufta në Ukrainë, klima dhe çështjet themelore të vetë bllokut.

Brenda Parlamentit Evropian, ligjvënësi italian Nicola Procaccini thotë se përbërja aktuale e institucionit anon më shumë majtas dhe procesi elektoral mund të sjellë një ndryshim.

“Ajo që do të doja të shihja është diçka e re, diçka ndryshe, një balancë të re në Parlament, sepse aktualisht po anon majtas. Unë do të doja që kjo balancë të zhvendosej djathtas dhe mendoj se është e mundur pasi nëse sheh sondazhet nëpër Evropë sheh gjithmonë të njëjtin skenar. Lëvizjet e qendrës së djathtë po ecin përpara”, tha euro-deputet italian.

Në anën tjetër, ish-kryeministri belg dhe euro-deputet në ikje i Parlamentit Evropian, Guy Verhofstadt beson se rezultatet në kutitë e votimit do të vendosin më shumë sesa fasadën politike të PE-së.

“Mendoj se do të jetë një luftë për ekzistencë. Një luftë kundër atyre që duan më pak Evropë dhe atyre forcave politike që e kuptojnë se në botën e së nesërmes nevojitet një Bashkim Evropian më i integruar për të mbrojtur interesat e qytetarëve në botën brutale të së nesërmes”, tha Verhofstadt.

Disa qindra milionë njerëz nga 27 vendet anëtare do të zgjedhin muajin e ardhshëm 720 euro-ligjvënës për t’i përfaqësuar për 5 vitet e ardhshme.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Edhe një storie suksesi – PRINCE CAFFE lidh marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë më të madhe në Kroaci të shitjes me…

Të tjera