Ekonomi

4 këshilla që do t’ju ndihmojnë të gjeni kuptimin e punës suaj

Autori: Gazeta inFokus 17:45 | 01 October 2018

Puna. Ajo na zgjon në mesin e natës, konsumon pjesën më të madhe të ditëve tona, por ne gjithashtu mbështetemi tek ajo për të jetuar ashtu siç duam.

Duke e ditur rëndësinë e saj në jetën tonë, është e trishtueshme ta përjetojmë punën si një përvojë boshe, e keqe, e tmerrshme, duke ezauruar gjithë energjinë tonë nga shpirti ynë.

Sipas një studimi të Gallup në vitin 2015, më pak se një e treta e punonjësve janë të angazhuar plotësisht në punën e tyre. Studimi po ashtu tregoi se nuk ka rëndësi se sa e lartë është paga juaj – paratë jo gjithnjë janë motivuesi më i madh. Dhe nuk është i rëndësishëm as titulli që keni në punë, ai nuk ka asnjë lidhje me kuptimin apo motivimin. Si është e mundur që disa njerëz, të mirëpaguar, të cilët punojnë në një ambient vicioz, të ndihen të painteresuar dhe disa të tjerë që fitojnë më pak para, të ndihen të plotësuar?

-Advertisement-

Gjetja e kuptimit në punën që bëni

Sipas Karen Carluçi, punonjëse sociale klinike e licencuar dhe terapiste në Nju Jork City, e gjithë kjo lidhet me kuptimin. “Kuptimi është ai që na drejton dhe njerëzit e gjejnë gjithnjë kuptimin në punën e tyre kur ata ndihen se janë të nevojshëm dhe të vlerësuar” – tha Carlucci. “Kjo nxit një ndjesi qëllimi që mund të zhvillohet në çfarëdo lloj pune në çdo lloj ambienti pune. Puna në vetvete nuk është aq e rëndësishme se sa marrëdhënia me drejtuesin dhe bashkëpunëtorët dhe mënyra se si pritet puna juaj.

Pasi të jetë përcaktuar qëllimi, do të ndiqet nga motivimi për t’u angazhuar në një punë dhe për ta bërë atë me përgjegjësi.

Si mund ta gjeni kuptimin në punën tuaj dhe të punoni me më shumë kënaqësi… ? Lexoni këshillat e mëposhtme:

1.Kërkoni kuptimin

Identifikoni atë që ju pëlqen më shumë. Duke kuptuar se çfarë ju intereson më shumë do t’ju japë një drejtim dhe një ndjesi qëllimi. Jennifer Way, CEO e Way Solutions, një Kompani e Këshillimit në Burimet Njerëzore dhe Menaxhimit të Karrierës, këshillon t’i bëni vetes këto pyetje”

-Çfarë ju tërhoqi fillimisht në këtë pozicion?

Rifokusimi tek ajo që ju tërhoqi fillimisht në rolin tuaj mund t’ju ndihmojë të kuptoni çdo pakënaqësi që mund të keni në pozicionin tuaj.

-Si kontribuoni në mënyrë vendimtare?

Çfarë dhuntish dhe aftësish po përdorni në pozicionin tuaj aktual? Çfarë vlere i jepni punës suaj? Duke u përqendruar te kontributi që keni duke dhënë mund t’ju ndihmojë të gjeni një lidhje me “të mirat më të mëdha”.

-A ju interesojnë këto projekte në punë?

A ka ndonjë projekt në të cilin mund të jeni të interesuar të bëni pjesë? Kjo mund të jetë diçka sfiduese që mund t’ju çojë të mendoni përtej pozicionit aktual, të nxisë imagjinatën tuaj dhe t’ju bëjë të bashkëpunoni me kolegë të rinj me të cilët nuk ju lidh puna.

2.Krijoni marrëdhënie

Sipas Gallup, njerëzit të cilët kanë një mik të mirë në punë, kanë probabilitet të angazhohen shtatë herë më shumë në punën e tyre. Megjithatë nuk është e thënë që ky person të bëhet miku juaj më i ngushtë. Gallup gjeti se njerëzit që thjesht kanë një mik të mirë në vendin e punës kanë më shumë gjasa të jenë të kënaqur.

Nëse jeni duke kërkuar për të gjetur më shumë kuptim në punën tuaj, merrni pak kohë për të krijuar marrëdhënie me kolegët tuaj, edhe nëse do të ishin vetëm 30 minuta në javë.

3.Shikoni përtej punës suaj

Nëse një mik i mirë në punë duket se nuk është një opsion, ju keni gjithmonë mundësi për të parë jashtë mureve të zyrës suaj. “Ndjesia e komunitetit në nivel profesional nuk duhet të jetë e kufizuar në vendin e punës”, thotë Jennifer Way. “Kërkoni për rrjete të tjera profesionale jashtë mureve të punës suaj, ku është e mundur të krijoni kontakte me të tjerë persona të profesionit tuaj. A ka njerëz të tjerë në sektorin tuaj me të cilët do të ishit të interesuar të hanit një darkë apo të pinit një kafe”?

4.Ndryshoni qëndrimin tuaj

Të mbash një qëndrim të mirë në punë është shumë e rëndësishëm dhe mund të jetë një element për t’u ndier mirë në rolin tuaj. Edhe pse kjo është më e vështirë të bëhet se sa të thuhet (dhe më e lehtë në disa pozicione pune se në disa të tjerë), një qëndrim e mirë është diçka që vjen me praktikë dhe ndërgjegje. Merrni në konsideratë të punoni mbi aftësitë ndërpersonale – nëse mësoni t’i respektoni të tjerët, ata do t’ju sillen në mënyrë të sjellshme dhe do t’ju japin më shumë kënaqësi në punë.

Në përfundim

Pyesni vetëm: A ju pëlqen puna juaj? Apo jeni të frikësuar të gjithë javën? Nëse doni t’i jepni një kuptim punës suaj, përtej detyrave të përditshme që duhet të përmbushni, duhet të përqendroheni te rezultati final që do t’ju çojë tek realizimi i saj – edhe nëse bëhet fjalë vetëm për pagën.

“Është e kuptueshme për dikë që të shkojë në punë vetëm për të marrë pagën në fund të muajit” – tha Carlucci.

“Cilat janë nevojat tuaja? Çfarë ju bën të çoheni nga krevati ditë pas ditë? Çfarë ju intereson më shumë? Nëse përgjigjja janë paratë dhe mënyra se si i fitojmë ato, është e kuptueshme. Gjëja më e rëndësishme është të kuptojmë vlerat tona më thelbësore dhe t’i lartësojmë ato. Kjo do t’ju çojë drejt një jetë profesionale më të ekuilibruar dhe do t’ju japë shtysë që të ecni përpara”.

Ladan Nikravan Hayes

*Burimi: The Ladders

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera