Ekonomi

155 milionë euro klima në 3 vite – Dyshime serioze për MASHTRIM me cilësinë e tyre, ministritë ia hedhin fajin njëra-tjetrës

Autori: Samire Jaha 16:15 | 09 Prill 2026

Importi i pajisjeve për klimatizim në Kosovë ka arritur në nivele rekord gjatë viteve të fundit, duke ngritur njëkohësisht shqetësime serioze për kontrollin e cilësisë dhe vërtetësinë e performancës së tyre, shkruan Gazeta Infokus.

Sipas të dhënave zyrtare nga Dogana e Kosovës të cilat i ka siguruar Gazeta Infokus, gjatë periudhës 2023–2025, vlera totale e importit të klimave ka arritur në gjithsej 155 milionë e 117 mijë e 844 euro, ndërsa pesha e produkteve të importuara kalon mbi 20 milionë kilogramë.

Në vitin 2023, vlera totale e klimave të importuara në Kosovë, ka qenë 44 milionë e 461 mijë e 704 euro, në vitin pasues importi u rrit në 55 milionë e 965 mijë e 945 euro, e në vitin 2025 kjo shumë shkoi deri në 54 milionë e 690 mijë e 195 euro.

-Advertisement-

Këto shifra tregojnë një rritje të ndjeshme të kërkesës për pajisje klimatizimi, veçanërisht për sistemet “split”, të cilat dominojnë tregun.

TABELA ME STATISTIKA NGA DOGANA E KOSOVËS

 

Kjo rritje e importit dhe e kërkesës për klimat lidhet kryesisht me subvencionet shtetërore për pajisje efiçiente dhe nevojën në rritje për alternativa të ngrohjes dhe ftohjes. Megjithatë, përderisa miliona euro po shpenzohen për këto pajisje, mbetet e paqartë nëse ato ofrojnë realisht performancën dhe kursimin e madh për të cilin premtohej e pre e të cilit ranë shumë qytetarë.

Gazeta Infokus kishte raportuar në shkurt të këtij viti për dyshimet e mashtrimit me klimat në Kosovë, ku qytetarët dyshohet se po përballen me një dallaver të madh nga disa tregtarë të klimave.

LEXO EDHE: Si po mashtrojnë tregtarët, klimat efiqente pa asnjë standard e pa asnjë kontrollë, tre plusat një mashtrim i madh

Në këtë raportim Infokus ka treguar mashtrimin e tregtarëve ku pajisjet që reklamohen si “super efiçiente” dhe me “kursim të lartë” e të cilat po shiten masivisht në Kosovë po dyshohet se në shumë raste performanca e tyre reale nuk përputhet me atë që premtohet.

Shumë prej tyre paraqesin në etiketë klasa të larta të efiçencës së energjisë elektrike, por këto vlera janë vetëm teorike ose vendosen drejtpërdrejt në fabrikë në Kinë, sipas porosisë së importuesve kosovarë.

Kosovës po i kushtojnë miliona euro për blerjen e klimave, derisa institucionet hedhin ‘topin’ tek njëra tjetra?

Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregisë dhe Inovacionit (MINT), ka deklaruar se përgjegjësia për verifikimin e efiçiencës energjetike nuk është në kompetencën e tyre.

Në një përgjigje për Infokus sipas MINT-it, kjo përgjegjësi i takon Ministrisë së Ekonomisë.

“Vlen të sqarohet se mbikëqyrja dhe vlerësimi i efiçiencës së energjisë hyjnë në mandatin e Ministrisë së Ekonomisë dhe departamenteve përkatëse brenda këtij dikasteri. IQMT bashkëpunon me këto organe, por vlerësimi teknik i performancës energjetike mbetet kompetencë e tyre”, kanë deklaruar nga MINT-i.

Në këtë përgjigje nga ministria kanë sqaruar se certifikimi Eurovent nuk është obligativ në Kosovë, çka nënkupton se tregu mund të përfshijë produkte pa verifikim të pavarur të performancës.

“Certifikimi Eurovent nuk është një kërkesë obligative (mandatore) ligjore për vendosjen e pajisjeve në tregun e Kosovës” , thuhet në përgjigjen e tyre.

Sipas këtij institucioni, kontrolli që bëhet aktualisht fokusohet kryesisht në dokumentacion dhe përputhshmëri teknike.

Mirëpo siç duket, ministritë nuk ia kanë as idenë se përgjegjësi e kujt është verifikimi i cilësisë së këtyre pajisjeve që hyjnë në tregun e Kosovës e më pas u shiten qytetarëve.

Kjo sepse edhe nga Ministria e Ekonomisë për Infokus kanë mohuar plotësisht përgjegjësinë e tyre për verifikiminin e këtyre klimave.

Sipas tyre, mjafton që pajisjet që importohen nga Bashkimi Evropian të kenë etiketë të efiçiencës dhe shenjën ‘CE’, që nënkupton përputhje me standardet evropiane.

“Ministria e Ekonomisë nuk bënë kontrolle të pajisjeve, të cilat hynë në Kosovë, kjo është përgjegjësi e Doganës dhe Inspektoratit Qendror të Republikës së Kosovës.”

Megjithatë, institucioni thekson se origjina e produkteve nuk është problem në vetëvete.

“Origjina nuk është problem, fakti që një klimë prodhohet në Kinë nuk do të thotë automatikisht se nuk është efiçiente… pajisjet që shiten në Kosovë duhet të kenë etiketë të efiçiencës së energjisë dhe CE markim.”

Pavarësisht kësaj përgjigje nga Ministrisa e Ekonomisë kanë theksuar edhe një herë tjetër se përgjegjësia për kontrollin e cilësisë në treg i atribuohet krejtësisht, Inspektoratit Qendror i cili është në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregisë dhe Inovacionit (MINT).

“Përgjegjës për sigurimin e cilësisë së pajisjeve, të cilat janë në tregun e Kosovës, është Inspektorati Qendror i Republikës së Kosovës.”

Kjo situatë TOTALISHT e paqartë dhe duke i shtuar kësaj edhe tendencën për hedhje të përgjegjësisë tek njëra tjetra nga dy ministrisë kryesore në vend që duhej të kishin primare cilësinë e produkteve të cilat hyjnë në Kosovë po krijon një boshllëk institucional, ku siç po shihet asnjë institucion nuk bën verifikim të drejtpërdrejtë të performancës reale të klimave që shiten në treg.

LEXO EDHE: Dyshimet për mashtrim me klimat në Kosovë, deklarohen për Infokus nga Ministria e Tregtisë

Ekspertët paralajmërojnë se nëse dyshimet janë të vërteta atëherë dikush duhet të marrë përgjegjësi për këtë e madje “duhet të shkojë në burg”.

Gazetari Shkëlzen Dakaj në emisionin “Podcast me Shkëlzen Dakaj”, ka ngritur shqetësimin se shumë pajisje shiten me premtime për kursim deri në 75%, pa pasur standardizim të qartë.

“Në Kosovë po hyjnë krejt këto klima, pjesa më e madhe e tyre, sipas informatave që kemi dhe do t’i trajtojmë ditëve në vijim, shumicës prej tyre u shkruhet 75% kursim i energjisë elektrike, me ato tre plusat. Shumica prej tyre po vijnë krejtësisht ‘made in China’, pa asnjë standard, sipas kërkesës së tregtarëve të vendit tonë. Edhe kostoja e tyre është shumë e lirë nëse ti nuk kërkon me të vërtetë t’i përmbushin ato standarde”, ka theksuar Dakaj.

Ndërsa analisti i energjisë Burim Ejupi ka theksuar se nëse këto pretendime rezultojnë të pavërteta, atëherë kemi të bëjmë me mashtrim që duhet të ndëshkohet.

“Nëse kjo është e vërtetë, ne kemi agjenci të standardizimit në Kosovë. Kjo është mashtrim dhe mashtruesi duhet të hyjë në burg. Ka ligje për mashtrues”, ka deklaruar Ejupi.

“Nëse kjo është e vërtetë… kjo është mashtrim dhe mashtruesi duhet të hyjë në burg.”

Në anën tjetër, dyshimet rriten edhe më shumë kur ishte vetë shteti konkretisht Ministria e Ekonomisë që për këtë periudhë që po flasim por edhe më herët nxiti qytetarët të blinin klima duke premtuar edhe subvencionim, e gjithë kjo kinse për të kursyer energji elektrike dhe për të pasur më pak shpenzime të energjisë gjatë dimrit. Mirëpo kjo dërgoj qytetarët përballë një zgjedhjeje jo shumë të sigurt ku ende nuk po dihet nëse realisht kanë shpenzuar më shumë dhe nuk kanë kursyer fare./Gazeta Infokus/

Comodita Home rikthen “Garage Sale” për edicionin e tetë, me zbritje deri në 70%
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy