Lajme

1 mijë shqipëtarë të prekur nga tërmeti janë strehuar në Kosovë, gati gjysma prej tyre janë fëmijë

Autori: Hateme Smajli 12:19 | 29 November 2019

Mbi një mijë qytetarë të Durrësit dhe zonave të tjera të prekura nga tërmeti në Shqipëri janë vendosur në Kosovë.

Një pjesë e tyre në Kampin Inovativ Trajnues Kosovaro – Gjerman në Prizren dhe të tjerë në shtëpi të cilat i ofruan qytetarët e Kosovës për strehimin e të mbijetuarve nga tërmeti.

Shkelzim Murtezi, kryetar i Asosacionit për Mbështetjen e Arsimit të Republikës së Kosovës tha për gazetën inFokus se janë duke krijuar një regjistër me të dhëna sipas komunave ku ndodhen personat e strehuar.

-Advertisement-

“Na jemi duke krijuar një regjistër me të dhënat sipas komunave dmth se ku ndodhen saktësisht personat e strehuar dhe se sa fëmijë kanë. Prandaj kemi kontaktuar të gjitha agjencitë e autobusave dhe organizatat tjera që janë duke organizuar strehimin e tyre ne Kosovë siç janë Plisat, Let’s do it Kosova etj”, tha ai.

Sipas Murtezit deri më tani numri i të strehuarve nga Shqipëria në Kosovë është 1 mijë dhe 40% prej tyre janë fëmijë.

“I kemi kërkuar evidencat me të dhënat e personave dhe të dhëna se ku janë strehuar dhe sa fëmijë kanë. Ne Pejë dhe në Gjakovë janë rreth 300 persona. Ndërsa në total numri i të strehuarëve në Kosovë, brenda këto dy ditët e fundit, është rreth 1.000 persona nga ta jane 40% femije”, tha Murtezi për gazetën inFokus.

E ai gjithashtu tha se ky numër pritet të rritet pasiqë edhe sot janë nisur autobusë nga Kosova për të marrë të tjerë persona të prekur nga tërmeti në Shqipëri.

“Sot pritet të jetë numri edhe më i lartë sepse gjatë natës kemi marrë njoftim nga agjencitë e autobusave se kanë nisur autobus në drejtim të Shqipërisë për të marrë më shumë persona”, deklaroi Murtezi.

Ndërsa gazeta inFokus gjatë ditës së djeshme ka raportuar se 40 nga personat e strehuar në Kosovë kanë kërkuar që të kthehen përsëri në Shqipëri./Gazeta inFokus/

 

 

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Gjermani shpalos koleksionin e produkteve të reja në panairin Heimtextil në Frankfurt

Të tjera