Lajme

ZRrE nuk pranon vendimin e gjykatës, njofton se faturat e prillit do ua dorëzoj qytetarëve me rritje

Autori: Gazeta inFokus 15:18 | 18 April 2022

Gjykata Themelore në Prishtinë të premten ka vendosur që të pezullojë përkohësisht ekzekutimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtim të energjisë elektrike. Megjithëkëtë, tarifat e muajit prill, qytetarëve do u shkojnë me rritje. Kështu kanë deklaruar zyrtarisht nga ZRrE.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë do të ankohet në Gjykatën e Apelit ndaj vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës për të shtyrë ekzekutimin e vendimit për shtrenjtimin e rrymës.

“U njoftojmë se ZRRE-ja, ende nuk e ka pranuar aktvendimin në lidhje me vlerësimin e kërkesës  së palës paditëse, për shqyrtimin dhe vendosjen e masës së përkohshme nga Gjykata Themelore në Prishtinë – Dep. Për Çështje Administrative. ZRRE ju njofton se mbështetur në dispozitat ligjore të nenit 23 par. 2 Nenin 49 par. 1 dhe 2 lidhur me Nenin 63 të LKA-së, lidhur me Nenin 176 të Ligjit për Procedurën Kontestimore (Ligjin Nr. 03/L – 006) do të parashtrojmë ankesë brenda afatit ligjor pranë Gjykatës së Apelit. Për informimin tuaj sipas Nenit 176 par. 2  të LPK-së, definohet se: Ankimi i bërë brenda afatit të përcaktuar me ligj pengon që aktgjykimi të bëhet i formës së prerë në pjesën e goditur me ankim”.

-Advertisement-

Tutje nga ZRRE kanë thënë për Periskopin se vendimi i Gjykatës nuk është i plotfuqishëm akoma.

“Përderisa kjo çështje pas ankesës së ZRRE-së, do të shqyrtohet nga Gjykata e Apelit, aktvendimi  i shkallës së parë nuk bëhet i formës së prerë dhe praktikisht nuk është i plotfuqishëm dhe i ekzekutueshëm. Kjo është e definuar me Nenin 66 të Ligjit për Konfliktet Administrative ku përcaktohet se : “Vendimet e gjykatës mund të ekzekutohet atëherë kur bëhen të plotfuqishme dhe të ekzekutueshme”.

”ZRrE, gjatë gjithë kohës ka vepruar dhe vepron në pajtim të plotë me obligimet ligjore dhe Kushtetuese, dhe  çdo vendim të Gjykatave e ka zbatuar dhe do ta zbatojë me kohë, pasi të njëjtat ta marrin formën e prerë dhe të bëhen të ekzekutueshme”, thuhet tutje në përgjigjeni  ZRrE.

Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka vendosur masë e përkohshme ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, për shtrenjtimin e energjisë elektrike.

“Shtyhet ekzekutimi i vendimit Nr.077/22 i datës 09.02.2022 i publikuar më datë 16.02.2022 i të apditurës Zyra e Rregullatorit për Energji me seli në Prishtinë derisa gjykata të vendos me vendim përfundimtar gjyqësor përkitazi me padinë e paditëses”.

Më 9 shkurt 2022 kanë hyrë në fuqi tarifat e reja të energjisë elektrike, të cilat janë më të shtrenjta për 100% për konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovat/ orë në muaj.

Kjo sasi e energjisë shpenzohet nga shumica e konsumatorëve që nuk kanë burime tjera të ngrohjes përpos rrymës.

Gazeta Infokus ka dërguar pyetje ZRrE-së në lidhje me këtë rast, por nuk ka pranuar asnjë përgjigje.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Intervistë: Dr. Gorazd Konjanovski – Klinika Zhan Mitrev ka luajtur një rol kyç në vendosjen e themeleve në kardiokirurgji dhe…

Të tjera