Opinione

WBIF dhe Procesi i Berlinit – Projeksione shpresëdhënëse

Autori: Gazeta inFokus 17:45 | 19 December 2017

Shkruan: Agron HOTI

Dihet që stagnacioni konstant në zhvillimin ekonomik gjatë periudhës komuniste dhe konfliktet ndër-etnike në Jugosllavi patën lënë prapa një gjendje pothuajse të pashpresë për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor. Si rezultat i kësaj, harta infrastrukturore e Ballkanit Perëndimor dhe e Ballkanit në tërësi,pas vitit 1990 nuk u përgjigjej trendeve neoliberale në ardhje, të cilat kërkonin dinamikë dhe intensifikim të ndërlidhjes apo inter-konektivitetit mes shteteve e rajoneve.

Për të theksuar qasjen rajonale të saj, BE në vitin 1996 pati bërë diferencimin mes termit Evropë Juglindore dhe Ballkan Perëndimor. Me Evropë Juglindore nënkuptohej kryesisht Sllovenia, Bullgaria e Rumania, kurse me Ballkan Perëndimor nënkuptohej ish-hapësira jugosllave (minus Sllovenia) dhe Shqipëria. Kjo ndarje është më shumë politike për rajonin e Ballkanit dhe që ka dy dinamika: i) në njërën anë kemi Slloveninë, Kroacinë, Rumaninë e Bullgarinë si anëtare të BE-së, ndërsa ii) në anën tjetër kemi Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi, Bosnjën e Hercegovinën dhe Serbinë që janë jashtë BE-së. Pra, vështirësitë e ndryshme me të cilat është përballur rajoni kanë determinuar edhe dinamikat brenda shteteve të ndryshme.

-Advertisement-

Shikuar prapa në shekullin e kaluar, shumë lehtë vërehet se infrastruktura e Ballkanit Perëndimor dhe Ballkanit në tërësi nuk ishte ndërtuar sipas nevojave të rajonit, por sipas diktatit. Analisti britanik dhe njohësi i rrethanave në Ballkan, Misha Glenny, thoshte që “infrastruktura e Ballkanit asnjëherë nuk ishte bërë sipas nevojave të vendeve ballkanike, por sipas interesave të të tjerëve.” Pra, përpos problemeve të shumta politike edhe infrastruktura e pazhvilluar ishte barrierë që sfidonte lëvizjen lirë të njerëzve, shkëmbimet tregtare dhe zhvillimin e gjithëmbarshëm ekonomik të rajonit.

Ofrimi i perspektivës evropiane për tërë rajonin e Ballkanit dhe ndërmarrja e hapave konkret për të jetësuar këtë proces, ishin përgjigja më e duhur për të ardhmen e rajonit. Edhe shtetet e rajonit tashmë kishin konfirmuar përkushtimin e tyre për të ardhme evropiane. Që nga vitit 1990 e deri më sot, BE ka ndërmarrë një sërë iniciativash për të avansuar procesin e Integrimit Evropian në vendet e Ballkanit, duke përkrahur dhe njëkohësisht vlerësuar individualisht  secilin shtet për të arriturat në këtë proces. Mbi këtë bazë BE ja doli të fusë në gjirin e vet Slloveninë, Kroacinë, Bullgarinë e Rumaninë, ndërkohë qëpak më herët, në vitin 2004 ngërtheu 10 shtete, kryesisht nga bota ish-komuniste.

Mbështetja për zhvillim ekonomik si përgjigje ndaj stagnacionit të vazhdueshëm të ekonomive të Ballkanit Perëndimor ka bërë që BE të intensifikojë përpjekjet për zhvillim të këtij rajoni. Ndër iniciativat më të njohura është edhe themelimi i Kornizës Investive për Ballkanin Perëndimor (WBIF) të vitit 2009 nga Komisioni Evropian, Institucionet Financiare Ndërkombëtare, donatorë të ndryshëm dhe 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor. Ky instrument i BE-së kishte dhe ka për qëllim zhvillimin socio-ekonomik, përshpejtimin e anëtarësimit në BE duke lehtësuar dhe implementuar investime në projekte infrastrukturore në sektorët e transportit, mjedisit, energjisë dhe sektorin social.

Përpjekjet e BE-së për zhvillimin e rajonit u ri-konfirmuan edhe në Procesin e Berlinit të filluar në gusht të vitit 2014. Edhe këtu u ri-afirmua rëndësia e përmirësimit të ndërlidhjes apo inter-konektivitetit të vendeve të Ballkanit Perëndimor mes tyre dhe me BE-në. Kjo inciativë është bërë në kohën e duhur pasiqë pati shërbyer si shërim i ndjenjave të lënduara në rajon, të cilat ishin ngritur nga deklarata Presidentit të Komisionit Evropian Jean Claude Juncker duke thënë që “nuk do të ketë zgjerim të ri të BE-së gjatë mandatit pesëvjeçar të Komisionit Evropian”.

Edhe pse teknikisht korrekte, kjo deklaratë qe interpretuar nga shumë qarqe si zvënitje e përkushtimit të BE-së karshi aspiratave të anëtarësimit të vendeve të rajonit. Edhe pse i organizuar jashtë kornizës normale të vendim-marrjes institucionale të BE-së dhe me vetëm 7 Shtete Anëtare të BE-së, Procesi i Berlinit ka merita, sepse e mirëmbanë përqendrimin në rajon duke i ulur së bashku të gjithë udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor për një të ardhme më të mirë.

Edhe pse ka pasur zëra se WBIF dhe Procesi i Berlinit mund të shihen si dy iniciativa paralele, njëra e BE-së dhe tjera kryesisht gjermane, këto dy iniciativa plotësojnë njëra tjetrën, sepse të dyjat kanë si qëllim kryesor zhvillim socio-ekonomik të rajonit dhe afrimin e tij me BE-në. Gjithësesi që si WBIF ashtu edhe Procesi i Berlinit janë në linjë me politikat e Komisionit Evropian për zgjerim dhe rrjedhimisht, të dy iniciativat mjetet financiare i kanë të siguruara nga buxheti i BE-së. Dihet që vija kryesore buxhetore e BE-së për Ballkanin Perëndimor është Instrumenti i Para-Anëtarësimit (IPA). Ky instrument financiar ka dy faza: 2007-2013 dhe 2014-2020.

IPA ka edhe një Komitet Drejtues që vendos dhe orienton buxhetin. Në tetor 2014 Komiteti Drejtues i IPA-s pati miratuar metodologjinë e re të WBIF-së. Kjo metodologji, ndër të tjera, përfshinë: i) bashkë-financimin e investimeve nga ana e BE-së me 20 % grante, kurse për hekurudha 50 % grante; ii) themelimin e Këshillave Kombëtare për Investime (KKI) nga secili vend i Ballkanit Perëndimor; dhe iii) të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet krijuar Listën e Projekteve Prioritare Infrastrukturore (LPPI) për sektorët e transportit, mjedisit, energjisë dhe sektorit social.

WBIF mbështetet vazhdimisht nga Komisionit Evropian me Asistencë Teknike (këshillë- dhe ekspertizë-dhënie) dhe se zyrat me ekspertë të ndryshëm WBIF i ka në secilin vend të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën. E mira e kësaj Asistence Teknike të WBIF-së është se këta ekspertë bëjnë analiza të ndryshme për projektet prioritare infrastrukturore e sidomos: studime të para-fizibilitetit dhe fizibilitetit, kost-benefit analiza, dizajne të projekteve të ndryshme, vlerësime të ndikimit në mjedis të projekteve të ndryshme, përgatitje të projekt-propozimeve, etj. Të gjitha këto aktivitete tepër të kushtueshme bëhen tërësisht nën koston e BE-së dhe se vendet përfituese nuk e shpenzojnë asnjë cent.

Vlen të theksohet që Kosova është përfituese me të drejta të barabarta nga WBIF dhe Procesi i Berlinit, pa marrë parasysh faktin që 5 Shtete Anëtare të BE-së ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Në përgjigje të politikave të BE-së, Qeveria e Kosovës në përputhje me rekomandimet e WBIF-së dhe Procesit të Berlinit në korrik 2015 pati themeluar Këshillin Kombëtar për Investime, i cili bashkë-kryesohet nga Ministria e Integrimit Evropian dhe Ministria e Financave si dhe një Sekretariat që është në shërbim të këtij Këshilli.

Poashtu, Qeveria e Kosovës ka nxjerrë Listën e Projekteve Prioritare Infrastrukturore, e cila për vitin 2018 (e përtashësuar) përfshinë 63 projekte për sektorin e transportit, energjisë, mjedisit dhe sektorit social, në vlerë totale prej 3.4 miliard EUR. Nuk do të thotë që të gjitha këto projekte do të implementohen në vitin 2018, sepse atëherë kjo do të përbënte mrekulli të llojit të vet, por gjithsesi që këto projekte do të implementohen ndër vite, varësisht prej poentimit sipas kritereve që marrin nga WBIF, donatorët dhe Institucionet Financiare Ndërkombëtare.

Më 18 dhjetor 2017 është mbajtur takimi i radhës së Këshillit Kombëtar për Investime për të diskutuar për Listën e ProjektevePrioritare Infrastrukturore. Lista më pas dërgohet për miratim në Qeveri dhe pastaj në Bruksel pranë Komisionit Evropian.Më pastaj, Lista do të jetë dokument kyç planifikues dhe negociues për Qeverinë, donatorët dhe Institucionet Financiare Ndërkombëtare sa u përket projekteve prioritareinfrastrukturore.

Përfundimi i projektit të furnizimit me ujë për Prishtinën dhe sistemi i ngrohjes përmes ko-gjenerimit për Prishtinën janë dy projekte kapitale që janë mbështetur nga Korniza e Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF), pra projekte që janë bashkëfinancuar nga buxheti i Kosovës, donacionet dhe Institucionet Finanaciare Ndërkombëtare. Ndërtimi i autostradës Prishtinë – Morinë dhe Prishtinë – Shkup edhe pse nuk ka kaluar përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanin Perëndimor (WBIF) dhe Procesit të Berlinit (sepse është financuar tërësisht nga buxheti vendor) janë në përputhje të plotë me politikat e inter-konektivitetit të BE-së. Edhe arritja e marrëveshjes së fundit për fillimin e ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re” do të kontribuojë në forcimin e sektorit të energjisë, si sektorin më vital për zhvillimin e ekonomik të vendit.

Se sa është e rëndësishme infrastruktura vlen të theksohet fakti që para jo më shumë se 10 vitesh, të merrje rrugë prej Prishtinës për Tiranë përbënte sfidë për secilin prej nesh. Përderisa koha e udhëtimit nga Prishtina në Tiranë zgjaste së paku 10 orë, ajo u shkurtua në vetëm 2.5 apo maksimalisht 3 orë si rezultat i ndërtimit të autostradës. Prandaj, kohëzgjatja e shkuarjes në Tiranë sot dhe në Shkup nesër do të jetë e papërfillshme. Historia na ka mësuar që zhvillimi i hovshëm ekonomik i bërthamës së Bashkimit Evropian është bërë falë rrugëve dhe hekurudhave të shumta anë e përtej BE-së. Prandaj, Kosova, si e barabartë, mes të barabartëve të rajonit, është duke ndjekur trendet e BE-së për zhvillim infrastrukturor në të gjitha dimensionet e tij.

BE me instrumentin e saj të WBIF-së dhe të plotësuar me Procesin e Berlinit spikati pikërisht vështirësitë kryesore të rajonit të Ballkanit Perëndimor, pra përmirësimin dhe modernizimin e infrastrukturës, diçka që i kishte munguar rajonit në përgjithësi e hapësirës shqiptare në veçanti. Pra, pa marrë parasysh zhvillimet e brendshme, Kosova, ashtu sikurse rajoni, është në rrugë të mirë në identifikimin dhe implementimin e projekteve që dalin nga Procesi i Berlinit. Këto projeksione do të vazhdojnë ashtu siç do të vazhdojë rrugëtimi i shteteve të rajonit drejt anëtarësimit në BE.

Institucionet e Kosovës do të përshpejtojnë dinamikat në të dhënurit përgjigje me kohë dhe brenda kritereve, obligimeve që dalin nga WBIF dhe Procesi i Berlinit, ashtu sikundër që do të jenë falënderuese për këtë ndihmë të jashtëzakonshme dhe tepër të kushtueshme që japin ekspertët e WBIF-së në dizajnimin e projekteve multi-milionëshe, të cilat do të kenë ndikim direkt në përmirësimin e jetës së qytetarëve në Kosovë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
E treta e verteta, shpallet fituesi I trete I Lojes Shperblyese se Artmotion?

Të tjera