Vetëm 42 persona me aftësi të kufizuar të punësuar në institucione: Qeveria Kurti dështon të zbatojë ligjin
Autori: Samire Jaha 10:58 | 22 October 2024
Ligji e thotë qartë, në 50 punëtorë të paktën 1 i punësuar me aftësi të kufizuar në institucionet publike. Mirëpo si duket edhe qeveria Kurti po dështon të zbatojë atë.
Gazeta Infokus ka hulumtuar duke kërkuar të dhëna në secilën ministri për numrin e të punësuarve me aftësi të kufizuara dhe vetëm 7 prej tyre kanë kthyer përgjigje duke përfshirë këtu edhe zyrën e kryeministrit.
Në këto institucione numri i të punësuarve me aftësi të kufizuara është 42, shkruan Gazeta Infokus.
Zyra e Albin Kurtit me 5 të punësuar me aftësi të kufizuara.
Në zyrën e kryeministrit, Albin Kurti, janë vetëm 5 të punësuar më aftësi të kufizuar.
Këtë për Infokus e kanë konfirmuar nga Zyra për Informim.
“Numri i nëpunësve me aftësi të kufizuar të punësuar në Zyrën e Kryeministrit është: 4 nëpunës civilë dhe 1 staf në Kabinet (këshilltar politik)”, janë përgjigjur nga zyra e kryeministrit për Infokus.
Si qëndrojnë ministritë e tjera?
Rekordin për numrin më të madh të të punësuarve me aftësi të kufizuara e mban Ministria e Drejtësisë në krye me Albulena Haxhiun, me 17 persona të punësuar.
Mirëpo pavarësisht kësaj shifre përsëri nuk kemi respektim të ligjit duke qenë se këtu përfshihen të gjitha Agjencitë që janë në kuadër të ministrisë.
Konkretisht në ministri është vetëm 1 zyrtar ku roli i tij është, Zyrtar ligjor në Divizionin për Çështje Civile në Departamentin për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar.
Në shërbimin korrektues të Kosovës janë gjithsej 10 zyrtarë:
Në shërbimin sprovues të Kosovës është 1 zyrtar i punësuar si Zyrtar për Buxhet dhe Financa në Shërbimin Sprovues të Kosovës.
Në Institutin e Mjekësisë Ligjore janë gjithsej 4 zyrtarë publik të punësuar me aftësi të kufizuara:
Në Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas është një zyrtar si zëvendës drejtor i departamentit ligjor.
Pas ministrisë së Drejtësisë, me numrin më të madh të të punësuarve me aftësi të kufizuara është Ministria e Financave Punëve dhe Transfereve në krye me Hekuran Muratin.
Kujtojmë që kjo ministri edhe e bëri thirrjen publike për të kujtuar dhe obliguar punëdhënësit që të respektojnë ligjin për punësimin e personave me aftësi të kufizuar.
Nga MFPT për Gazetën Infokus kanë treguar se janë të punësuar 10 persona me aftësi të kufizuara.
Rolet apo detyrat e tyre sipas kësaj ministrie janë si në vijim:
“Asistent Administrativ; Zyrtar Ligjor; Zyrtar i Lartë për Auditim të Brendshëm; Nëpunës i Pensioneve dhe Beneficioneve; Nëpunës i Regjistrimit; Zyrtar i Regjistrimit; Zyrtar i Arkivit; Zyrtar i Lartë për Administrimin Skemave; Udhëheqëse e Divizionit; Nëpunës i Regjistrimit”, thuhet në përgjigjen e ministrisë për Infokus.
Derisa në ministrisë tjera në të cilat Infokusi ka arritur të marrë të dhëna, rezultatet e tyre lënë për të dëshiruar.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në krye me Donika Gërvallën dhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në krye me Faton Pecin, i kanë nga 3 persona të punësuar me aftësi të veçanta.
Nga MPJD janë arsyetuar se vitin e kaluar kishin hapur një konkurs vetëm për këtë kategori por që nuk kanë pasur asnjë aplikim.
“Referuar pyetjeve të juaja, ju njoftojmë se në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës aktualisht janë të punësuar tre (3) zyrtarë me aftës të veçanta. Me qëllim të mbështetjes, dhe inkurajimit për punë, për të njëjtën kategori MPJD për herë të parë vitin e kaluar, ka hapur një konkurs specifik vetëm për personat me aftësi të veçanta, mirëpo nuk kemi pasur asnjë aplikim. MPJD si institucion mbështet dhe inkurajon punësimin e kësaj kategorie”, janë përgjigjur nga ministria e jashtme për Infokus.
Sipas ministrisë së Faton Pecit ata kanë plotësuar kuotën 1 në 50 dhe me këtë janë të kënaqur.
“Pozitat e zyrtarëve me aftësi të kufizuar në MBPZhR janë: Zyrtar Ligjor; Zyrtar për të Drejtat e Njeriut; Zyrtar i lartë për Entomologji, Fitopatologji dhe Laborator. Bazuar në numrin e të punësuarve në MBPZHR, sa i përket obligimit të përcaktuar me ligj e që çdo institucion obligohet që në 50 të punësuar një prej tyre të jetë me aftësi të kufizuar, MBPZhR-ja e ka të plotësuar kuotën për këtë kategori”, janë përgjigjur nga ministria e bujqësisë për Infokus.
Ndërsa në Miistrinë e Arsimit në krye me Arbërie Nagavcin, ndyshe nga viti i kaluar që nuk kishin asnjë të punësuar me aftësi të kufizuara këtë vit kanë punësuar 2 zyrtarë.
“Ju informojmë se në Administratën Qendrore MASHTI, aktualisht janë të punësuar 2 zyrtarë të cilët i përkasin kategorisë invalidë të luftës, të cilët bëjnë pjesë në kategorinë e personave me aftësi të kufizuar. Pozitat e tyre të punës janë: Zyrtar i lartë i prokurimit dhe Recepsionist. Me rastin e hyrjes në fuqi të Rregullores për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës do të shikohen mundësi për punësim edhe të personave tjerë të kësaj kategorie”, janë përgjigjur nga MASHTI për Infokus.
Ministria e Zhvillimit Rajonal në krye me Fikrim Damken kanë thënë për Infokus se në këtë ministri janë të punësuar dy persona me këtë kategori.
“Në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal numri i të punësuarve me aftësi të kufizuar është dy(2) zyrtar. Njeri nga zyrtaret me aftësi të kufizuar ushtron detyrën e Drejtorit të Departamentit për Planifikim dhe Koordinim të Zhvillimit Rajonal dhe zyrtari tjetër është i emëruar Zyrtar për Arkiv. Ministria e Zhvillimit Rajonal nuk ka planifikuar punësime te reja për kategorinë e nëpunësve civil me aftësi të kufizuar pasi ne si ministri bazuar në legjislacionin në fuqi këtë kriter në bazë të numrit të punësuarve e ka të plotësuar”, janë përgjigjur nga ministria për Infokus.
Ministritë që po shkelin ligjin duke mos punësuar asnjë person me aftësi të kufizuar
Në ministrinë e Nenad Rasić, të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, kanë bërë ditur se nuk kanë asnjë person të punësuar me aftësi të kufizuara.
“Në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim, nuk ka asnjë të punësuar me aftësi të veçanta. Në të gjitha procedurat e rekrutimit të shpallura nga ana e MKK-së, ashtu siç kërkohet me Ligjin për Zyrtaret Publikë, vendoset njoftimi dhe inkurajohen komuniteti jo shumicë dhe personat me aftësi të kufizuara që të aplikojnë”, i janë përgjigjur Infokusit nga kjo ministri.
Derisa janë edhe 8 ministri të tjera përfshirë këtu Ministrinë e Shëndetësisë me ministër Arben Vitinë, që as nuk janë lodhur të ofrojnë të dhëna në lidhje me numrin e të punësuarve me aftësi të kufizuara ne dikasteret e tyre.
Pavarësisht insistimit të Infokusit për të marrë një përgjigje, Ministria e Mbrojtjes; Ministria e Punëve të Brendshme; Ministria e Shëndetësisë; Ministria e Kulturës; Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal; Ministria e Infrastrukturës; Ministria e ekonomisë si dhe Ministria e Tregtisë nuk kanë ofruar të dhëna.
Mirëpo sipas të dhënave që Infokusi kishte siguruar vitin e kaluar, Ministria e Mbrojtjes kishte 38 të punësuar ndërsa Ministria e Ekonomisë nuk kishte asnjë të punësuar.
Ndryshe “LIGJI PËR AFTËSIMIN, RIAFTËSIMIN PROFESIONAL DHE PUNËSIMIN E PERSONAVE ME AFTËSI TË KUFIZUARA”, rregullon dhe përcakton të drejtat dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuar.
“Me këtë ligj rregullohen dhe përcaktohen të drejtat, kushtet, mënyrat e aftësim, riaftësim profesional dhe punësimi i personave me aftësi të kufizuara, për integrimin e tyre në tregun e hapur të punës sipas kushteve te përgjithshme dhe të veçanta të përcaktuara në legjislacionin e aplikueshëm”.
Gazeta Infokus ka pyetur edhe Inspektorati Qendror të Punës se a është duke ndërmarrë diçka dhe a është duke i monitoruar institucionet për të parë nëse po respektojnë ligjin për punësim të personave me aftësi të kufizuar mirëpo të njëjtit kanë kthyer një përgjigje të shkurtër.
Ata kanë thënë se në vazhdimësi mbikqyrin këtë proces dhe se në rastet kur ka shkelje ndërmarrin masa.
Derisa nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet e tjera më të detajuara.
“Inspektorati Qendror i Punës bazuar në mandatin ligjor në vazhdimësi mbikëqyr zbatimin të Ligjit Nr.03/L-019 Për Aftësimin ,Riaftësimin Profesional dhe Punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuara dhe Ligjit Nr.05/L-078 Për ndryshimin e Ligjit Nr.03/L-019 Për Aftësimin ,Riaftësimin Profesional dhe Punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuara,si në sektorin publik njashtu edhe në atë privat. Bazuar në Planin e Punës së IQP_së për vitin 2024 një nga objektivat është mbikëqyrja e zbatimit të këtij legjislacioni tek subjektet te cilat kanë mbi 50 të punësuar. Në rastet kur konstatohet se subjekti nuk ka përmbushur obligimin ligjor, IQP ndërmerr masat e parapara ligjore”, janë përgjigjur nga Inspektorati për Infokus duke mos dhënë detaje në pyetjet që janë bërë nga redaksia.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në vendet në zhvillim si Kosova, janë 7 deri në 10 për qind persona me aftësi të kufizuara. Të gjitha institucionet publike e private, ligji i obligon që çdo të 50-tin të punësuar ta kenë të paktën një person me aftësi të kufizuara. /Gazeta Infokus/
Të tjera
-
“TikTok” mbyllet për një vit në Shqipëri, “The Guardian” jehonë vendimit të qeverisë
Qeveria e Shqipërisë bëri të ditur një ditë më parë se ka vendosur që të ...
-
Rrihen katër persona mes vete, njëri prej tyre e sulmon policin që intervenoi
Katër persona janë përfshirë në një rrahje në Ferizaj. Gjatë intervenimit ...
-
Dyshohet se e sulmoi fizikisht gruan, burri lirohet në procedurë të rregullt
Një grua në Prishtinë dyshohet se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i ...
-
Shtiu me ạrmë e më pas e gjuạjti atë, i dyshuari dërgohet në mbajtje
Një person është arrestuar dje në Veternjk pasi dyshohet se ka shtënë me armë...
-
Fluks i lartë në pikat kufitare – kolona të gjata tek Dheu i Bardhë
Situata në pikat kufitare të Kosovës duke e stërngaruar si rezultat i ardhjes...
-
Starlink në Kosovë, Kurti: Hap i rëndësishëm në avancimin e infrastrukturës digjitale
Kryeministri Albin Kurti ka përshëndetur fillimin e shërbimeve të Starlink në...
-
Aksident i rëndë në magjistralen Prishtinë – Ferizaj
Një aksident ka ndodhur mesnatës e së shtunës në magjistralen Prishtinë – Fer...
-
Parashikimi i motit për të dielën
Për të dielën parashikohet të mbajë mot me diell. Acar i fortë në orët e mëng...
-
CNN: Arabia Saudite e paralajmëroi disa herë Gjermaninë për të dyshuarin për sụlmin e mbrëmshëm
Arabia Saudite u dërgoi disa herë paralajmërime autoriteteve gjermane për të...
-
Shtatë të lënduar në një aksident te Dheu i Bardhë
Shtatë persona janë lënduar si pasojë e një aksident që ka ndodhur te Dheu i ...
-
Starlink-u funksional tani edhe në Kosovë – Çfarë do të thotë kjo dhe si funksionon
Miliarderi amerikan Elon Musk njoftoi të shtunën vonë se rrjeti i tij privat ...
-
Starlinku në Kosovë, Osmani: Mirësevjen në Kosovë
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani i ka uruar mirëseardhje në Kosovë kompanis...