Vërtetë janë kaq fetarë shqiptarët?
Autori: Gazeta inFokus 11:18 | 04 September 2017
Shkruan: Ilir Yzeiri
Bogdani tregon një rast: gjatë një ditë të një feste fetare katolike, prifti nuk kishte ardhur të hapte kishën, kishte munguar. Besimtarët, të lodhur e të mërzitur me këtë prift të papërgjegjshëm, atë ditë, shkuan në xhaminë e lagjes tjetër dhe u konvertuan të gjithë në myslimanë. Kjo është ngjarja.
Është një ndërmarrje e lodhshme që të nisësh e të shpjegosh sot se si shumë shqiptarë në Kosovë dhe në Shqipëri gjithashtu, kanë zgjedhur të jenë myslimanë fanatikë dhe të konvertohen në një entitet që i shuan shenjat kombëtare dhe, në këtë rast, që e shpall heroin tonë kombëtar, Gjergjin, si një armik, si një të pafé. Personalisht nuk emocionohem nga kjo kategori shqiptarësh, ashtu siç nuk më bën përshtypje pse ka edhe shqiptarë që marrin armët e luftojnë në Siri a në Irak nën flamurin e zi të Kalifatit. Për mendimin tim, këta shqiptarë, por edhe të tjerët që janë më të moderuar apo të tjerë akoma që e ndiejnë veten të krishterë, nuk kanë lidhje me fenë si institucion besimi.
Shqiptarët e sotëm, qoftë ata që jetojnë në Shqipëri, qoftë ata që jetojnë në Kosovë apo në Maqedoni e vise të tjera, kanë në zemër e në mendje një Zot tjetër. Kjo Perëndi e tyrja është egoizmi dhe unicentrizmi. Shqiptarët kanë vetëm një kult dhe ky kult duam apo nuk duam ne është paraja dhe emigracioni.
Gjithë të tjerat vijnë më pas. Sot gjithë të huajt që vijnë në Shqipëri mahniten nga liberalizmi dhe sjellja e shpenguar e shqiptarëve. Vajzat shqiptare vishen në mënyrën më të shpenguar dhe nuk janë viktimë e asnjë lloj fanatizmi. Janë viktima vetëm të pasioneve kriminale të meshkujve xhelozë ose të ndonjë primitivizmi tjetër.
Shqipëria sidomos është vendi më liberal i mundshëm me një zhvillim të paimagjinueshëm të komunikimit në rrjetet sociale, sidomos ku ti mund të shkruash e të komentosh çdo gjë dhe nuk ka asnjë institucion apo grup apo organizatë me sfond religjioz apo me ndonjë sfond tjetër që ta pengojë këtë. Në Shqipëri mund të debatohet lirshëm për çdo temë tabu dhe të gjithë kundër të gjithëve mund të thonë çfarë të duan e si të duan.
Kjo anarshi katastrofike është një shenjë lirie, por është edhe një shenjë e mungesës së kulturës. Shqiptarët po ashtu janë kampion të hedonizmit ose të qejfit apo të jetës pa kuptim. Jemi kampionë të kafeneve pa fund dhe të frekuentimit të bareve në çdo cep të vendit. Për fat të mirë në këtë vend nuk gjëllojnë ekstremizmit, sepse shqiptari nga natyra e ka të vështirë të organizohet në ideologji apo filozofi vrastare.
Ne do të mbahemi mend në historinë e shekullit që shkoi si njerëzit që dogjëm vendin për humbjen e parave. Aty te paraja dhe të ndonjë kënaqësi tjetër shqiptarët nuk falin. Kam dëshirë të përmend gjithashtu edhe një fakt tjetër që tani është harruar. E kujtojmë të gjithë besoj dekorin e mrekullueshëm që ndërtuan tifozët shqiptarë në Kampionatin e fundit Evropian. Ngjyrat e mrekullueshme kuqezi, vajzat e bukura dhe shqiptarët e bukur që mbushnin stadiumet i mrekulluan mediet evropiane. Dhe, duam apo nuk duam ne, shqiptarët, më së shumti, e ndiejnë veten kuqezi dhe për këtë shenjë një meritë të jashtëzakonshme kanë rilindësit tanë që u injektuan shqiptarëve këtë shenjë të identiteti
të tyre që është mbi të gjitha religjionet.
Pamja e besimtarëve myslimanë në Mekë me flamurin kuqezi është një tjetër dëshmi se shqiptarët nuk marrin seriozisht asnjë religjion. Në ruajtjen e këtij identiteti ka një meritë të padiskutueshme edhe diktatura komuniste.
Projekti komunist, megjithëse i vuri një yll të kuq shenjës kuq e zi për interesa të borgjezisë komuniste, e kultivoi frymën romantike të shqiptarit që mbështillet më së pari me flamurin kuqezi.
E di që shumë kolegë të mi apo dhe një pjesë e opinionit priren nga vështrimi cinik për t’i paraqitur shqiptarët edhe si fundamentalistë, edhe si kriminelë edhe me njëmijë e një të zeza. Personalisht nuk prirem nga një vështrim i tillë, sepse nga faktet e deritanishme nuk gjej asnjë shenjë që të përligjë këtë cinizëm.
Nëse ka një apo disa imamë idiotë që fyejnë Skënderbeun dhe që fyejnë femrat që lahen në det, kjo më bën për të qeshur, sepse është retorikë e një kategorie njerëzish që në hapësirën e pafundme të lirisë e të kakofonisë sociale, kanë zgjedhur të identifikohen me ligjërimin e një grupi që atyre u duket interesant. Mirëpo, si shqiptarë laikë që kanë qenë para se të bëheshin fanatikë, ata kënaqen më shumë me retorikën dhe u duket se duke u shprehur e kanë realizuar edhe idenë e tyre. Vetëm kaq se në hapësirën shqiptare nuk mund të shkosh përtej luftës me fjalë apo broçkullave tingullore.
Më në fund do të doja të përmendja një gjë tjetër. Mua nuk më dëshpërojnë imamët që shajnë Skënderbeun apo që mallkojnë çikat tonë pse lahen “n’deti”. Mua më trishton Baftjari, ky vallëzim turbo-folk që po bëhet emblema e kulturës sonë pop, pra emblema e shpirtrave të zbrazur shqiptarë që duket sikur jetojnë në ekstazë dhe zbavitjen e kanë shndërruar vetëm në klithma me dy-tri masa muzikore “Baftjari-Baftjari”…
Kur dëgjoj këtë hit të kënduar nëpër ahengjet shqiptare trishtohem më shumë sesa kur dëgjoj imamët që shajnë Skënderbeun. Nga ata imamë di si të mbrohem, por nga “Baftjari” jo!
Të tjera
-
Enver Hoxhaj nderohet me titullin “Doctor Honoris Causa” në Tiranë
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj është nderuar me titullin “Do...
-
AAK: Kurti ka ndikuar në zgjedhjen e bordeve të Kompanive Rajonale të Ujësjellësit
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, përkatësisht Departamenti për Ujë dhe Polit...
-
Olaf Scholz edhe zyrtarisht kandidat i SPD-së për kancelar të Gjermanisë
Partia Socialdemokrate SPD ka vendosur edhe zyrtarisht që kancelari i tanishë...
-
Aktivizohet shërbimi i verifikimit të diplomës nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut në e-Kosova
Është aktivizuar shërbimi i verifikimit të diplomës në platformën e-Kosova, p...
-
Pamje nga përlẹshja, bëhen “llom” deputetët në Kuvendin e Serbisë
Debati i deputetëve të Kuvendit të Serbisë për Propozimin e Buxhetit për viti...
-
Gjermania “lodhet” nga ukrainasit/ Nëse fitojnë zgjedhjet, konservatorët do shkurtojnë ndihmat për 1.2 milionë refugjatë
Nëse partitë konservatore CDU-CSU, fitojnë zgjedhjet e shkurtit 2025, ato mun...
-
Peci dorëzohet para presionit publik: Anulon grantet për këshilltarin e tij dhe vëllaun e Fitore Pacollit
Faton Peci, ministër i Bujqësisë i ka “rënë pishman” për grantet që i dha kës...
-
Ekspertët tregojnë se çfarë mund të ndodhë, nëse SHBA nën Trump krijon një “rezervë kombëtare me bitcoin”
Ardhja e Donald Trump si “presidenti i parë i kriptove” ka trazuar industrinë...
-
Kurti pret në takim kryeparlamentarin e Maqedonisë së Veriut
Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot në takim kryetarin e Kuvendit të Maqed...
-
Krasniqi: Arrestimi i veteranëve në Maqedoninë e Veriut, i papranueshëm
Kreu i PDK-së Memli Krasniqi i ka shprehur shqetësimin kryetarit të Kuvendit ...
-
Lushtaku iu shkon për vizitë ish-krerëve të UÇK-së: Do të kthehen në mesin e popullit, drejtësia triumfon
Deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku sot ka vizituar ish-krerët e UÇK-së, Hashi...
-
Tahiri: Të shpërfaqet qeverisja e dështuar e Kurtit
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Besnik Tahiri...