Lajme

Vdes në moshën 31-vjeçare kornisti i Filharmonisë së Kosovës, Bledar Bujupi

Autori: Gazeta inFokus 12:04 | 23 August 2022

Të hënën ka vdekur kornisti në Filharmoninë e Kosovës, Bledar Bujupi.

Këtë e ka bërë të ditur sot, Filharmonia e Kosovës përmes një njoftimi për media.

Sipas njoftimit, Bujupi ishte edhe anëtar i Orkestrës Frymore të FSK-së.

-Advertisement-

“Me pikëllim të thellë ju njoftojmë se dje, më 22 gusht 2022, papritmas ka ndërruar jetë kornisti i Filharmonisë së Kosovës, Bledar Bujupi. I lindur më 05.11.1990, Bujupi ishte kornist i parë i Orkestrës. Shkollimin e mesëm e kreu në Prishtinë (Klasa: B. Gashi) ndërsa atë universitar në Fakultetin e Arteve – Dega e Artit Muzikor në Universitetin e Prishtinës (Klasa: A. Goshev dhe A. Canaj). Ka punuar edhe me instrumentistë të njohur ndërkombëtar si: Guido Curti (Itali), Gregory Jones (SHBA), Premysl Vojta (Çeki) etj. Që nga viti 2012 ishte anëtar i Filharmonisë së Kosovës. Krahas aktivitetit me orkestrën filharmonike, Bujupi ishte edhe anëtar i Orkestrës Frymore të FSK-së dhe anëtar i kuintetit të tunxhit ‘Prishtina Brass’. Ka realizuar koncerte recitale dhe ishte pjesëmarrës në formacione orkestrale si ‘Albanian Youth Orchestra’ dhe ‘Kosovo Youth Orchestra’”, thuhet në njoftim.

Nga Filharmonia kanë bërë të ditur se me kohë do të njoftojnë rreth mbledhjes komemorative në nderim të kornistit Bledar Bujupi.

“Ndarja e parakohshme e kolegut Bledar Bujupi është humbje e madhe, jo vetëm për Filharmoninë e Kosovës por edhe për skenën e muzikës klasike në vend. Për detaje rreth mbledhjes komemorative në nderim të kornistit Bledar Bujupi, do të njoftoheni me kohë”, thuhet më tej në njoftim.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Gjermani shpalos koleksionin e produkteve të reja në panairin Heimtextil në Frankfurt

Të tjera