Lajme

Vazhdimi i seancës konstituive – a do të marrin pjesë ish-partitë opozitare?

Autori: Gazeta inFokus 18:27 | 04 September 2026

Kryesuesi i seancës konstitutive, Avni Dehari, ka thirrur zyrtarisht vazhdimin e seancës për të mërkurën, 9 shtator, në orën 11:00.

Për të marrë qëndrimet e partive politike shqiptare nëse do të marrin pjesë në këtë seancë, Klankosova.tv ka kontaktuar me deputetë të PDK-së dhe LDK-së.

Megjithatë, asnjëri nga të kontaktuarit nuk dhanë qëndrim të qartë nëse do të marrin pjesë – duke theksuar se vendimi do të merret në kryesitë e partive përkatëse.

-Advertisement-

Ndërkaq, edhe kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, në një konferencë për media, tha se vendimi për pjesëmarrje ose jo në seancën konstituive do të merret në mbledhjen e Kryesisë.

“Nuk kemi marrë vendim. Shumë shpejt, të martën e kemi mbledhjen e rregullt të kryesisë, nëse është nevoja, mblidhemi edhe më herët, dhe do të marrim vendim se çka do të bëhet më tutje”, u shpreh Gjini.

Seanca konstituive e nisur me 6 gusht të këtij viti u pezullua në mbledhjen e parë të legjislativit pasi kryeministri në detyrë, Albin Kurti refuzoi të propozojë kandidat për kryeparlamentar duke kërkuar kohë shtesë nga kryesuesi i seancës për vazhdimin e negociatave me partitë politike për çështjen e presidentit.

Kurti ishte arsyetuar se pa marrëveshje politike mes partive, Kosova do të shkonte sërish në zgjedhje për shkak të çështjes së presidentit të ri.

Thirrjeve të Kurtit për bisedime, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza dhe kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, iu përgjigjën negativisht, duke i bërë të qarta qëndrimet e tyre politike se do të qëndrojnë në opozitë.

Kuvendi u mblodh sërish vetëm dy ditë më pas (më 8 gusht), dhe gjithçka shkoi pak a shumë sikurse në seancën e parë. Lideri i LVV-së, Albin Kurti përsëri kërkoi kohë nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari për vazhdimin e bisedimeve, duke përsëritur sërish qëndrimin e tij se pa marrëveshje politike Kosova do t’i drejtohet sërish kutive të votimit.

Pas përfundimit të fjalimit të tij, ishte deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, e cila e gjuajti me vezë Kurtin, veprim ky që detyroi kryesuesin Dehari të ndërpriste punimet e seancës.

Në ndërkohë, partitë opozitare gjatë kësaj kohe patën kritika për moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës sipas afatit kushtetues, i cili siç argumentuan, është 30 ditë pas certifikimit të rezultateve zgjedhore nga KQZ (8 korrik).

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza e kishte cilësuar vazhdimin e seancës konstituive të 8 gushtit si cenim të demokracisë dhe Kushtetutës.

Nga 8 gushti, vazhdimi i seancës konstituive nuk u thirr më nga kryesuesi Avni Dehari, kurse PDK dhe Aleanca gjatë kësaj periudhe kërkuan thirrjen e seancës, duke ndërmarrë edhe aksione politike brenda e jashtë Kuvendit.

Vazhdimin e bisedimeve, Kurti e bëri vetëm me liderin e LDK-së, Lumir Abdixhiku me të cilin pas shumë përpjekjesh, arritën dakordim për emrin e Bekim Sejdiut si kandidat konsensual për president të Kosovës.

Megjithatë, kjo marrëveshje ngeci pasi 6 deputetë të LDK-së dolën me qëndrimin se nuk do të përkrahin kandidaturën e Bekim Sejdiut për president

Udhëto Oslo – Prishtinë çdo javë me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy