Lajme

Mercedes ndal investimet e mëtejshme në Gjermani, shqyrton edhe mbylljen e fabrikave

Autori: Gazeta inFokus 20:28 | 12 November 2026

Mercedes-Benz ka vendosur të ndalë investimet e mëtejshme në njësitë e saj në Gjermani dhe po shqyrton mundësinë e mbylljes së fabrikave. Vendimi vjen pas muajsh negociatash pa marrëveshje me përfaqësuesit e punëtorëve për uljen e kostove.

Sipas raportimeve të mediave gjermane Handelsblatt dhe SWR, drejtuesit e kompanisë e kanë bërë të ditur vendimin përmes një interviste të publikuar në rrjetin e brendshëm të ndërmarrjes, transmeton Gazeta Infokus.

Drejtori përgjegjës për prodhimin, Michael Schiebe, ka shpjeguar se struktura aktuale e kostove dhe mungesa e një marrëveshjeje e kanë shtyrë bordin të ndërpresë investimet e mëtejshme në lokacionet gjermane.

-Advertisement-

Ndërkaq, anëtarja e bordit përgjegjëse për personelin, Britta Seeger, ka deklaruar se kompania dëshiron t’i shmangë mbylljet, por tani duhet të shqyrtojë konkretisht cilat njësi mund t’i përballojë financiarisht.

Shqyrtimi i kësaj mundësie nuk përbën vendim përfundimtar për mbylljen e fabrikave.

Në qendër të përplasjes janë kostot e punës. Sipas Handelsblatt, menaxhmenti kërkon që punonjësit të punojnë më gjatë për të njëjtën pagë, ndërsa sindikata IG Metall kundërshton shkurtimet e propozuara.

Presioni financiar dhe masat e mëparshme

Vendimi pason një periudhë masash për uljen e shpenzimeve. Në rezultatet financiare të publikuara më 28 tetor, Mercedes-Benz njoftoi se investimet dhe shpenzimet për kërkim e zhvillim në divizionin e veturave kishin rënë së bashku me 11 për qind gjatë nëntë muajve të parë të vitit.

Kompania uli gjithashtu pritjet për marzhin e rregulluar të fitimit nga shitjet e këtij divizioni në 2–3 për qind, nga 3–5 për qind që parashikonte më herët. Si arsye përmendi kushtet më të vështira në tregun kinez dhe kostot më të larta të pritshme për tremujorin e fundit.

Nga dhjetori, Mercedes parashikon të rihapë në Gjermani edhe programin e largimit vullnetar me kompensim për funksionet mbështetëse./Gazeta Infokus

Udhëto Oslo – Prishtinë çdo javë me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy