Sport

U mbajt seminari gjithë-përfshirës për lehtësimin e qasjes së personave me nevoja të veçanta në stadiume

Autori: Gazeta inFokus 11:01 | 14 April 2018

Në vazhdën e organizimit të shumë aktivitete në bashkëpunim me UEFA-n, sot, Federata e Futbollit e Kosovës ka mbajtur seminarin gjithëpërfshirës  me shoqatat që përfaqësojnë personat me nevoja të veçanta, si dhe me përfaqësuesit e klubeve të Vala Superligës, shkruan infokusi.

Ky seminar u organizua nga FFK në bashkëpunim me Qendrën Evropiane për Qasje në Futboll – CAFE, e ku ishin të pranishëm drejtori i HANDIKOS-it, Afrim Maliqi, përfaqësuesja e shoqatës Down Syndrome Kosova, si dhe përfaqësuesit e pesë klubeve (Prishtinës, Gjilanit, Lirisë, Llapit dhe Dritës), derisa përfaqësuesit e klubeve tjera ndonëse të ftuar nuk morën pjesë.

LEXO EDHE: Kosova U16 pëson humbje pasi Ishujt Faroe shkelin rregullat e turneut

-Advertisement-

Fillimisht të pranishmit i përshëndeti sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, i cili theksoi se sa thelbësore është që të kuptohet rëndësia e qasjes së personave me nevoja të veçanta në ambientet sportive, në këtë rast në stadiumet e futbollit.

“Ky seminar është tejet i rëndësishëm, pasi ne kemi nevojë të mësojmë për përvojat, praktikat dhe standardet  e shteteve të zhvilluara sa i përket lehtësimit të qasjes për personat me nevoja të veçanta në stadiumet e futbollit. Prandaj, përveç federatës, e cila është e obliguar që në organizimin e ndeshjeve ndërkombëtare t’i plotësojë kriteret edhe në këtë segment, ftoj edhe klubet që të fillojnë të mendojnë që dalëngadalë të fillojnë të krijojnë qasjen në hapësirat e nevojshme për njerëzit me nevoja të veçanta”, ka theksuar ndër të tjera sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu.

Në anën tjetër drejtori i HANDIKOS-it, Afrim Maliqi theksoi se ndihet mirë që FFK ka marrë një iniciativë të këtillë për organizimin e këtij seminari, pasi sipas statistikave rreth 15 përqind e popullësisë së vendit mund të jenë të prekur nga çfardo kufizimi.

“Edhe ne sikur qytetarët tjetër do të donim që të lëviznim lirshëm si dhe të jemi pjesë e çdo ngjarje që organizohet në vend, qoftë sportive apo evente tjera”, ka theksuar Maliqi.  Ndërkohë, më pas para të pranishmëve në dy etapa ka ligjëruar Jochen Kemmer, përfaqësues nga CAFE, i cili ka treguar përvojat e tij në shumë shtete sa i përket qasjes në stadiume për personat me nevoja të veçanta, por edhe standardet që duhet plotësuar, në mënyrë që të gjithë njerëzit të ndihen të barabartë, që është edhe qëllim i UEFA-s.

Në këtë drejtim ai ka thënë se bashkëpunimi i FFK-së dhe klubeve me organizatat joqeveritare që merren me përkrahjen e personave ne nevoja të veçanta është shumë i rëndësishëm dhe ndihmon në tejkalimin e barrierave për këtë komunitet. Kemmer gjatë ligjërimit ka përmendur edhe barrierat e shumta që ballafaqohen personat me nevoja të veçanta në stadiume, e të cilat në të ardhmen duhet të mënjanohen, si dhe ka folur edhe për mënyrën se si duhet qasur personave të tillë dhe terminologjinë që duhet përdorur, në mënyrë që ata të ndihen të barabartë me të tjerët. Po ashtu, ka treguar se çfarë duhet të ndërmarrin klubet përbrenda që të fuqizojnë personat me nevoja të veçanta.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
BKT Kosova synon të rrisë ndërgjegjësimin lidhur me çrregullimet e spektrit të autizmit në Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin
-Advertisement-

Të tjera