Fokus

“Triumfi u përcoll nga grupi Sekiraqa edhe tri ditë para vrạsjes” – Gjykata publikon aktgjykimin e plotë kundër Enver Sekiraqës

Autori: Sylejman Sylejmani 14:34 | 12 August 2024

Në asnjë pikë të aktgjykimit 156 faqësh, trupi gjykues nuk ka treguar për arsyet që e shtyen kryetarin e trupit gjykues, Agim Kuçi, që ta linte në liri Enver Sekiraqën, pasi e dënoi atë me 25 vite burgim, për vrasjen e policit të njësive speciale, Triumf Riza.

Kuçi kishte marrë vendim që Sekiraqa të qëndronte në liri, derisa aktgjykimi ndaj tij ta merrte formën e prerë.

Rreth dy javë më pas, Gjykata e Apelit e rrëzoi këtë vendim të Themelores së Prishtinës, mirëpo tashmë ishte vonë. Sekiraqa i kishte shfrytëzuar ditët e lirisë që të arratisej.

-Advertisement-

Në aktgjykimin e plotë, Gjykata ka treguar se incidentet mes tashmë të ndjerit Triumf Riza dhe të akuzuarit për nxitjen e vrasjes së tij, Enver Sekiraqa, kishin datuar nga viti 2000-2001, kur Sekiraqa e kishte kërcënuar Rizën me një granatë dore, si dhe kishte vazhduar ta përcjelljte në mënyrë të vazhdueshme.

 

 

Konflikti, sipas Gjykatës kishte marrë hov, kur Triumf Riza e morri në mbrojtje këngëtaren Adelina Ismaili, e cila sipas aktgjykimit, po shantazhohej e kërcënohej nga Sekiraqa.

“Gjykata ka vërtetuar faktin se, E.S (Enver Sekiraqa) kishte raporte të afërta me dëshmitarën A.I (Adelina Ismaili) dhe se atë periudhë dëshmitarja ishte e shqetësuar dhe e pa lumtur dhe se shkëputja e saj përfundimtare kishte ardhur për shkak të T.R (Triumf Riza), fakt që vërtetohet nga dëshmitë e dëshmitarëve, Sh.Q, Z.I (Zanfina Ismaili). Ky fakt tani rrit rivalitetin e të akuzuarit ndaj të ndjerit me ç’ rast edhe konflikti ashpërsohet”, theksohet në një pjesë të aktgjykimit, ku tregohet për lidhshmërinë e provave që qojnë në faktin se i akuzuari e ka shtytur Arben Berishën që ta kryej këtë vrasje.

“Gjykata ka vërtetuar se pas lidhjes së T. (Triumf Riza) me A (Adelina), E.S (Enver Sekiraqa)) me njerëz të grupit të tij e shumicën e rasteve me Rr.A (Rr) (Rrahim Avdullahu) dhe I.A (L) (Ilir Abdullahu) e kishin përcjellë e përndjekur T, në shumë raste e disa nga këto që citohen e identifikohen ishin një rast në rrugës për në Veterrnik kur T (Triumfi), ishte me familjarët e tij, rasti tek lagja Qafa dhe rasti tek lagja Tasligje ku ishte përcjellë i njëjti deri sa ishte bashkë me tani dëshmitaren A (Adelina). Më tej të njëjtit ishte djegur vetura e tipit “Land Rover” dhe të gjitha këto vinin nga E.S (Enver Sekiraqa) dhe njerëz të tij, fakt që vërtetohet nga dëshmitë e dëshmitarëve Sh.R, V.R, A.I, Sh.Q, B.Sh por edhe paraqitja e rasteve në organet e rendit”, theksohet më tej në aktgjykimin e plotë.

Pas këtyre incidenteve, kishte pasuar rasti i “Sëiss Cazinos”, ku pas një përleshje me “Grupin Sekiraqa”, kishte mbetur i plagosur rëndë Arben Selmani, ish-polic i Kosovës, shok i Triumf Rizës.

Nga ky moment, e deri në ditën e vrasjes, sipas aktgjymit, Riza ishte nën përcjellje të grupit të Sekiraqës.

Madje, theksohet se dy javë para vrasjes ishte organizuar një atentat kundër Triumf Rizës, në fshatin Stagovë.

“Nën kërkesën e E.S (Enver Sekiraqa), ishte organizuar atentat ndaj tani të ndjerit, ku në fshatin Stagovë, i ishte organizuar pritë duke u munduar të ja rrokullisin veturën të cilën ai e ngiste me qëllim që të njëjtin ta privojnë nga jeta, me ç’ rast konstatohet se E.S (Enver Sekiraqa) kishte vendosur tani ta privoj nga jeta T.R (Triumf Rizën)”, thuhet në aktgjykim.

Aty theksohet se Triumfi ishte në përcjellje të grupit të Sekiraqës edhe tri ditë para vrasjes.

“Tri ditë pas përcjelljes së konfirmuar, me datën 30 gusht 2007 ishte organizuar në detale vrasja e T.R (Triumf Riza) ku njerëzit e afërm të E.S (Enver Sekiraqa) të cilët ishin prapa gjatë çdo përcjellje e kërcënimi ndaj T (Triumfit), e që ishin Rr.A (R) (Rrahim Abdullahu) , I.A (L) (Ilir Abdullahu), ishin takuar me tani dorasin A.B (Arben Berisha) , po ashtu person i afërm dhe punëtorë i E.S (Evner Sekiraqa), ku ishin takuar në kafe “bar S” (Bar Sekiraqa) dhe pasi që E.S (Enver Sekiraqa) i kishte ftuar në takim të lartcekurit, me dashje që përfundimisht ta privonte nga jeta tani të ndjerin T.R (Triumf Riza) për motive të ulëta e hakmarrje të pa skrupullt, nën ndikimin e tij e kishte shtytur A.B (Arben Berishën) ta privonte nga jeta tani të ndjerin, e ku A.B kishte dalur nga Kafe “-” i armatosur i shoqëruar me Rr.A, I.A, të cilët kishin lënë pastaj në një kafene afër kafenesë “” ku pasi që paraprakisht T (Triumfi), ishte përcjellë, A.B (Arben Berisha) e kishte pritur rreth një orë e dyzet minuta të ndjerin, me ç’ rast në mënyrë tinxare nga prapa kishte shtënë në të njëmbëdhjetë herë në tri rafalë, duke e godit me dy predha në shpinë dhe një predhë në kofshën e djathtë, me armën e tij të tipit “Glock” të kalibrit 9×19, duke quar kështu përfundimisht në arritjen e qëllimit nga E.S (Enver Sekiraqa), e që ishte privimi nga jeta i T.R (Triumf Riza), për motive të tij hakmarrëse”, thuhet në aktgjykim.

Më 3 maj 2024 pas shpalljes së dënimit me 25 vjet burgim për Sekiraqën për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza, gjykatësi Agim Kuçi mori aktvendim që t’ia ndërpres masën e arrestit shtëpiak dhe të mbrohet në liri.

Ndërsa, Gjykata e Apelit, më 17 maj 2024 pas ankesës së Prokurorisë Speciale ndaj atij vendimi, ka vendosur që Sekiraqën ta kthejë në paraburgim derisa aktgjykimi të marrë formë të prerë. Por, një ditë pas këtij vendimi, Policia ka njoftuar se nuk e ka gjetur Sekiraqën në shtëpi, për ta shoqëruar në paraburgim dhe deri tani i njëjti nuk është arrestuar.

Për këtë rast, gjykatësi Agim Kuçi ishte suspenduar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës. /Gazeta Infokus

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Rakinica e Skenderajt bëhet me rrjet të ri elektrik
-Advertisement-

Të tjera