Sport

Transfere me bollëk

Autori: Gazeta inFokus 14:08 | 08 January 2018

Muaji janar duket se do të jetë mjaft i bereqetshëm sa i përket transferimit të lojtarëve, shkruan sot gazeta Zëri.

Klubet e Superligës kanë shpërthyer me të filluar viti 2018. Mbi të gjitha tri ditët e fundit ishin mjaft voluminoze për klubet e këtushme.

Flamurtari bën tri “goditje”

-Advertisement-

Flamurtari duket se është zgjuar nga gjumi. Kuqezinjtë kanë bërë tri përforcime këto ditë. Në fakt, klubi prishtinas e ka rikthyer veteranin e mesfushës Azem Ahmeti, i cili viteve të fundit ka luajtur me ekipet si Prishtina, Hajvalia dhe së fundmi Gjilani, kurse në gjashtë muajt e fundit ishte pa klub. Ndërkohë, flamurtarët i kanë transferuar edhe dy futbollistët e Vllaznisë së Pozheranit, Albert Kaqiku dhe Rron Statovci.

Morina lë Vëllaznimin për Feronikelin

Albutrint Morina i ka dhënë fund eksperiencës me Vëllaznimin, duke iu bashkuar trajnerit Ismet Munishi tek Feronikeli. “Prej sot jam pjesë e Feronikelit. Dua ta falënderoj përzemërsisht qytetin, klubin Vëllaznimi, tifozët ‘Kuqezinjtë e Jakovës’, kryesinë e klubit dhe të gjithë bashkëlojtarët e mi për bashkëpunimin. Pas 10 vjetësh më duhet ta filloj një aventurë të re në një klub tjetër. Ka qenë privilegj i jashtëzakonshëm ta vesh këtë fanellë. Vëllaznimit i dëshiroj shumë suksese në të ardhmen”, ka shkruar kapiteni i deritashëm i gjakovarëve.

Karabeg në Gjilan

Gjilani ka nisur të mendojë për përforcime. “Skifterat” e kanë bërë përforcimin e parë, duke e sjellë në skuadër mesfushorin e deritashëm të Vllaznisë së Pozheranit, Fuad Karabeg. Gjilanasit paralajmërojnë edhe përforcime tjera gjatë janarit.

Merlaku, te Llapi

As Llapi nuk po rri duarkryq në këtë aspekt. Kampioni vjeshtor i Kosovës e ka zyrtarizuar futbollistin Altin Merlaku, me të cilin kishte arritur marrëveshje më herët. Merlaku transferohet në ekipin e Tahir Batatinës nga Besa, për të cilën thotë se i ka mbetur borxh disa rroga. Gjithashtu Bardhekaltërve shumë shpejt do t’u bashkohet edhe sulmuesi brazilian Jansen Da Silva Alandson, i cili do të provohet në Podujevë.

Haxhaj ndahet me Drenicën

Adnan Haxhaj nuk është më futbollist i Drenicës. Qendërmbrojtësi kosovar ka njoftuar se i ka ndarë rrugët me klubin Kuqezi. “Falënderoj klubin e Drenicës për bashkëpunimin. Falënderoj edhe bashkëlojtarët dhe tifozët ‘Shqiponjat e Zeza’. Nga sot nuk jam më pjesë e Drenicës. I uroj suksese klubit në qëllimet e veta”, ka shkruar ish-futbollisti i Prishtinës. Nga Drenica ditë më parë u largua edhe sulmuesi i rrezikshëm Enis Zabërgja, i cili nuk e gjeti veten tek Kuqezinjtë.

Në ditët në vijim pritet të zgjohen nga gjumi edhe skuadrat tjera, edhe pse një pjesë e tyre, si Besa, Vëllaznimi e Vllaznia, janë në krizë të thellë financiare.

Gjithsesi, pjesa pranverore e kampionatit pritet të jetë mjaft e nxehtë. /Zëri/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
BKT Kosova vlerësohet për herë të katërt "Banka e Vitit 2024 në Kosovë" nga The Banker
-Advertisement-

Të tjera