Fokus

Tenderi 15 milionësh: Pas 2 vitesh skandale e dallavere, këto janë 10 kompanitë që po synojnë ndërtimin e stadiumit të Gjilanit

Autori: Gazeta inFokus 19:39 | 03 December 2024

Dhjetë kompani i janë futur garës për për tenderin 15 milionësh për ndërtimin e stadiumit të Gjilanit.

Kjo po ndodhë pasi projektin e ka marrë në dorë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, pas dështimeve të njëpasnjëshme të komunës së Gjilanit, që udhëhiqet nga Alban Hyseni.

Prej dy vitesh, Organi Shqyrtues i Prokurimit nuk ka gjetur qetësi nga ankesat në lidhje me këtë tender milionësh, prandaj procedurat kanë nisur edhe njëher.

-Advertisement-

Dyshime për keqpërdorime ku tenderi për disa herë iu dha një operatori më të shtrenjtë ra edhe në radarin e krimeve ekonomike të cilat siç kishte raportuar Gazeta Infokus, kishin nisur hetimet në shtator të këtij viti.

Sipas dosjes së prokurimit duket se kësaj here nuk ka aplikuar asnjë nga kompanitë e mëhershme, të cilat synonin ta merrnin këtë tender sa ishte nën kompetencat e komunës së Gjilanit, shkruan Gazeta Infokus.

Vlera e tenderit nga ana e ofertuesit, Ministrisë, vazhdon të jetë e njejtë derisa kompanitë garuese kanë ofruar edhe cmime më të lira.

Këto janë dhjetë konsorciumet që i kanë hyrë garës për ndërtimin e stadiumit të Gjilanit:

Grupi i kompanive: “Aktiv Residence shpk” & “Aktiv” shpk nga Drenasi – vlera e ofertës: 14,733,566.03 euro

Grupi i kompanive: “Tehnoburimi DD” & “Euro-Besi” shpk nga Mitrovica – vlera e ofertës: 14,606,109.05 euro

Grupi i kompanive: “Pe-Vla-Ku” shpk – Dega në Kosovë nga Prishtina – vlera e ofertës: 14,245,178.00 euro

Grupi i kompanive: “Alba Group shpk”, “NNP ATC COM” shpk & “Dajting shpk” – vlera e ofertës: 13,793,752.00 euro

Kompania “Raf II shpk” – vlera e ofertës: 14,993,636.61 euro

Grupi i operatorëve: “Pepa Group”, “Conex LLC” & “Agri Construction” shpk nga Tirana – vlera e ofertës: 12,282,015.00 euro

Kompania “Ada Consulting Group” shpk – vlera e ofertës: 14,438,808.10 euro

Kompania “BM Group shpk” nga Prishtina – vlera e ofertës: 12,782,110.00 euro

Grupi i kompanive: “Everest shpk” & “Ed Konstruksion shpk” nga Shqipëria – vlera e ofertës: 13,472,612.42 euro

Kompania “Ada Rei Group shpk” – vlera e ofertës: 14,822,879.28 euro

Konsorciumi  që ka ofruar çmimin më të lirë janë tre kompani nga Shqipëria, shkruan Gazeta Infokus.

“Pepa Group”, “Conex LLC” & “Agri Construction” shpk, kanë ofertuar që këtë projekt mund ta përfundojnë me një çmim prej 12,282,015.00 euro.

Pse krimet ekonomike nisën hetimet?

Eksperti i Organit Shqyrtues të Prokurimit kishte kërkuar që tenderi të anulohej plotësisht.

Kjo për shkak se në ekspertizën e siguruar nga Gazeta Infokus, ishte theksuar fakti që tenderi iu dha një grupi të operatorëve që ofertuan me çmimin më të shtrenjtë.

“Sqarojmë se oferta ankuese ka një çmim më të lirë në total në raport me ofertën e rekomanduar për kontratë prej 1.723.088€”, theksohet në raport.

Gazeta Infokus ka raportuar në vazhdimësi për parregullësitë në lidhje me tenderin për renovimin e stadiumit të Gjilanit.

Komuna e Gjilanit në krye me Alban Hysenin me 31 maj i ka dhënë tenderin për renovimin e stadiumit të Gjilanit grupit të operatorëve ekonomikë që ofruan ofertën më të shtrenjtë.

Kjo sipas dokumentit që ka siguruar Gazeta Infokus me të cilin Komuna i është drejtuar konzorciumit me letrën standarde për tenderuesin e suksesshëm.

Hyseni i dha këtë tender konzorciumit “Demiri Cartenbau CmblI”, “Avag Group SH.P.K”, “Bl-Bau. SH.P.K., “Bujar Shabar”, “B.L: Kosova”, “Asfalt SH.P.K”, “K.N.T.SH. Teuta – M”, “SH. R.M. Lagerstrasse 1-1”, “6600 Lubendorf” për 14 milionë e 997 mijë euro.

Për afro 2 milionë euro më shtrenjtë se sa kishte ofertuar grupi më i lirë në listën e tre konzerciumeve.

Gazeta Infokus kishte raportuar ekskluzivisht një muaj më parë për “Procesverbalin e hapjes së tenderit” me ofertat e të tre kompanive, ku konzerciumi i lartëcekur ishte i fundit në listë me ofertën me çmimin më të lartë konkretisht.

Çmimi më i ulët që i ishte ofruar komunës ishte 13 milionë e 274 euro.

E megjithatë komuna në letrën për tenderuesin më të sukseshëm shkruan se grupi i operatorëve ekonomikë që zgjodhën kishin ofertuar çmimin më të ulët.

“Kemi kënaqesinë të ju njoftojmë se ju keni dorëzuar [tenderin me çmimin më te ulët] si përgiigje ndaj [njoftimit të kontratës] për aktivitetin e prokurimit të lartëcekur. Juve ju është dhënë kontrata me çmimin e ofertuar dhe sipas kushteve të saktësuara në tenderin tuaj dhe në pajtim me afatet dhe kushtet të cilat kanë qenë të specifikuara në Njoftimin për Kontratë dhe në dokumentet të cilat e përbëjnë dosjen e tenderit. Çmimi i cili është ofertuar 14,997.804.00 euro”, thuhet në letrën standarde për tenderuesin e sukseshëm.

Ky projekt për vite të tëra mbeti pa u nisur. E premtimin për përfundimin e stadiumit e dha edhe kryetari i Gjilanit nga Vetevëndosje, Alban Hyseni në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në krye me Hajrullah Çekun.

Çeku kishte deklaruar se kanë ndarë edhe 15 milionë euro për renovimin e stadiumit duke qenë se sipas tij me problemet e mëdha që kishte në këtë tender që nuk përfundoi asnjëherë, problemi do të vazhdonte deri në viti 2054.

Mirëpo edhe këta të fundit nuk kaluan pa probleme. Në janar të këtij viti kur edhe pritej të kryhej procedura e prokurimit tenderi për renovimin e stadiumit u pezullua.

Ky vendim u mor pas kërkesës për ri-shqyrtim të tenderit të parashtruar nga Operatori Ekonomik Bardhi Ndërtim SH.P.K. Kompani kjo nën pronësinë e biznesmenit, Bardhyl Zuka./Gazeta Infokus

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Çka do të thotë të gatuash shqip?
-Advertisement-

Të tjera