Lajme

Tahiri porosi Kurtit: Bota nuk mund të të pres t’i shërosh komplekset politike

Autori: Gazeta inFokus 17:46 | 13 February 2023

Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri po vlerëson se nuk është e mençur për Qeverinë ta luajë rolin e mendimtarit dhe shpëtimtarit, kur bëhet fjalë për dialogun dhe marrëveshjen me Serbinë.

Tahiri ka shkruar se bashkërisht duhet të reflektohet mbi tre çështje të cilat e lidhin punën e Qeverisë në raport me dialogun Kosovë – Serbi

“Me menaxhimin, që në esencë ka qenë, tash e dy vjet në keq menaxhim; transparencën që në esencë ka qenë bunkerizim, terr informativ; dhe vendimmarrjen”, ka shkruar ai në Facebook.

-Advertisement-

“Po e nisi me keq menaxhimin e dialogut – në teoritë politike një lider, një lider, një subjekt politik, një qeveri, ka të drejtë të lëvizë në kursin e vet të caktuar. Të drejtë, apo të gabuar. Por janë efektet dhe rezultatet ato që në fund vlerësohen. Fatkeqësia më e madhe është fakti që ju, për gjatë këtyre dy vite por edhe më herët e keni ndërruar kursin aq shpesh dhe keni shfaqur paqëndrueshmëri në këtë proces në emër të Kosovës. Në rastin më të mirë, i keni humbur shumë kohë Kosovës dhe partnerëve të saj në krye me ShBA-në. Në rastin tjetër e keni profilizuar lidershipin e shtetit që ju e përfaqësoni me 51% dhe pozicionimin e Kosovës si palë jo kredibile në dialog. E, jo kredibiliteti është fatura më e shtrenjtë në rrafshi ndërkombëtar, veçanërisht për temën që po flasim”, ka shkruar Tahiri.

Tutje ai ka shkruar se bota nuk mund ta pres Kurtin e as Qeverinë që t’i shërojnë komplekset politike.

“Mos u vono, merre betimin, e ki besimin qytetar (51%) dhe vepro. Nuk kemi kohë që të dëmtohen raportet tona me ShBA-në, e cila është dhe do të mbetet sinonim dhe adresa jonë kryesore dhe është e lidhur ngushtë me ekzistencën e këtij vendi, që është i lirë falë UÇK-së dhe falë kontributit të gjeneratave Dem baba Dem prej të 90-ve”, ka shkruar Tahiri.

Postimi i plotë:

Të nderuar deputetë,

Sot, Kuvendi i Kosovës është duke diskutuar një temë, e cila në esencë tejkalon debatet e politikës ditore, pasi që në agjendën tonë të Kuvendit e kemi diskutimin e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, një fqinj, i cili sot e kësaj dite e ka një pozicion armiqësor ndaj Kosovës. Pra, kjo temë nuk mund asnjëherë të trajtohet ndaras, as nga e kaluara jonë historike e luftës dhe sakrificës, as nga pozicioni politik i juaj dhe VV-së, e as nga e ardhmja e jonë si Republikë e Kosovës. Për shkak se po flasim për një marrëveshje që do të ketë ndikim drejtpërdrejt në të ardhmen e gjeneratave që po vinë.

Në këtë temë, nuk është e mençur as për Qeverinë dhe për askënd që të vazhdojmë ta luajmë rolin e mendimtarit dhe shpëtimtarit, siç e keni luajtur ju, tash e sa kohë.

Sa i përket temës për dialog, AAK-ja edhe në të kaluarën, edhe në periudhën dyvjeçare sa ju jeni në pushtet, ka pasur qëndrimin e vet konsistent, transparent, të ndershëm dhe gjithëpërfshirës.

Qëndrimin e subjektit tonë politik e elaboroi kryetari Haradinaj. Por, do të doja, që bashkërisht si përfaqësues të popullit të Kosovës, të reflektojmë mbi tri çështje esenciale të cilat e lidhin punën e Qeverisë në raport me dialogun Kosovë – Serbi: me menaxhimin, që në esencë ka qenë, tash e dy vjet në keq menaxhim; transparencën që në esencë ka qenë bunkerizim, terr informativ; dhe vendimmarrjen.

Po e nisi me keq menaxhimin e dialogut – në teoritë politike një lider, një lider, një subjekt politik, një qeveri, ka të drejtë të lëvizë në kursin e vet të caktuar. Të drejtë, apo të gabuar. Por janë efektet dhe rezultatet ato që në fund vlerësohen. Fatkeqësia më e madhe është fakti që ju, për gjatë këtyre dy vite por edhe më herët e keni ndërruar kursin aq shpesh dhe keni shfaqur paqëndrueshmëri në këtë proces në emër të Kosovës. Në rastin më të mirë, i keni humbur shumë kohë Kosovës dhe partnerëve të saj në krye me ShBA-në. Në rastin tjetër e keni profilizuar lidershipin e shtetit që ju e përfaqësoni me 51% dhe pozicionimin e Kosovës si palë jo kredibile në dialog. E, jo kredibiliteti është fatura më e shtrenjtë në rrafshi ndërkombëtar, veçanërisht për temën që po flasim.

Nëse i përdorim metaforat që ju i përdorni në terminologjinë tuaj shpesh në Kuvend, është ai kurshllusi që e djeg tërë sistemin instalues. Pra, për gjatë gjithë kohës është menaxhuar dialogu në formë kaotike dhe të mbyllur.

Pse të mbyllur? Po nisna nga aspekti i transparencës. Qytetarët e Kosovës, përfaqësuesit në Kuvend kanë dëgjuar për ecurinë e dialogut, tash e dy vjet, vetëm nga informatat e marra nga lehtësuesi i BE-së z. Lajçk dhe disa pozicionime që i kanë bërë partnerët tanë ndërkombëtarë. I gjithë diskutimi i Qeverisë me partitë politike, nuk ka qenë takime pune, por takime të diskutimit, të prezantimit, por jo takime ku është diskutuar haptas me subjektet politike që kanë fuqi që ua ka dhënë populli.

Mungesa e transparencës bëhet edhe më kritike në rrethanat, siç e elaborova më herët, menaxhimi i procesit ishte kaotik pa vizion dhe me shumë kriza. Ky proces, i cili në esencë është jetik për Kosovën dhe rrugëtimin e saj, ka qenë i bunkerizuar për partitë politike, për shoqërinë civile dhe për gjithë qytetarët e Kosovës. Fatmirësisht, sot kemi mundësinë ta diskutojmë në Kuvend.

Ngulët këmbë për targa, nuk e mbajtët, i bëtë koncesionet. Dhe çka ndodhi, u dëmtua Kosova. në opozitë e kritikonit KFOR-in dhe ju ishit ata që kërkonit nga KFOR-i t’i largojë barrikadat. E sollët situatën, që si kryeministër dhe shtet të kthehemi mbrapa.

U arrestua polici për sulmin terrorist ndaj Zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor dhe zyrtarëve policorë, u zhgënjyen djemtë tanë policë dhe nuk arritëm ta sjellim para bankës së të akuzuarit. Si rrjedhojë, situatën në veri të Mitrovicës e kemi jashtë kontrolli dhe sot duhet ta diskutojmë një temë, e cila do duhej të ishte e mbyllur.

Kur jemi te vendimmarrja autokratike, e njëanshme, ju e keni kundërshtuar planin franko-gjerman. Ka pasur lloj-lloj deklaratash, duke e shpërfaqur shtetin tonë si joserioz tek partnerët ndërkombëtarë. Edhe shumë herë duke e shndërruar Vuçiqin, ministrin e Millosheviqit, si palë konstruktive – njeriun që nuk i ka vendos sanksionet ndaj Rusisë si e gjithë bota demokratike. Tashmë keni reflektuar. Ani, ju lumtë, më mirë vonë se kurrë që keni reflektuar. Mirëpo, kryeministër dëmet, tash e dy vjet janë shkaktuar.

Përgjatë gjithë rrugës, si AAK në secilin ballafaqim që e keni pasur me strukturat paralele, me Serbinë, me referendum, me zgjedhje ilegale, me temën që e tha kryetari Haradinaj, e ke pasur mbështetjen tonë. Mbështetja e AAK-së nuk ka qenë vetëm në Kuvend, por në të gjithë takimet tona që i kemi pasur me qytetarët në të gjitha komunat, i kemi diskutuar dy tema: sa e nevojshme është që të përmbyllet marrëveshja finale, që i jep një rrugëtim të drejtë Kosovës dhe për mirëqenien sociale.

Si subjekt politik, sot kemi një porosi:

koha ka dinamika tjera, bota nuk mund të pres ty e as Qeverinë që t’i shëroni komplekset politike. Mos u vono, merre betimin, e ki besimin qytetar (51%) dhe vepro. Nuk kemi kohë që të dëmtohen raportet tona me ShBA-në, e cila është dhe do të mbetet sinonim dhe adresa jonë kryesore dhe është e lidhur ngushtë me ekzistencën e këtij vendi, që është i lirë falë UÇK-së dhe falë kontributit të gjeneratave Dem baba Dem prej të 90-ve.

Vepro, merr përgjegjësi. Përndryshe, deputetë të VV-së duhet të jenë shumë të kujdesshëm për trajtimin e temave të cilat i kanë kundërshtuar me ngulm. Ne nuk jemi në Parlament të Serbisë, e as në Parlament tjetër, ne jemi në një Parlament i cili me gjak e ka paguar prezencën tonë këtu dhe mbi këtë qasje duhet të veprojmë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
KosovaMed përmbyll vitin me sukses – dhuron donacione për QKMF-në e Junikut

Të tjera