Lajme

Tahiri: Kurtit nuk i interesojnë afatet kushtetuese, synon zgjedhjet më 27 dhjetor

Autori: Gazeta inFokus 22:18 | 11 August 2026

Deputeti Arian Tahiri ka deklaruar se kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, nuk i interesojnë afatet kushtetuese, por realizimi i një skenari politik që, sipas tij, synon ta çojë vendin në zgjedhje të reja më 27 dhjetor 2026.

Tahiri pretendon se Kurti synon ta shtyjë konstituimin e Kuvendit deri në periudhën mes 13 dhe 28 shtatorit, në mënyrë që të krijohen rrethanat politike dhe procedurale për caktimin e 27 dhjetorit si datë të zgjedhjeve.

“Albin Kurtit nuk i interesojnë afatet kushtetuese. I intereson skenari i tij. Objektivi është i qartë: zgjedhjet e reja më 27 dhjetor 2026”, ka deklaruar Tahiri.

-Advertisement-

Sipas tij, konstituimi i menjëhershëm i Kuvendit do t’i aktivizonte afatet kushtetuese dhe do t’ia ngushtonte Kurtit hapësirën për manovrim.

“Kuvendin do ta konstituojë, por jo tani. Synimi i tij është që konstituimi të bëhet afërsisht mes 13 dhe 28 shtatorit. Konstituimi i tashëm i Kuvendit ia prish skenarin”, ka thënë ai.

Tahiri ka pretenduar se gjatë muajit të ardhshëm Kurti do të paraqesë oferta të papranueshme për partitë parlamentare, të shoqëruara me letra zyrtare, mesazhe telefonike dhe deklarime për gatishmëri për dialog.

Sipas tij, këto veprime nuk do të kenë për synim arritjen e një marrëveshjeje për krijimin e institucioneve, por ndërtimin e një narrative politike për zgjedhjet e ardhshme.

“Këto i duhen vetëm për narrativin politik të zgjedhjeve të ardhshme, sepse synimi nuk është marrëveshja. Synimi është mosmarrëveshja që ta jetësojë skenarin e tij”, ka deklaruar Tahiri.

Në fund, ai ka thënë se as Kurti dhe as Gjykata Speciale nuk do të arrijnë t’i realizojnë, siç i ka quajtur ai, skenarët e tyre.

“As Albin Kurti dhe as Gjykata Speciale nuk do të mund t’i jetësojnë skenarët e tyre”, ka përfunduar Tahiri

Düsseldorf–Prishtinë, dy fluturime në ditë – rezervoni me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy