Lajme

Sveçla tek pas dy ditëve e prezanton vendimin për futjen e veriut në karantinë

Autori: Gazeta inFokus 08:58 | 07 April 2020

Ushtruesi i Detyrës së ministrit të Ministrisë së Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se Kosova tashmë gjendet në 2 javorin më të rrezikshëm sepse rritja e të prekurve me koronavirus mund të ndodhë me numra shumë më të mëdhenj se ç’kemi parë deri më tani.

“IKSHPK tashmë ka nisur të marrë informata edhe nga veriu për të prekurit me COVID-19. Qëndrimet se Serbia ka ndërhyrë në Veri, nuk qëndrojnë aspak. Këto po bëhen për përfitime politike, por edhe po e vështirësojnë punën e institucioneve të Kosovës. Dy komuna atje janë futur në karantinë me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë pas kërkesës së IKSHPK-së. Institucionet e Kosovës janë të angazhuara të mbrojnë çdo qytetar, pavarësisht gjuhës, nacionalitetit apo religjionit që i takojnë. Të gjendur para një situate kur kemi një armik të padukshëm, të gjitha instancat janë duke bashkëpunuar shumë mirë mes vete. MSH-ja, IKSHPK-ja dhe Policia e Kosovës atje janë në bashkëpunim të vazhdueshëm me ato komuna”, tha Sveçla në KTV, shkruan koha.

Ai thotë se vendimi për t’i futur në karantinë ato dy komuna është marrë më herët, dhe nuk është se ka qëndruar në heshtje.

-Advertisement-

Rreth marrëveshjes së përfolur me institucionet e Serbisë për të menaxhuar situatën në këto komuna, ai tha se s’ka asnjë marrëveshje të tillë.

Ai tha se s’është e vërtetë që ka staf mjekësor që ka ardhur nga Serbia në Kosovë, por tha se ka ardhur vetëm ndihmë për komunat veriore për shërbimin parësor nga personeli mjekësor nga Serbia, por që, sipas tij, ka qenë procedurë e zakonshme.

“Kjo ka ndodhur në vazhdimësi. Ata kanë të drejta shtesë në raport me komunat tjera në Kosovë. Duke e parë nevojën që ky shërbim t’u ofrohet të gjithë qytetarëve, gjithmonë në koordinim të IKSHPK-së… Ata marrin leje për këtë, natyrisht. Sikurse edhe në rastet tjera. Ata kërkojnë leje, dërgojnë lista, dhe kur e kemi parë që janë personel mjekësor, e kemi lejuar hyrjen e tyre, e disa që kanë qenë të profesioneve tjera, i kemi refuzuar. Ekziston vullneti për ta ndihmuar këtë komunitet, sepse këta mund të jenë edhe më të rrezikuar se qytetarët tjerë”, theksoi U.D. i ministrit të Brendshëm.

Për akuzat e Thaçit për papërgjegjësi dhe neglizhencë të Qeverisë, Sveçla u përgjigj me një qeshje.

“Ai mund të flasë broçkulla tërë ditën, unë mendoj se e ka edhe përcjelljen e duhur mediale për ta bërë këtë. Por, unë mendoj se ne duhet t’u përgjigjemi nevojave të qytetarëve vazhdimisht që ta tejkalojmë sa më lehtë këtë situatë. E për sa u përket lojërave të ulëta e goditjeve të presidentit e të zyrtarëve tjerë politikë, mua s’më bëjnë përshtypje fare”, tha ai.

Sveçla tha se për Veri, MPB-ja komunikon me Policinë e Kosovës për të parë gjendjen atje.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shijoni eksperiencën e re të blerjes në Meridian Express x EXFIS!

Të tjera