Fokus

“Sot do të ketë marrëveshje”: Me nënshkrimin e Asociacionit, Albin Kurti e nënshkruan kapitullimin e tij si lider

Autori: Samire Jaha 14:43 | 27 February 2023

Analisti politik, Artan Muhaxhiri, në një prononcim për Gazetën Infokus ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk do të pranojë të flasë e aq më pak të nënshkruajë një marrëveshje me Asociacionin e Komunave Serbe brenda saj, sepse kjo do të qonte atë drejt kapitullimit të tij politik.

Kjo sepse sipas Muhaxhirit, Kurti është e pamundur që të bëjë një kthesë 180 shkallë dhe të pranojë lehtësisht Asociacionin.

“Kompromisi i Kosovës për njohje mund të bëhet vetëm nëse ka edhe kompromis të Serbisë për Asociacion. Është e qartë që për shkak të bagazhit historik, simbolik, religjioz dhe emocional, Serbia nuk mund ta pranojë shtetin e Kosovës në mënyrë të thjeshtë, njëjtë si vendet tjera njohëse. Mirëpo, as Kosova nuk do ta themelojë Asociacionin pa ndonjë përfitim të madh i cili do ta relativizonte peshën e tij politike”, është shprehur Muhaxhi për Infokus.

-Advertisement-

Mirëpo sipas tij “Zajdenica” është shndërruar në një kriter të patejkalueshëm për bashkësinë ndërkombëtare.

“Asociacioni është shndërruar në kriter të patejkalueshëm për bashkësinë ndërkombëtare, prandaj janë duke ndodhur edhe insistimet e vazhdueshme dhe të drejtpërdrejta për këtë pikë. Do të duhet angazhim i madh i të gjithë akterëve, me kreativitet dhe inteligjencë politike, që bashkërisht të arrihet në kompromisin e pranueshëm për palët. Vështirë e besueshme që Kryeministri Kurti do të pranojë sot të bisedojë veçmas për Asociacionin dhe t’i hijezojë temat tjera. Ky do të ishte kapitullim i tij politik dhe moral si lider i vendit tonë”, ka vlerësuar Muhaxhiri.

Themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Muhaxhiri e sheh se mund të ndodhë në rrethana të tjera por jo në gjendjen aktuale.

“Kryeministri Kurti nuk do ta themelojë Asociacionin në rrethanat aktuale. Shumë kohë dhe shumë fuqishëm ai ka qenë kundër kësaj ideje, prandaj është e pamundur që ta bëjë një kthesë prej 180 shkallësh dhe ta pranojë menjëherë e lehtësisht. Mirëpo, pranimi i Asociacionit nga Kryeministri Kurti mund të imagjinohet vetëm nëse kontekstet e përgjithshme do të ndryshojnë rrënjësisht – veçanërisht përmbajtja e Marrëveshjes Përfundimtare”, ka thënë për Infokus analisti Muhaxhiri.

Ndryshe takimin e sotëm Muhaxhiri e cilëson si një takim me rëndësi të jashtëzakonshme sepse sot do të arrihet një lloj marrëveshje në mes të dy shteteve.

“Takimi i sotëm ka rëndësi të jashtëzakonshme, sepse vjen në një momentum presionesh të mëdha amerikano-europiane. Investimet e mëdha ndërkombëtare në dy vitet e fundit nuk kanë treguar rezultate të kënaqshme, prandaj të gjithëve u duhet një dëshmi arsyetuese për domosdoshmërinë e angazhimeve të deritashme dhe planifikimeve për të ardhmen. Sipas të gjitha indikacioneve, sot do të arrihet një lloj marrëveshjeje, e cila më shumë mund të jetë parimore dhe abstrakte, sesa praktike dhe konkrete. Pra, do të shërbejë për ta treguar zotimet dhe vullnetin e mirë të të dy liderëve që të ecet përpara në rrugën dialoguese drejt arritjes së marrëveshjes përfundimtare, por nuk do të japë ndonjë epilog historik. Në një situatë tejet të rënduar ku gjendet procesi, edhe ky zhvillim mund të konsiderohet si progres”, ka deklaruar Muhaxhi për Infokus.

Kujtojmë që sot në Bruksel, i pari i ekzekutivit, do të takohet nga ora 17:15 me presidentin serb, me ndërmjetësimin e Përfaqësuesit të Lartë, Josep Borrell mbështetur nga Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajçak./Gazeta Infokus/

“Asnjëra palë të mos i thotë jo marrëveshjes”, analisti tregon se çfarë pritet të nënshkruhet sot në Bruksel

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Rakinica e Skenderajt bëhet me rrjet të ri elektrik
-Advertisement-

Të tjera