Lajme

“Sofalia” me shkollë për 720 nxënës, financohet nga investimi publik-privat

Autori: Gazeta inFokus 11:24 | 03 September 2024

Kryeqytetit do t’i shtohet edhe një shkollë e re e financuar nga investimi publik-privat. Krahas saj, paralelisht po ndërtohen edhe dy shkolla të tjera në vlerë prej 15 milionë eurosh. Kështu bëri të ditur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në fillimin e ndërtimit të shkollës së re në lagjen “Sofalia”.

Në vënien e gurit themeltar të saj, Rama tha se kjo shkollë do të ketë kapacitet prej 720 nxënësish dhe hapësirë afro pesë mijë metrash katrorë. Ai ka shtuar se ky investim pas përfundimeve do të kthehet nga Komuna në një periudhë 12-vjeçare, ndërsa pritet të përfundojë në fund të korrikut të vitit të ardhshëm.

“Bëmë përurimin e shkollës së re, një shkollë me 5 mijë e 600 metra katror për 720 nxënës. Edhe kjo do të jetë një shkollë e një sistemi të ri edukativ pra me përmasat me të mira të mundshme për të rinjtë tanë, për fëmijët tanë, për të ardhmen tonë. Planifikojmë që edhe kjo të jetë me mësim tërëditor dhe të na ndihmoj transformimin e kryeqytetit që të gjitha shkollat të jenë me mësim tërëditor. Po shkojmë edhe me proces të digjitalizimit. Kjo shkollë në ‘Sofali’ është një prej premtimeve tona që kemi bërë dhe tash po i mbajmë dhe po vazhdojmë më punë të mëdha. Kjo shkollë do të jetë gati deri në fund të korrikut të vitit të ardhshëm”, tha Rama, raporton EO-ja.

-Advertisement-

“Vlera është kjo pjesë e tri shkollave me partneritet publik – privat që vlera totale për tri shkolla është 15.4 milionë, kjo është një prej tri shkollave që po ndërtohen paralelisht”, tha Rama.

Drejtoresha e Arsimit në kryeqytet, Jehona Lushaku-Sadriu, tha se fillimi i punimeve për këtë shkollë është një moment historik, teksa sipas saj kjo shkollë do të jetë me kushte evropiane.

“Është një moment shumë i lumtur edhe historik se këto lagje të reja pranë Gërmisë nuk kanë pasur mundësi që t’i dërgojnë fëmijët e tyre. Shkolla më e afërt është më shumë se 2.5 kilometra larg dhe kjo shkollë do t’i shkarkoj shkollat si ‘Elena Gjika’, ‘Gjergj Fishta’ dhe do t’i jep mundësi këtyre lagjeve që ti dërgojnë fëmijët në një shkollë me mësim tërëditor. Një shkollë me kushte evropiane. Mendohet që të ketë shkollë për klasat e ulëta, shkollë fillore”, tha ajo.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Rëndësia e komunikimit efektiv midis Familjes dhe Kopshtit
-Advertisement-

Të tjera