BE analizon agjendën e reformave të vendeve të Ballkanit para pagesave të para, mbi 800 milionë euro në pyetje për Kosovën
Autori: Gazeta inFokus 13:11 | 15 September 2024
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila është zgjedhur në krye të këtij institucioni edhe për një mandat të ri pesëvjeçar, do t’i mbledhë udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor në një drekë pune në Bruksel, më 19 shtator.
Me këtë takim, ajo do që të dëshmojë se edhe në mandatin e ri, do t’i kushtojë kujdes të veçantë këtij rajoni dhe në përgjithësi procesit të zgjerimit të BE-së.
Megjithatë, qëllim kryesor i këtij takimi është diskutimi për “agjendat e reformave dhe rritjes”, të cilat gati të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor i kanë dorëzuar në Komisionin Evropian, si parakusht për të pranuar pagesat e para nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i miratuar nga BE-ja në maj të këtij viti.
Von der Leyen ka qenë personalisht e angazhuar në promovimin e këtij plani, ndërsa atë e ka mbështetur edhe Parlamenti Evropian dhe vendet anëtare në Këshillin e BE-së
Sipas burimeve në BE, takimi i von der Leyenit me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të jetë një rast i mirë për të parë se ku kanë arritur këto vende me përgatitjet e tyre për t’i realizuar qëllimet e këtij plani.
Secili vend është dashur ta përgatisë një agjendë reformash, të bazuar në rekomandimet paraprake të trupave të BE-së.
Këtë e kanë bërë tashmë pesë vende të rajonit, ndërsa Bosnje e Hercegovina është e vetmja, e cila, për shkaqe të brendshme politike, nuk e ka bërë ende.
Kosova, ndërkaq, ka qenë ndër vendet e para që e ka dorëzuar planin e saj në Komisionin Evropian.
Pritjet në BE kanë qenë që, në mes të shtatorit, Komisioni Evropian t’i miratonte këto agjenda të vendeve të rajonit. Pritej që kjo të ndodhte edhe para takimit të 19 shtatorit, por procesi është shtyrë për muajin tetor.
Si arsye jozyrtare përmendet fakti se Bosnje e Hercegovina nuk e ka dorëzuar ende planin e saj. Dhe, marrë parasysh se në këtë vend së shpejti do të zhvillohen edhe zgjedhjet lokale, këtë nuk pritet ta bëjë deri në tetor.
Këto vonesa mund të ndikojnë, pastaj, që të mos realizohet qëllimi i Presidencës hungareze të BE-së, që pagesat e para për vendet më të avancuara, të bëhen para fundit të këtij viti.
Sipas një përllogaritjeje jozyrtare, Kosova do të mund të përfitojë mbi 880 milionë euro nga Plani i Rritjes. Mbi 250 milionë, Kosovës do t’i ndahen si para pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të volitshme.
Llogaritja për shumën financiare që do t’i takojë secilit vend, është bërë në bazë të Bruto Prodhimit Vendor (GDP), numrit të banorëve dhe disa kritereve të tjera.
Por, gjatë prezantimit të këtij plani, vendeve të rajonit u është thënë qartë se nëse nuk i kryejnë reformat pas një apo dy vjetësh, atëherë shuma do t’u shpërndahet vendeve tjera.
Përmes Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, Bashkimi Evropian planifikon të ndajë rreth 6 miliardë euro për vendet e këtij rajoni në periudhën prej vitit 2024 deri në vitin 2027.
Prej kësaj shume, dy miliardë do të jenë grante nga BE-ja pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të favorshme.
Qëllimi është që të ndihmohet rritja ekonomike dhe, në këtë mënyrë, të përshpejtohet edhe procesi i integrimit evropian të këtij rajoni.
Përfituese të këtyre mjeteve janë të gjitha vendet e rajonit: Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnje e Hercegovina dhe Serbia.
Plani ka po ashtu qëllim të nxisë bashkëpunimin rajonal dhe zhvillimin e tregut të përbashkët në rajon, i cili gradualisht do të integrohej në tregun e përbashkët të Bashkimit Evropian.
Ky plan, sipas zyrtarëve të BE-së, nuk e ka në asnjë mënyrë qëllim që të krijojë një alternativë të zgjerimit të BE-së, por ta bëjë anëtarësimin e këtyre vendeve në BE më të lehtë.
Në BE vazhdojnë të rikujtojnë se për shfrytëzimin e mjeteve financiare nga Plani i Rritjes, vendet e rajonit duhet t’i përmbushin disa kushte, prej të cilave ato kryesoret kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe sigurimin e procedurave për kontrollin financiar sipas standardeve evropiane.
Për Kosovën dhe Serbinë, si kusht specifik përmendet edhe përparimi në rrugën drejt normalizimit të raporteve – gjë që përfshin angazhimin e tyre konstruktiv në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Nëse nuk do të ketë përparim në normalizimin e raporteve, sipas diplomatëve në BE, vendet që do të identifikohen si jokonstruktive, do të mund të kenë pasoja edhe përmes bllokimit të pagesave nga Plani i Rritjes.
Kosova, aktualisht, është nën disa masa ndëshkuese të BE-së – për shkak të tensioneve në pjesën veriore, të banuar me shumicë serbe – të cilat përfshijnë ndaljen e pagesave nga Instrumentet e Para- Anëtarësimit të BE-së (IPA).
Plani i Rritjes është i veçantë dhe nuk është i përfshirë në IPA.
Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, si paketë prej 6 miliardë eurosh, është konsideruar si plani më ambicioz i saj për këtë rajon.
Shuma prej afro 900 milionë eurosh për Kosovën do të jetë, po ashtu, shuma më e madhe që ajo përfiton nga BE-ja në një paketë të veçantë. /REL
Të tjera
-
Pak kamionë me mallra serbe po hyjnë në Kosovë
Hapja e kufirit për mallrat serbe, ka bërë që kamionët me prodhime nga fqinji...
-
“Ku mbetën edhe 20 euro”, HANDIKOS kërkon sqarime nga ministri Hekuran Murati
Organizata joqeveritare HANDIKOS, e cila përfaqëson dhe përkrahë personat me ...
-
Haradinaj: Bashkëpunojmë me të gjithë, edhe me Listën Serbe, por për Kurtin kryeministër nuk bëjmë koalicion
Kandidati i AAK-së për kryeministër Ramush Haradinaj, tha se nuk do të bashkë...
-
Hill: Pala serbe me qasje konstruktive në dialog, nëse jam i brengosur për disa gjëra nuk ua them ato në televizion
Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill thotë se është shumë e rëndësi...
-
Kërkohet prej prokurorisë, zyrtari i ministrisë së Liburn Aliu lajmërohet live: Kam me u kthy pasnesër
Naser Hafizi, drejtor i Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore në Ministrinë...
-
50-vjeçari në Tetovë dyshohet se ka vrạrë bashkëshorten dhe vajzën e mitur
Një ngjarje rëndë ka tronditur sot pasdite qytetin e Tetovës. Një grua 36 vje...
-
“Kurti nuk do t’i mbrojë këta si Martin Berishajn”, Molliqaj për zyrtarët e arrestuar
Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale kanë thënë të martën se në aksionin...
-
“Po duan të na shantazhojnë që të bëjmë paqe me ta” – Deputetët e VV-së nuk kanë të ndalur me akuza kundër Prokurorisë
Arbër Rexhaj është deputeti i radhës i Lëvizjes Vetëvendosje i cili ka reagua...
-
Kryetarja e Gjykatës Speciale po vjen në Kosovë, do të takohet veç me Albulena Haxhiun dhe ndërkombëtarët
Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë kanë dhënë detaje për vizitë...
-
“FIT-i lụftoi me Radojiçiqin” Rashit Qalaj tregon për një rast kur njësitet speciale të policisë patën konfrontim të armatosur me Milan Radojiçiqin
Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, në emisionin...
-
Takimi lamtumirës: Gjenerali i KFOR-it i shkon në zyrë ministrit Maqedonci për t’u përshëndetur
Gjeneralit të KFOR-it, Ozkan Ulutas po i përfundon mandati. Kështu ai është t...
-
Reagon këshilltari i Liburn Aliut: Aksioni i sotëm përpjekje e ish-regjimit për ta dëmtuar Vetëvendosjen
Policia e Kosovës sot ka arrestuar sekretarin e Ministrisë së Mjedisit, Plani...