Fokus

Si qeverisi Albin Kurti për 365 ditë, flasin ekspertët

Autori: Samire Jaha 11:46 | 23 March 2022

Të martën e 22 marsit u bënë një vit që kur Albin Kurti filloi qeverisjen pasi Lëvizja Vetëvendosje doli e para në zgjedhjet e 14 shkurtit.

E se si shkoi ky vit për qeverinë Kurti II dhe sa u punua e çfarë vendime u morën në të mirën e vendit, për Gazetën Infokus kanë folur shumë njohës të zhvillimeve, ekspertë të sigurisë, arsimit, diplomacisë e fushave të tjera.

Ky vit i parë i kësaj qeverie ka avantazhet por edhe shumë dështime.

-Advertisement-

Kështu e kanë cilësuar njohësit e rrjedhave politike, ekonomike e të sigurisë qeverisjen një vjeçare të Albin Kurtit, shkruan Gazeta Infokus.

Në një prononcim për Gazetën Infokus njohësi çështjeve të sigurisë, Bedri Elezi, ka thënë se njëra ndër rreziqet e Kosovës ka qenë situata në veri.

“Kosova  ka pasur vërtetë shumë probleme në aspekte të sigurisë, e veçanërisht rreziku nga zhvillimet në veriun e Mitrovicës, si dhe problemet në sigurinë ekonomike dhe atë juridike”, ka thënë Elezi për Gazetën Infokus.

Sipas tij një ndër problemet më të mëdha ka qenë fakti se Serbia ka tentuar në vazhdimësi eskalimin e situatës.

“Ndër problemet më të mëdha vlenë të përmendet fakti se Serbia ka tentuar në vazhdimësi eskalimin e situatës në veri, duke përdorur grupe radikale serbe për veprime të cilat bien ndesh me rendin dhe kushtetutën e republikës e Kosovës, kështu duke bllokuar rrugët kryesore të cilat rrugë lidhin Republikën e Kosovës me atë të Serbisë, këto protesta u organizuan me arsyen e çështjes së reciprocitetit të  targave”, ka deklaruar Elezi.

Ai gjithashtu shtoi se si një ndër problemet serioze për sigurinë e Kosovës ka qenë edhe rasti i një grupi ekstremist për planifikimin e sulmeve terroriste.

Por që Elezi tregoi edhe disa nga rastet të tjera që kanë qenë problematike gjatë këtij viti të parë të qeverisë Kurti 2.

“Problem po ashtu serioz ishte edhe një rast kur një grup ekstremist planifikoi sulme terroriste në Republikën e Kosovës, me ç’rast me Iniciativën Amerikane të njëjtit u arrestuan nga Policia e Kosovës. Raste të tjera të cilat janë për t’u veçuar në siguri brenda këtij  mandati të qeverisë Kurti 2, janë edhe aktivitetet e dyshimta agjentëve të shërbimeve sekrete ruse në Kosove”, tregoi Elezi për Infokus.

Elezi ka përmendur edhe zhvillime tjera brenda kësaj kohe.

“Në aspektin e sigurisë juridike, gjithashtu kemi pasur probleme në zbatimin e ligjit në shumë institucione të zbatimit të ligjit si: Prokurorinë e shtetit, Gjykata, agjencinë qeveritare ndërmarrje publike etj”, ka deklaruar Elezi.

Një ndër dështimet tjera për Qeverinë Kurti, sipas Elezit është themelimi i Byrosë Kosovare të Hetimeve.

“Sa i për dështimet janë mos themelimi i Byrosë Kosovare të Hetimeve, një mekanizëm me kapacitete të veçanta për posedim analizim dhe hetim të  informacioneve të rëndësishme si dhe njëherësh ngritjen e procedurave të veçanta penale, një mekanizmin  i cili do të garantonte luftimin e krimit të organizuar”, ka shtuar ai.

Sa i përket arritjeve të kësaj qeverie brenda një viti Elezi tha se deri më tani kanë pasur vetëm deklarime nga ana e qeverisë sa i përket sigurisë, por që sipas tij kjo qeveri nuk ka bërë as minimumin e premtimeve të cilat janë lehtësisht të realizueshme.

Por si arritje cilëson aspektin e sigurisë të kësaj qeverie buxhetin për FSK-në, si dhe inicimi i disa rasteve të krimit të organizuar.

Po ashtu, ai shtoi se gjatë kësaj periudhe arritje tjetër në aspektin e sigurisë së vendit si arrestimin e zyrtarëve shtetëror për keqpërdorimin e detyrës zyrtare si, aksioni Brezovica, Subvencioni dhe Pika.

“Shkarkimi nga detyra e krye inspektorit të AKI-së i cili  në mënyrë të kundërligjshme ishte emëruar, po ashtu shkarkimin e kryeshefit të IPK (Inspektoriarit Policor të Kosovës)  po ashtu ishte zgjedhur në mënyrë të kundërligjshme nga qeveria e kaluar etj. Qeveria e Kosovës ka bërë lëvizje vetëm në FSK, ku ka inicuar disa procedura për blerjen e disa armatimeve për FSK dhe po ashtu ka rritur buxhetin për forcën e Sigurisë”, u shpreh njohësi i sigurisë.

Ndërsa analisti politik, Artan Muhaxhiri, ka thënë se disa nga arritjet e kësaj qeverie janë të ndërlidhura me ndryshimin e qasjes ndaj skandaleve financiare, keqpërdorimeve të parasë publike dhe të nepotizmit.

“Këto tri elemente, të cilat kanë qenë të zakonshme për gati të gjitha qeveritë e kaluara, aktualisht pothuajse nuk janë tema që diskutohen në sferën publike. Gjithashtu, është evident angazhimi më i madh i policisë dhe sistemit gjyqësor në luftimin e krimit dhe korrupsionit”, ka deklaruar Muhaxhiri për Gazetën Infokus.

Ndërkaq, dështimet e kësaj qeverie sipas tij kanë të bëjnë kryesisht me politikën e jashtme.

“Zbehjen e kualitetit të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mosavancimi në procesin e dialogut në Bruksel – përfshirë liberalizimin e vizave, por edhe me stagnimin e potencialeve për zhvillimin ekonomik, me fokus në shkallën e ultë të projekteve strategjike dhe investimeve relevante”, tha Muhaxhiri.

Për disa nga punët e realizuara të qeverisë Kurti 2, Muhaxhiri thotë gjatë këtij viti të parë është bërë punë e mirë në disa sfera, por përgjithësisht ka mundur të bëhet edhe më shumë, sipas tij duke i pasur parasysh të gjitha rrethanat.

“Me kalimin e muajve është bërë e qartë që vetëm kjo perspektivë nuk do të jetë e mjaftueshme dhe se janë të domosdoshme angazhimet shumështresore për t’u ballafaquar me kërkesat e përditshmërisë së qytetarëve. Janë pritur më shumë angazhime në sferat që konsiderohen më të përshtatshme për një parti të majtë me synime progresive – reforma komplementare drejt barazisë sociale dhe asaj ekonomike, avancime të të drejtave të njeriut, etj”, ka shtuar Muhaxhiri për Gazetën Infokus.

Po ashtu, ai tha se punët e mira të kësaj qeverie e kanë ngecur pandemia me Covid-19, si dhe lufta e krijuar së fundmi mes Rusisë dhe Ukrainës.

“Përveç përparësisë së madhe parlamentare, krizat zinxhirore të krijuara nga pandemia e COVID-19 dhe lufta në Ukrainë e kanë cenuar deri në një masë normalitetin politik dhe socioekonomik.

Dinamikat e përgjithshme globale janë shumë të ndryshme sesa ato të viteve të kaluara, pra edhe mundësitë e veprimeve. Për këtë arsye, secila kategori duhet të shqyrtohet duke i detajuar kushtet specifike përkatëse”, ka deklaruar Muhaxhiri.

Dështime Qeveria Kurti pati edhe në fushën e arsimit.

Në një prononcim për Gazetën Infokus, njohësi i arsimit, Rinor Qehaja, tha se disa nga punët i trajtojnë mirë problemet kryesore të arsimit, por pati edhe ngecje.

“Plani qeverisës për arsimin, agjenda legjislative, plani strategjik ne hartim për arsimin, të gjitha mirë trajtojnë problemet kryesore të arsimit”, ka thënë Qehaja.

Mirëpo si çështje kryesore që duhet të ndërmerret në të ardhmen në arsimin e vendit sipas tij është instalimi i mekanizmave llogaridhënëse.

“Kyçe ngelet instalimi i mekanizmave llogaridhënës që do të garantonin zbatimin e reformave në të gjitha nivelet”, shtoi ai për Infokus.

Sipas tij është momenti i fundit që reformat të prekin drejtpërdrejt cilësinë e mësimdhënies dhe mësim nxënies, në vendin tonë.

Po ashtu njohësi i çështjeve ekonomike Safet Gërxhaliu, për Infokus ka thënë se e arritura më e madhe që i ka zhvilluar të hyrat financiare është vendimi kundër krimit të organizuar.

Ai tha se po ashtu janë disa hapa që po e përmirësojnë imazhin e Kosovës.

“Janë disa hapa të cilat po e përmirësojnë imazhin e Kosovës në aspektin e sundimit të rendit të ligjit që po përshëndeten edhe në Evropë, por nuk janë hapa të mjaftuar me të cilët duhet të kënaqemi”, ka deklaruar Gërxhaliu për Infokus.

Por këto hapa sipas tij nuk janë të mjaftueshme pasi që Kosovës i duhen veprime konkrete që ndalojnë ikjen e të rinjve nga Kosova.

“Sepse qytetari i Kosovës përveç aktiviteteve kërkon zhvillim ekonomik, kërkon partneritet social, dhe në fund të fundit kërkon që në dialog dhe në partneritet të ndërtohet dhe të krijohet një shpresë e re që në Kosovë mund të jetohet dhe të ketë ardhmëri, dhe jo nga Kosova të ikin”, tha Gërxhaliu.

Si një ndër dështimet sipas tij padyshim që është rritja e çmimeve në vendin tonë, por jo vetëm.

Ai tha se përveç kësaj si dështim ekonomik brenda këtij viti i qeverisë Kurti, është rrezikimi i rezervave shtetërore.

“Është e vërtetë që rritja e çmimit ka qenë një proces i cili nuk është mundur të ndalet, por është si pasojë e një pandemie ekonomike, kësaj pandemie i shtohet edhe fakti që sot jemi në një luftë të vërtetë mjaft shqetësuese në mes të Rusisë dhe Ukrainës, ku janë të involvuara edhe fuqitë e mëdha edhe politike dhe ekonomike dhe vërtetë është një situatë e cila duhet të jetë alarmante, mirëpo dështimi nuk ka qenë ngritja e çmimeve, aq sa ka qenë dështimi i sigurisë së rezervave shtetërore”, është shprehur Gërxhaliu.

Ndryshe qeveria Kurti më 22 mars 2021 me 67 vota për dhe 30 kundër.

Kurti në krye të vendit erdhi me premtimin për perspektivë dhe ngritje ekonomike si dhe luftë të pa kompromis ndaj korrupsionit dhe keqpërdorimit të parasë publike.

Kurti edhe në vitin 2019, ishte zgjedhur kryeministër, por vetëm pas 50 ditësh qeverisje, ai me një mocion mosbesimi u rrëzua nga partneri i atëhershëm i saj qeverisës, LDK-ja.

Lëvizja vetëvendosja u rikthye në qeverisje, duke e rritur numrin e deputetëve në 58 nga 29 sa kishte në zgjedhjet e vitit 2019./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
TEB sjellë edhe kartelën prestigjioze VISA Infinite
-Advertisement-

Të tjera