Lajme

“Si provuan serbët ta vrisnin dhe ta fajësonin UÇK-në”, rrëfimi tronditës i Natasha Kandiq

Autori: Gazeta inFokus 20:06 | 03 April 2023

Aktivistja e njohur serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq, themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare, në vitin 2002 kishte publikuar një shkrim ku tregonte disa ngjarje tronditëse, të cilat i kishte përjetuar gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Ajo publikoi një shkrim me detaje tronditëse, pasi ish gjyqtarja serbe në Kosovë, Danica Marinkoviq, e kishte mohuar vrasjen e nënkryetarit të LDK-së, Fehmi Aganit, nga forcat shtetërore serbe.

Pas kësaj, Natasha Kandiq, kishte publikuar një shkrim te gjatë, ku kishte ofruar prova tronditëse për vrasjen e Fehmi Aganit nga forcat serbe, si dhe kërcënimet që ajo i përjetoi nga policia serbe në ditën e ngritjes së aktakuzës për Sllobodan Millosheviqin.

-Advertisement-

Ajo kishte treguar se si forcat zyrtare serbe e kishin kërcënuar se do ta vrasin dhe do t’ia veshin fajin UÇK-së.

“Por, më 27 maj 1999, ditën kur u bë publike aktakuza kundër Millosheviqit, isha rrugës për në Prizren për të nxjerrë gruan dhe fëmijën e redaktorit të gazetës Koha Ditore, kur policia më ndaloi në një postbllok në Lipjan. Më kërkuan letërnjoftim dhe kontrolluan makinën në të cilën gjetën raporte të FDH-së për shkelje të të drejtave të njeriut. Ata kontaktuan menjëherë me Sigurimin e Shtetit dhe më çuan në një shtëpi që shërbente si seli e tyre, ku dy inspektorë më morën në pyetje për orë të tëra. Shoferi im u mbajt veçmas dhe u tha se do të vritej si të gjithë ata që flisnin anglisht. Kur thashë se ku po shkoja dhe pse, ata filluan të bërtisnin se jam spiune dhe tradhtare dhe se nuk do të më linin t’i përcillja shqiptarët. Duke kërcënuar se do të më akuzonin për spiunazh, ata thanë se do të zhdukesha natën dhe do t’i tregonin publikut se jam zhdukur në territorin e kontrolluar nga UÇK-ja. Unë sugjerova që ata të konsiderojnë besueshmërinë e një raporti për zhdukjen e një aktivisti të të drejtave të njeriut pikërisht në ditën kur u bë publike aktakuza e Millosheviqit“, theksonte Kandiq në vitin 2002, transmeton Demokracia.com.

Natasha Kandiq më tutje i kishte reaguar ashpër ish-gjyqtares serbe Danica Marinkoviq për vrasjen e profesor Fehmi Aganit, duke thënë: “Gjyqtarja Marinkoviq e vendos veten si mbrojtëse e viktimave serbe dhe policisë serbe, por përpjekjet e saj për të manipuluar opinionin publik janë të kota. Nga policia dihet se kush e vrau Fehmi Aganin, kush çfarë bëri në Kosovë, kush qëlloi me armë, kush hoqi kufomat, kush plaçkiti nga kamioni, kush i solli urdhrat nga Beogradi dhe i përcolli lavdërimet dhe shprehjet e presidentit“.

Ajo vazhdonte në shkrimin e saj duke përmendur përpos Fehmi Aganit edhe familjen Ahmeti, sipas së cilës, ishin vrarë pas urdhërit të gjyqtares Danica Marinkoviq.

“Gjithnjë e më shumë polic po dalin me atë që ka ndodhur realisht në Kosovë. Prej tyre kam dëgjuar për herë të parë për vrasjen e Fehmi Aganit. Kam dëgjuar edhe prej tyre se urdhrat e likuidimit nuk jepeshin vetëm nga komandantët e policisë dhe ushtarakëve. Më thanë se Danica Marinkoviq personalisht ka urdhëruar që të pushkatohen disa të plagosur të familjes Ahmeti më 28 shkurt 1998 në fshatin Likosane. Më pas, një gjyqtare hetuese, ajo erdhi për të kryer një hetim në terren së bashku me Jovica Jovanoviq, zëvendësprokurorin e qarkut dhe një ekip hetuesish. Jashtë shtëpisë së Ahmetit kishte një grumbull kufomash në të cilat disa burra ende jepnin shenja jete. Në prani të rreth 30 pjesëtarëve të Njësive Speciale Antiterroriste, Danica Marinkoviq dyshohet se ka thënë: “Nuk po i marr – vrisni”. Burrat u përfunduan me një armë Heckler. Nuk kishte asnjë hetim dhe, më 1 mars 1998, 14 kufoma u dërguan në morgun e spitalit të Prishtinës. Gjyqtari hetues nuk ka urdhëruar kryerjen e autopsisë dhe pasi janë identifikuar, kufomat janë marrë nga familjarët. Pjesëtarët e forcave policore të ngarkuara në operacionin e Likosanës thanë se pranë kufomave ishin vendosur pushkë dhe granata, pas së cilës u fotografuan dhe u përdorën për të “informuar” opinionin për ngjarjen“, kishte treguar në shkrimin e saj aktivistja serbe Natasha Kandiq. /Demokracia.com/

Shkrimin e plotë me titull “The disturbing truth”, mund ta gjeni këtu: The disturbing truth – Opinions & Analyses – on B92.net

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Rëndësia e komunikimit efektiv midis Familjes dhe Kopshtit

Të tjera