Fokus

Shteti i harron personat me Sindromën Down, nga një mijë vetëm 1 i punësuar në institucionet publike

Autori: H. Smajli 10:11 | 21 March 2022

Aldi Hoxha, 25 vjeçari me sindromën down është i vetmi i punësuar i kësaj kategorie në një institucion publik në Kosovë.

Ai ka më shumë se dy vite që punon në Trafikun Urban në Prishtinë, derisa shprehet mjaftë i kënaqur me punën që bën.

“Unë jam Aldi Hoxha, jam 25 vjeç, ja kam filluar punës me 2 tetor, 2019 dhe punoj në trafikun urban. Unë këtu i ndal tek hyrja mysafirët, i pyes se çfarë pune kanë, i marr letërnjoftimin i regjistroj të dhënat dhe iu tregoj se me kënd mund të takohen. Vij në mëngjes nga ora 07:00 dhe punoj deri në 16:00. Unë e pëlqej shumë këtë punë dhe jam shumë punëtor. Edhe të gjithë kolegët më thonë gjithmonë bravo Aldi je një sukses”, është shprehur, Hoxha për punën e tij.

-Advertisement-

Mirëpo personat me sindromën down në vend po vazhdojnë të përballen me vështirësi për tu punësuar, shkruan Gazeta Infokus.

Nga një mijë sa është shifra e fundit sipas statistikave të ‘Down Syndrome Kosova’, ani pse dyshohet që ky numër është edhe më i madh, vetëm 25 prej tyre janë të punësuar e 24 prej tyre në sektorin privat.

Si duket shteti i ka harruar ata e madje nuk po respektohet as ligji për përfshirjen e këtyre kategorive të shoqërisë në institucionet publike.

Sipas ligjit Nr.03/L-019, neni 12 punëdhënësit janë të obliguar që në 50 punëtor një prej tyre të jetë me aftësi të veçanta.

“Punësimi në tregun e hapur të punës: 1.Organet e administratës shtetërore, punëdhënësit e sektorit privat dhe publik si dhe organizatat joqeveritare obligohen që, me kushtet e përshtatshme të punës ti punësojnë personat me aftësi të kufizuara. 2. Çdo punëdhënës është i obliguar të punësoj një person me aftësi të kufizuara në çdo pesëdhjetë (50) punëtor”, thuhet në këtë ligj.

E madje sipas këtij ligji punëdhënësit që nuk e respektojnë këtë ligj obligohen të paguajnë kontribute prej 1% në shtet e që kjo shumë të përdoret për nxitje të punësimit të personave me aftësi të kufizuar.

“Punëdhënësi i cili nuk i përmbush detyrimet nga paragrafi 1 dhe 2 i këtij neni, obligohet qe për nxitjen e punësimit të personave me aftësi të kufizuara, të paguaj në buxhetin e Kosovës kontribute mujore në lartësi prej një përqind (1%) të shumës së pagës minimale”, thuhet në vazhdim të këtij ligji.

Mirëpo mbështetja në aspektin e punësimit ani pse ende e vogël për personat me sindromën down po vjen nga sektori privat, ku numri i të punësuarve është 24.

Kështu ka deklaruar, Riada Stanovci, punëtore sociale në Down Syndrome Kosova, e cila ka thënë se nga numri i të punësuarve në institucionet shtetërore vërehet edhe mbështetja që ata kanë për personat me sindromën down.

“Ne e dimë që punësimi i personave me aftësi të veçantë konkretisht me sindromën down është e drejtë e garantuar me ligj. Ku çdo i 50- ti punëtor duhet të jetë një person me aftësi të kufizuar. Me faktin që e shohim që është vetëm një person i punësuar në një institucion publik tregon mbështetjen që është bërë në këtë aspekt. Mirëpo ne u bëjmë thirrje vazhdimisht punëdhënësve që të jenë sa më të hapur në këtë drejtim që të punësohen personat me aftësi të kufizuar”, ka thënë ajo në emisionin Doktor Plus që është prodhim i Gazetës Infokus.

E sipas saj punësimi po vazhdon të jetë problem për disa arsye e më kryesorja që punëdhënësit nuk janë të informuar për potencialin që mund të kenë në punë personat me sindromën down.

“Punësimi i personave me Sindromën Down, vazhdon me qenë ende sfidues. Kjo ndoshta për faktin që punëdhënësit nuk janë të mirë informuar për aftësitë për potencialin që personat me sindromën down mund ta kenë në vendet e tyre të punës”, ka shtuar ajo.

Derisa sipas Ermira Shabanit, psikologe dhe njëkohësisht edhe pjesë e administratës në Doën Syndrome Kosova, ata nuk kanë as ndonjë mbështetje financiare nga shteti për shërbimet që i ofrojnë falas për personat me sindromën down.

“Ka qenë e vështirë më e vështirë ndoshta është pjesa e qëndrueshmërisë financiare për shërbimet të cilat ne i ofrojmë ngaqë janë shërbime të gjitha që ofrohen pa pagesë. Prandaj edhe kjo vështirësohet duke mos pasur ndonjë mbështetje ndoshta përmes një fondi specifik nga ana e organeve shtetërore. Edhe kjo paksa e ka vështirësuar për shkak se shërbimet të gjitha mbështeten përmes donacioneve pse projekteve”, ka thënë Shabani.

Shabani ka treguar se kjo ka qenë ndihma e vetme që kanë marrë nga institucionet shtetërore.

“Nëpërmjet thirrjeve që bëhen për projekte nga ana Ministria e Transfereve edhe nëpërmjet thirrjeve nga drejtoritë përkatëse që mbulojnë fushën të cilën ne operojmë zakonisht jemi përfitues të projekteve në kuadër të këtyre thirrjeve. Kjo është mënyra se si mbështetemi nga ana shtetërore”, ka thënë ajo.

E një e punësuar me sindromën down, në sektorin privat është 22 vjeçarja, Raza Canolli.

Ajo duket se me lehtësi e kryen punën e saj, derisa nuk heziton të tregojë se çfarë bën në dyqan gjatë ditës.

“Unë punoj këtu që disa muaj dhe po më pëlqen shumë, unë këtu ndihmoj për me i palu rrobat”, ka thënë ajo.

Ekipi i Doktor Plus ka kërkuar një përgjigje edhe nga ish Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale që tani është në kuadër të Ministrisë së Financave, për mosrespektimin e këtij ligji por ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Nis bashkëpunimi serioz dhe strategjik midis Comodita dhe JYSK International
-Advertisement-

Të tjera