Ekonomi

Shteti heshtë karshi Bedri Selmanit

Autori: Gazeta inFokus 20:10 | 30 May 2019

Me 29 prill të këtij viti ish deputeti i PDK-së, Bedri Selmani  ka dorëzuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit në Paris të Francës padi ndaj Republikës së Kosovës.

Ai po kërkon hiç më pak se 65 milionë euro.

Gazeta inFokus merr vesh se Selmani akuzon shtetin për shkelje të rëndë ligjore të afarizmit të ndërmarrjes, që i është bërë nga ana e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), përmes ofertimit për dhënien me qera të një pjese të aseteve të “Kosova Petrol”, të cilat, siç pretendon Selmani, nuk ishin as në administrim dhe as në menaxhim të AKP-së.

-Advertisement-

Lidhur më këtë Gazeta inFokus ka tentuar të flas më zyrtarë nga Ministria e Drejtësisë, mirëpo një gjë e tillë nuk ka qenë e mundur.

Edhe pse në këtë institucion funksionin Avokatura Shtetërorë  detyrë e të cilës është përfaqësimi i Qeverisë dhe entiteteve tjera pranë organeve gjyqësore, pranë arbitrazheve si dhe organeve tjera administrative, Gazeta nuk ka mundur të marrë përgjigje.

Mirëpo për Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP), nuk është hera e parë që merr akuza nga Selmani.

Njeriu, i cili që nga paslufta, falë lidhjeve të tij me PDK, kishte arritur të marrë në shfrytëzim rrjetin e pompave të derivateve “INA” dhe “Jugopetrol”, edhe më herët pati akuzuar këtë agjenci për krim të organizuar.

Gjithë kjo pasi nga viti 2014 gradualisht atij i janë marrë të gjitha pronat përfshirë 30 pompa të derivateve që i mbante të uzurpuara prej vitit 1999, si dhe hotelin “Victory” në Prishtinë, në të cilin aktualisht janë vendosur Policia e Kosovës, shkruan gazeta inFokus.

Por përkundër këtyre akuzave AKP nuk ka dhënë detaje për Gazetën inFokus.

Sipas zyrtarëve të kësaj agjencie lidhur më këtë rast përgjigjet Qeveria, pasi që Selmani e ka paditur Republikën e Kosovës.

“Pyetjet duhet të orientohen tek Avokati i Shtetit në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë”, thuhet në përgjigjet e AKP-së për Gazetën inFokus.

Ish deputeti i PDK-së Bedri Selmani, emri i të cilit ka figuruar në listat e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) si uzurpatori më i madh i pronës shoqërore në vend, në vitin 2016 është larguar nga Kosova, për ta zhvilluar aktivitetin e tij biznesor në Kroaci.

Gazeta Infokus për dy ditë është përpjekur të bie në kontakt me vet Bedri Selmanin apo ndonjë përfaqësues tjetër të kompanisë por një gjë e tillë ka qenë e pamundur. /Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera