Shtatë ditë kohë për presidentin, partitë ende pa kandidat
Autori: Gazeta inFokus
09:06 | 29 September 2026
Partitë parlamentare në Kosovë ende nuk kanë nxjerrë ndonjë emër si propozim për president të ri të vendit, ndonëse kanë mbetur edhe shtatë ditë deri në skadimin e afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
6 tetori 2026 është data e fundit deri kur Kuvendi duhet ta përfundojë procesin për zgjedhjen e kreut të shtetit. Në të kundërtën, vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare. Aktualisht, ushtruese e detyrës së presidentes vazhdon të jetë kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Mandati i saj gjashtëmujor si ushtruese e kësaj pozite skadon më 4 tetor dhe ende nuk dihet se si do të vazhdojë kjo çështje pas përfundimit të kësaj periudhe.
Kuvendi u mblodh të hënën, por zgjedhja e presidentit nuk ishte në rend dite. Pas seancës, përfaqësuesit e partive parlamentare nuk dhanë sinjale për ndonjë marrëveshje rreth një kandidati.
Lëvizja Vetëvendosje, si partia më e madhe parlamentare, ende nuk ka bërë të ditur nëse ka një kandidat për president.
Kryeministri Albin Kurti është takuar ndaras me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Takimet u zhvilluan lidhur me deklaratën e përbashkët për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, ndërsa deri më tani nuk është bërë e ditur nëse është diskutuar edhe për çështjen e presidentit.
Kurti ka deklaruar se, nëse Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë presidentin, vendi do të shkojë në zgjedhje të reja.
“Nëse nuk do të arrijmë të zgjedhim president të ri, do të shkojmë sërish në zgjedhje, që do të jenë zgjedhjet e katërta brenda dy viteve. Zgjedhjet e reja janë të panevojshme e të kushtueshme”, kishte thënë Kurti.
Një nga emrat që ishte propozuar për president ishte Bekim Sejdiu. Ai më herët njoftoi se është tërhequr nga kandidatura.
Sejdiu ishte propozuar nga LVV dhe LDK, por kandidatura e tij nuk arriti të kalojë në fazën e votimit, pasi disa deputetë të LDK-së dolën kundër.
Pas tërheqjes së Sejdiut, deri më tani nuk është bërë publik ndonjë emër tjetër për president.
Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku, ka thënë se partia e saj është e gatshme të kontribuojë për zgjedhjen e presidentit dhe shmangien e zgjedhjeve të reja.
“Ne edhe si parti kemi thënë që është e rëndësishme që t’i shmangim zgjedhjet, meqë kemi pasur zgjedhje, por kjo kërkon vullnetin e të gjitha grupeve parlamentare, ose të gjitha partive politike. Ne, si të vetëm nuk mundemi me i dhanë president Kosovës, por jemi të gatshëm që të japim kontributin tonë për themelimin e këtyre institucioneve. Ne nuk jemi në një situatë ku mund të themi jemi ‘për’ ose ‘kundër’ një kandidati, meqë kemi një situatë të re”, tha Lushaku.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka mohuar se votimi për projektligjin e propozuar nga PDK-ja për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara mund të kushtëzojë votimin për presidentin.
“Janë tema që nuk duhet me i lidhë. Ligji është temë e veçantë, është përgjegjësi kombëtare, institucionale, politike dhe individuale e secilit deputet shqiptar. Ndërsa çështja e presidentit është çështje e vullnetit të partive politike, që patjetër duhet me pasë qasje proaktive, konsensus dhe mos me qenë shkaktarë të zgjedhjeve të njëpasnjëshme”, tha Tahiri.
Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka kritikuar mungesën e një procesi politik për zgjidhjen e çështjes së presidentit.
“Po e shoh që ka një injorim të një situate shumë reale. Më 6 tetor, ne ose shkojmë në zgjedhje ose vazhdojmë me rrugëtimin shtetëror edhe me këtë zotim, por edhe zotime të tjera. A kuptoni që është totalisht e pakuptueshme, e papranueshme që ne mos të flasim për problemet reale që janë në Kosovë. Na ka hyrë debati kush është më patriot e kush spiun, kush është i majtë e kush i djathtë, kush po bën më shumë e nganjëherë kush po qan më shumë, kush po qet lot të krokodilit”, tha Tahiri.
Në seancën e fundit, Kuvendi zgjodhi me 95 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim Vlora Çitakun e PDK-së nënkryetare të Kuvendit të Kosovës.
Me zgjedhjen e saj u kompletua Kryesia e Kuvendit.
Kryetare e Kuvendit është Albulena Haxhiu e LVV-së, ndërsa nënkryetarë janë Ardian Gola i LVV-së, Kujtim Shala i LDK-së, Tanja Vujoviq e Listës Serbe dhe Emilija Rexhepi nga komunitetet joserbe.
Por, përkundër kompletimit të Kryesisë, çështja e zgjedhjes së presidentit ende mbetet e hapur.
Partitë parlamentare kanë edhe shtatë ditë kohë për të arritur një marrëveshje për kandidatin, para skadimit të afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese më 6 tetor 2026.

T� tjera
-
Pelegrini turk vdes pasi u rrëzua gjatë lutjeve para nisjes për në Umre
Një burrë turk 68-vjeçar ndërroi jetë pasi u rrëzua ndërsa drejtonte lutjet n...
-
Ymeri e LDK-së: Pas 152 vjetësh, në Kosovë ndërpritet qarkullimi i trenave
Deputetja e LDK-së, Janina Ymeri ka reaguar pas situatës së krijuar me transp...
-
SPAK regjistron akuza të reja për ish-drejtuesen e SHISH, Vlora Hyseni
Prokuroria e Posaçme (SPAK), ka regjistruar akuza të reja ndaj ish drejtueses...
-
Ndërpritet qarkullimi i trenave në Kosovë, nis greva në Infrakos
Qarkullimi i trenave në Kosovë pritet të ndërpritet sot, më 9 nëntor, për shk...
-
Mblidhet Komisioni Hetimor për vrasjen e Arlinda Zekajt
Komisioni Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale lid...
-
Zgjedhjet për Këshillin Kombëtar Shqiptar, Sinani: Lista jonë mori 10 nga 29 mandatet
Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani ka reaguar pas përfundimit të procesit z...
-
Reuters raporton se sulmuesi nga Krakovi i cili vrau gjashtë persona, ka vdekur
Sulmuesi 24-vjeçar, i cili vrau gjashtë persona në Krakov të shtunën, ka vdek...
-
Pas rastit të Arlinda Zekajt, Ministria e Familjes në pritje të raporteve nga Peja e Gjilani
Një ndër institucionet për të cilat ishte ankuar sa ishte gjallë Arlinda Zeka...
-
534 mjekë të papunë në Kosovë e 611 të tjerë të sistemuar në Gjermani
Pavarësisht se gjatë këtij viti në Kosovë janë licencuar mbi një mijë mjekë, ...
-
“Krim kundër Ulpianës”, Drita Hajdari kritikon ashpër Përparim Ramën
Ish-prokurorja Drita Hajdari ka drejtuar kritika të ashpra ndaj kryetarit të ...
-
Kryesia e Kuvendit mblidhet nesër, planifikohet interpelanca me ministrin Vitia në seancën e radhës
Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të mblidhet nesër me ç’rast ka...
-
Sulm me dron në Irak: Ndërpritet prodhimi në fushën e gazit Khor Mor
Një sulm me dron ka ndërprerë prodhimin në fushën e gazit Khor Mor, në rajoni...































