534 mjekë të papunë në Kosovë e 611 të tjerë të sistemuar në Gjermani
Autori: Gazeta inFokus
07:55 | 09 November 2026
Pavarësisht se gjatë këtij viti në Kosovë janë licencuar mbi një mijë mjekë, 534 prej tyre figurojnë të papunë, sipas të dhënave të Odës së Mjekëve. Ndërkohë, në Gjermani numri i mjekëve nga Kosova që ushtrojnë profesionin ka arritur në 611. Përderisa kryeministri Albin Kurti ka thënë se mjekët po kthehen në Kosovë, studentët e Mjekësisë paralajmërojnë se mungesa e vendeve të punës dhe e mundësive për specializim po i shtyn të rinjtë drejt largimit
534 mjekë në Kosovë figurojnë të papunë, sipas të dhënave të Odës së Mjekëve të Kosovës.
Sipas kësaj Ode, gjatë periudhës 2022–2025 janë licencuar gjithsej 5 mijë e 224 mjekë, apo mesatarisht 1 mijë e 306 në vit. Ndërsa vetëm gjatë dhjetë muajve të parë të vitit 2026, janë licencuar edhe 1 mijë e 42 mjekë.
Ndërkohë, numri i mjekëve që kanë kërkuar dokumentin e nevojshëm për punësim jashtë vendit ka shënuar rënie, nga 211 në vitin 2022 në 95 në vitin 2025.
“Sa i përket largimit të mjekëve nga Kosova, njëri nga indikatorët që mund të përdoret për të përcjellë këtë dukuri është numri i kërkesave për lëshimin e certifikatës mbi të kaluarën etike dhe profesionale. Kjo certifikatë shërben si dokument bazë për anëtarët e Odës së Mjekëve të Kosovës që synojnë të punësohen jashtë vendit. Ju informojmë se, gjatë këtij viti, deri më tani, 91 mjekë kanë kërkuar lëshimin e kësaj certifikate”, thuhet në përgjigjen e Odës së Mjekëve.
KOHA ka siguruar edhe të dhëna nga Oda Federale e Mjekëve e Gjermanisë për numrin e mjekëve nga Kosova që punojnë në këtë shtet.
Sipas këtyre të dhënave, në vitin 2025 në Gjermani ishin gjithsej 611 mjekë nga Kosova, prej të cilëve 568 ishin profesionalisht aktivë. Ndërsa 500 prej tyre punonin në spitale.
“Bashkëngjitur gjeni të dhënat e disponueshme për mjekët nga Kosova. Në vitin 2025, numri i tyre ishte gjithsej 611, prej të cilëve 568 ishin profesionalisht aktivë. Shumica e tyre, përkatësisht 500, punonin në spitale”, thuhet në përgjigje.
Statistikat e kësaj Ode tregojnë se numri i mjekëve nga Kosova që ushtrojnë profesionin në Gjermani është rritur vazhdimisht. Nga 191 sa ishin në vitin 2015, numri i tyre ka arritur në 611 në vitin 2025.
Megjithatë, kryeministri Albin Kurti ka paraqitur një tjetër realitet. Sipas tij, mjekët nuk po largohen nga Kosova, por po kthehen në vend.
“Vetëm gjatë vitit 2025, 171 mjekë u kthyen për të jetuar dhe punuar në Kosovë. I mirëpresim ata që vendosin të jetojnë e të punojnë këtu dhe çmojmë kontributin e kolegëve që vazhdojnë të punojnë jashtë vendit, por herë pas here kthehen në vendlindje për të ligjëruar, për të trajnuar mjekë të rinj ose për të punuar krahas ekipeve tona. Ky takim është shembull i një bashkëpunimi të atillë. Dëshirojmë që ai të vazhdojë edhe pas ditës së sotme, mes kolegëve dhe institucioneve ku ata punojnë”, ka thënë ai.
Kjo deklaratë e kryeministrit ka nxitur reagime të shumta.
Pos opozitës, atij i kanë reaguar edhe studentët e Fakultetit të Mjekësisë, të cilët para një muaji i kishin paraqitur disa kërkesa Qeverisë, ndër to edhe mungesën e mundësive për punësim pas përfundimit të studimeve.
“Shumica dërrmuese e studentëve, nëse do të kishin mundësi punësimi dhe specializimi, do të preferonin të qëndronin në Kosovë. Megjithatë, ajo që ofrohet aktualisht për mjekët e rinj është shqetësuese. Edhe pas punësimit, pavarësisht ngritjes profesionale dhe akademike të mjekëve të rinj, mundësitë për t’u specializuar në fusha specifike mbeten shumë të kufizuara. Konkurset për specializim të shpallura nga Ministria e Shëndetësisë nuk janë të mjaftueshme dhe nuk janë zgjidhje, meqenëse burimi i problemit është në sistem, i cili duhet të reformohet tërësisht”, thuhet në kërkesat e Këshillit Studentor të Fakultetit të Mjekësisë.
Mediumi ka dërguar pyetje në Qeverisë e Kosovës lidhur me shifrat e përmendura nga Kurti, por nuk ka marrë përgjigje.
Gjithashtu, më 12 tetor, KOHA i ka dërguar pyetje edhe Ministrisë së Shëndetësisë lidhur me këto shifra dhe politikat e saj për punësimin e mjekëve, por për gati një muaj nuk ka marrë përgjigje.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Punësimit, deri në tetor të vitit 2026, në mesin e punëkërkuesve të regjistruar nga sektori i shëndetësisë figurojnë 2 mijë e 4 mjekë të fushave të ndryshme.

T� tjera
-
Zgjedhjet për Këshillin Kombëtar Shqiptar, Sinani: Lista jonë mori 10 nga 29 mandatet
Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani ka reaguar pas përfundimit të procesit z...
-
Reuters raporton se sulmuesi nga Krakovi i cili vrau gjashtë persona, ka vdekur
Sulmuesi 24-vjeçar, i cili vrau gjashtë persona në Krakov të shtunën, ka vdek...
-
Pas rastit të Arlinda Zekajt, Ministria e Familjes në pritje të raporteve nga Peja e Gjilani
Një ndër institucionet për të cilat ishte ankuar sa ishte gjallë Arlinda Zeka...
-
“Krim kundër Ulpianës”, Drita Hajdari kritikon ashpër Përparim Ramën
Ish-prokurorja Drita Hajdari ka drejtuar kritika të ashpra ndaj kryetarit të ...
-
Kryesia e Kuvendit mblidhet nesër, planifikohet interpelanca me ministrin Vitia në seancën e radhës
Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të mblidhet nesër me ç’rast ka...
-
Sulm me dron në Irak: Ndërpritet prodhimi në fushën e gazit Khor Mor
Një sulm me dron ka ndërprerë prodhimin në fushën e gazit Khor Mor, në rajoni...
-
39-vjeçari gjobitet me 500 euro për ndezjen e mbeturinave në Mirosalë të Ferizajt
Një 39-vjeçar është gjobitur me 500 euro pasi kishte ndezur mbeturina në fsha...
-
Koalicioni Shqiptar merr 10 mandate në Këshillin Kombëtar Shqiptar, Kamberi: Dolëm të parët
Koalicioni Shqiptar, i udhëhequr nga Enkel Rexhepi, ka dalë i pari në zgjedhj...
-
224 milionë euro për Ministrinë e Mbrojtjes, 122 milionë për investime kapitale
Ndërrojmë temë të informacionit. Nga mbi 224 milionë euro të parapara për Min...
-
Gara e AI-së për energji: Anthropic siguron marrëveshje prej 3.4 miliardë dollarësh, sipas FT
Kompania e inteligjencës artificiale Anthropic ka lidhur një marrëveshje prej...
-
Bisedime për Ukrainën në Abu Dhabi: Edhe Evropa në tryezë
Përfaqësuesit evropianë do të marrin pjesë në bisedimet për Ukrainën që prite...
-
Hormuzi nën tension: Raportohen goditje ndaj anijeve, negociatat SHBA–Iran vazhdojnë
SHBA-ja dhe Irani kanë raportuar incidente të reja me anije në Hormuz dhe Gji...





























