Sfidimi i Kultit
Autori: Gazeta inFokus
16:04 | 15 December 2017
Shkruan: Imer Mushkolaj
Nuk është kurrfarë mëkati të jesh kundër Albin Kurtit, pavarësisht se ai mund të jetë shndërruar në kult për mbështetësit e vet. Kurti nuk e ka krijuar i vetëm e as mund ta mbajë vetëm Vetëvendosjen. Është e drejtë demokratike për secilin të synojë marrjen e lidershipit të partisë, por nuk është aspak e drejtë të kundërshtosh dikë që të kandidojë, një parim ky thelbësor demokratik
Sa herë përmendet Lëvizja Vetëvendosje pashmangshëm të vjen ndërmend Albin Kurti. Njeriu i cili identifikohet me Vetëvendosjen, ashtu si Vetëvendosja me të. Por, nuk është ai i vetmi që e mbajti gjallë atë. Që nga themelimi, ky subjekt, njëherë lëvizje e tash parti politike, ka ndryshuar shumë. Pjesë e VV’së janë bërë mijëra aktivistë. Është rritur e maturuar, ndonëse zyrtarë me emër të saj nuk po tregohen të tillë ditët e fundit, pas shpërfaqjes së pakënaqësive e mospajtimeve të thella përbrenda.
Figura të tjera, të rëndësishme e me peshë, ka prodhuar VV ndër vite. Bashkë me ta, sepse nuk do të mundte ndryshe, Kurti ia ka dalë që Lëvizjen… ta shndërrojë në subjektin më të madh politik në vend.
Ndërkohë, ai mund të jetë shndërruar në kult për mbështetësit e vet. Jo me “fajin” e tij, por të të tjerëve. Edhe të bashkëpunëtorëve. Secili ka të drejtë ta konsiderojë të tillë. Por, po ashtu, është e drejtë e gjithësecilit që ta kritikojë e të mos pajtohet me të.
Rrallë kemi parë më shumë fyerje e linçime publike se sa ditët e fundit kundër të gjithë atyre që kanë marrë guximin ta sfidojnë, në çfarëdo forme, kultin e Kurtit. Babën, siç mund t’i referohet dikush.
Rrallë kemi parë më shumë shfryrje mllefi e vreri kundër të gjithë atyre që më shumë se për idenë e Vetëvendosjes, janë të lidhur me individin. Me individin si kult. Me Kurtin. Dikush edhe mund t’i kuptojë reagimet e tyre, por ka mundur dhe ende mundet që situata e krijuar të menaxhohet shumë më mirë dhe më me takt. Kjo do të duhej të ndodhte në forume të partisë, e jo në forume virtuale.
Goditje të ashpra pati edhe ndaj kryetarit Visar Ymeri, sidomos nga ata që njihen si “linja e fortë” në Vetëvendosje, nga Prishtina e Tirana. Por, më së tepërmi u shënjestrua ish-sekretari organizativ, Dardan Molliqaj. Vetëm pse foli. Vetëm pse guxoi të thotë të vërtetën e vet.
* * *
Tashmë situata në Vetëvendosje ka eskaluar dhe çarjet brendapartiake duket të jenë të thella. Beteja për kreun në secilën parti do të duhej të ishte gjëja më normale e mundshme, ashtu si dhe shfaqja e mospajtimeve. Por, jo me metoda që përfshijnë edhe linçimin publik të të gjithë atyre që nuk mendojnë njësoj.
Nuk besoj se as vetë Albin Kurti përkrah idenë që partitë politike duhet lidhur për individin, për kultin e individit. Ai zakonisht është shprehur jo për individin, por për idenë, për programin.
Tekefundit, nuk është kurrfarë mëkati të jesh kundër Albin Kurtit. Ose cilitdo tjetër.
Vetëvendosja ka evoluar, është zhvilluar, e bashkë me këtë duhet të evulojë edhe qasja karshi problemeve që kërkojnë zgjidhje, karshi metodave për të gjetur zgjidhje. Problemet që po shfaqen tash VV nuk i kishte kur ishte subjekt i vogël. Me rritjen e saj është e natyrshme që mund të jenë shtuar edhe apetitet për të marrë përgjegjësi përbrenda, ashtu si dhe për të kritikuar në të mirë të zhvillimit të partisë.
Në fakt, brenda këtij subjekti politik nuk po ndodh asgjë e pazakonshme, që nuk është parë të ketë ngjarë edhe te parti të tjera. Por, zhvillimet e fundit duken të pazakonshme, madje edhe të jashtëzakonshme, ngase qasja e zyrtarë të rëndësishëm të partisë, e lidershipit të partisë ka qenë e atillë që ka arritur të bind shumicën se VV ndrsyhon nga partitë tjera edhe në aspektin organizativ.
* * *
Të flasësh hapur për problemet në parti nuk është mëkat. Siç nuk është kurrfarë mëkati të mos pajtohesh as me liderin shpirtëror, çfarë mund ta konsiderojë dikush Kurtin. Ndërmjet të zëshëmve dhe servilëve, unë gjithmonë jam me të parët.
Në VV janë shpërfaqur dallime që kanë të bëjnë jo vetëm me metoda, por edhe me ideologji. Është ironike, por ata që dikur iu duartrokitnin veprimeve të atyre që nuk pajtohen me Kurtin, tash të njëjtët po i linçojnë e stigmatizojnë. Mjete këto të përdorura me shumicë, ndër vite, nga aktivistë të VV’së për të gjithë ata që kritikonin këtë subjekt.
Në gjithë këtë situatë është shumë i rëndësishëm qëndrimi i Kurtit. Lidershipi i partisë duhet të reflektojë nëse vërtet dëshiron të gjejë një koncensus për t’i tejkaluar mospajtimet e pakënaqësitë, përndryshe ndarja është e paevitueshme. Në këtë mënyrë, Vetëvendosje do t’i shtohej radhës së partive, individë brenda të cilave nuk kanë mundur t’i përmbushin apetitet dhe egot e tyre të çfarëdolloji pa e ndarë subjektin në dysh.

T� tjera
-
SHSKUK: Katër punonjës janë suspenduar pas evidentimit të parregullsive në menaxhimin e barnave dhe materialit shpenzues
SHSKUK njofton se katër punonjës janë suspenduar pas “evidentimit të parregul...
-
Në mesin e të arrestuarve për dr*ogë edhe ish- Ministri Astrit Haraqija, avokati: U intervistua për kontrabandim të narkotikëve
Ish-ministri i Kosovës, Astrit Haraqija, është në mesin e personave të ndalua...
-
Qytetarët kundërshtojnë projektin për Fontanën në Ulpianë
Fontana është një nga “monumentet” ikonike të lagjes së Ulpianës në kryeqytet...
-
Banda shqiptare e vjedhjeve në banesa goditet nga policia, 4 të arrestuar në Francë
Katër shqiptarë janë dënuar me nga tre vite burg në Francë, pasi u shpallën f...
-
Gjermania zgjeron kompetencat e shërbimeve sekrete për t’u përballur me kërcënimet e huaja
Shërbimet e brendshme dhe të jashtme të inteligjencës në Gjermani do të kenë ...
-
Abonime të fshehta, reklama mashtruese: BE-ja vepron
Kurthe abonimesh, taktika mashtruese të shitjes, funksione që i nxisin përdor...
-
Policia godet grupin e organizuar të trafikimit me kokainë në Prishtinë, arrestohen gjashtë persona
Policia e Kosovës ka realizuar një operacion të koduar “Heshtja”, në kuadër t...
-
Osmani i reagon Haxhiut për Rugovën: Përpjekje për ta denigruar, gjatë 5 vjetëve liderë botërorë veç atë ma përmendën
Deputetia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani i ka quajtur “përpje...
-
Janina Ymeri: Qytetarët në komunat me shumicë shqiptare paguajnë deri në 22% më shtrenjtë rrymën sesa ata në veri
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, ka ngritur shqetësi...
-
Parashikimi i frikshëm i ‘babait të inteligjencës artificiale: IA mund të dalë jashtë kontrollit të krijuesve në tre vitet e ardhshme
Fituesi i Çmimit Nobel, Geoffrey Hinton, i njohur si “babai i inteligjencës a...
-
Të përjashtuara nga talibanët, vajzat dhe gratë afgane po mbeten pa shkollim edhe në Iran e Pakistan
Zahra ishte vetëm disa muaj larg përfundimit të studimeve për mjekësi në Kabu...
-
U raportua i zhdukur në Ferizaj, 31-vjeçari gjendet shëndosh e mirë në Prishtinë
Policia e Kosovës ka njoftuar se pas katër ditësh kërkimi është arritur që të...





























