Lajme

Sekretarja gjermane në Kosovë, Kurti i flet për aplikimin në Partneritetin për Paqe të NATO’s

Autori: Gazeta inFokus 17:39 | 20 December 2022

Kryeministri Albin Kurti sot priti në takim Siemtje Möller, Sekretare e Shtetit në Ministrinë Federale të Mbrojtjes së Gjermanisë, e cila shërben edhe si zëvendësministre e Mbrojtjes.

Fillimisht, Kurti shprehu mirënjohje për kontributin e çmuar që ka dhënë Republika Federale e Gjermanisë për çlirimin, pavarësimin dhe shtetndërtimin e Kosovës. Duke e falënderuar për kontributin e Gjermanisë në KFOR, kryeministri theksoi rolin dhe rëndësinë që ka KFOR-i në Kosovë, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Në takim u bisedua për mbështetjen lidhur me qëllimin e Republikës së Kosovës për përgatitje për aplikim dhe pranim në Programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s, si dhe në organizata tjera ndërkombëtare.

-Advertisement-

Kurti po ashtu vlerësoi rolin dhe mbështetjen e Gjermanisë dhe ritheksoi rëndësinë që Qeveria e Republikës së Kosovës i kushton Procesit të Berlinit, si mundësia më e mirë për bashkëpunim mes vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor për integrim në Bashkimin Europian.

“Sekretarja Möller vlerësoi marrëdhëniet e mira dhe të thella ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë. U theksua se vizitat e shpeshta të nivelit shtetëror i rikonfirmojnë marrëdhëniet e shkëlqyeshme mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Gjermanisë, si dhe i shërbejnë thellimit të mëtejmë të miqësisë dhe të bashkëpunimi”, thuhet në njoftim.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UFC EKSKLUZIVISHT NË ARTMOTION!

Të tjera