Sarrazin: Procesi i Berlinit nuk është kundër asnjë projekti
Autori: Gazeta inFokus 15:13 | 30 September 2022
I dërguari i posaçëm i qeverisë gjermane në Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, në një intervistë me DW për sfidat e rajonit në rrugën drejt BE.
Deutsche Welle: Z. Sarrazin, ju morët pjesë në Tiranë në Forumin e Ndërlidhshmërisë. Sa e rëndësishme është të flasësh në këto kohë për ndërlidhshmërinë në Ballkanin Perëndimor?
Manuel Sarrazin: Unë jam nga Hamburgu, i cili është porti i tretë më i madh i Europës dhe çdokush në Hamburg i trembet faktit që rajoni juaj (Ballkani Perëndimor) mund të bëhet qendra e të gjitha linjave ndërkombëtare të transportit, sepse ju jeni në Mesdhe. Itinerari është shumë i shkurtër. Mund t’ju them se rajoni ka një potencial shumë të madh ndërlidhshmërie, jo vetëm sa i përket transportit nga rajonet e tjera, por edhe për t’i sjellë produktet në tregun evropian Kjo është një nga temat kyçe të ndërlidhshmërisë në rajon.
Gjatë vizitës suaj në Shqipëri u takuat me kryeministrin e vendit, ministren e Jashtme, aktorë të shoqërisë civile etj. Çfarë përshtypjesh krijuat nga këto takime?
Ju e dini se tashmë Shqipëria ka hyrë në rrugëtimin e negociatave me BE-në. Më në fund ia dolëm të hapim negociatat dhe së pari jemi të gëzuar e të lumtur, por tani sigurisht duam ta shohim Shqipërinë që të përparojë. Duam të hapim kapituj, të mbyllim kapituj, duam të jemi të qartë rreth standardeve. Prandaj duhet ndjekur rruga e reformave. Jemi me fat që qeveria do ta ndjekë këtë rrugë, por gjithashtu kemi filluar t’i shtyjmë përpara, t’i nxisim këto çështje.
DW: Pra, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe vendet e tjera kanë një rrugë të vështirë përpara?]
Sigurisht, nuk është një rrugë e lehtë. Ju duhet të transformoni jo vetëm legjislacionin, por të gjithë vendin. Duhet të shtroni pyetjet: si do të zhvillohen procedurat, si do të bëhet transparenca, sa duhet të përfshihet shoqëria civile në këtë proces dhe çfarë cilësie do të ketë ky proces. Shqipëria është në fazat e para por fatmirësisht puna po nis dhe kjo është edhe përshtypja ime kryesore: duhet të jeni kritikë për detajet, sepse detajet kanë rëndësi. Më në fund po nisim negociatat e mirëfillta, pasi Shqipëria kishte ngelur në vendnumëro për një kohë të gjatë, për arsye për të ardhur keq.
Kur flitet për Ballkanin Perëndimor është më e rëndësishme të flitet përProcesin e Berlinit apo për nismën tjetër të disa liderëve të rajonit, “Open Balkans”?
Në datën 3 nëntor do të mbahet samiti i Berlinit dhe këto javë unë po udhëtoj në Ballkan për të rritur pritshmëritë ndaj Procesit të Berlinit. Kemi besimin se do të ecim përpara përsa i përket Tregut të Përbashkët Rajonal, solidaritetit në energji dhe Agjendës së Gjelbër, si dhe bashkëpunimit mes të rinjve në rajon. Pra, duam të rrisim pritshmëritë e Procesit të Berlinit dhe kjo është diçka e mirë. Ky Proces synon të arrijë gjëra pozitive për qytetarët e këtij rajoni. Nuk është kundër këtij apo atij projekti. Procesi i Berlinit ka të bëjë me çuarjen përpara të gjërave dhe ne po përpiqemi të ndihmojmë në këtë zhvillim.
Z. Sarrazin, përmendet rininë dhe rëndësinë e saj, e cila është dhe një ndër temat e Forumit të Ndërlidhshmërisë. Por në të njëjtën kohë, të rinjtë po ikin nga Shqipëria dhe nga vendet e tjera të rajonit…
Ne duam t’i japim një këndvështrim europian kësaj çështjeje. Shumica e njerëzve nuk largohen për veten e tyre, por sepse duan t’u japin fëmijëve të tyre kushte më të mira jetese. Rruga drejt Europës është përgjigjja ndaj këtij fenomeni. Ne duam ta bëjmë rrugën europiane më të besueshme dhe më të qartë, në mënyrë që të rikthehet besimi. Dhe mund t’ua rikthejmë besimin këtyre njerëzve. Integrimi rajonal, Tregu i Përbashkët Rajonal është njëri nga hapat. Sigurisht, unë e kuptoj kur një individ vendos të kërkojë fatin e tij në një vend që mendon se është më i mirë. Por mendoj se nuk duhet të fajësojmë individët, por duhet të përmirësojmë kushtet që më shumë njerëz të mund të qëndrojnë në këto vende të mrekullueshme dhe ta kërkojnë fatin këtu. Ata s’duhet të largohen nga vendet e tyre.
Manuel Sarrazin, ka qenë dikur deputet i Bundestagut për të Gjelbrit, por në zgjedhjet e fundit të Bundestagut e humbi mandatin. Prej fillimvitit 2022 ai është i ngarkuari i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor. Gjatë këtyre javëve ai ndodhet në rajon për të përgatitur samitin e Procesit të Berlinit, që do të zhvillohet më 3 nëntor në Berlin. Në Tiranë ai mori pjesë në Forumin Rajonal të Ndërlidhshmërisë, një nga projektet e Procesit të Berlinit.
Të tjera
-
Moti nesër dhe ditëve në vazhdim
Gjatë natës sonte në disa zona të Kosovës nganjëherë priten intervale të ...
-
Një i lënduar nga aksidenti tek Liqeni i Badocit, e përfshirë një veturë
Një person është lënduar nga aksidenti që ka ndodhur në rrugën që kalona ...
-
Letra rrëqethëse e mërgimtarit i cili vendosi të kthehet në Kosovë
“Kosovë tanimë është koha të të kthejë gjithqka çfarë më ke dhënë, ti je toka...
-
Aksident tek Liqeni i Badovcit, dyshohet se ka rënë një veturë
Një aksident i rëndë dyshohet se ka ndodhur në rrugën përreth Liqenit të ...
-
Ankesa për tarifat, Termokos: Nuk ka ngritje të çmimit për ngrohje
Shqetësimet dhe pretendimet se çmimi i faturave për ngrohje nga Termokosi për...
-
“Patentë shoferi për 1000 Euro”, skandali i shitjes së tyre nga zyrtarët shtetërorë
Një zyrtar i Ministrisë së Infrastrukturës, me inicialet A.T., po dyshohet se...
-
Bedri Hamza uron Festën e Krishtlindjes: Shumë lumturi në këto Krishtlindje dhe gjithmonë
Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, sonte ka marrë pjesë në pri...
-
Osmani uron Krishtlindjet: Të kujdesemi për ata që presin ndihmën tonë
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar Krishtlindjet. ...
-
Gjysmë orë është pritja për të hyrë në Kosovë te Dheu i Bardhë
Automjeteve që hyjnë në Kosovë përmes pikëkalimit kufitar te Dheu i Bardh...
-
Krasniqi uron Krishtlindjet: Uroj që shtëpitë tuaja të mbushen me gëzim, zemrat me paqe dhe ëndrrat me shpresë e besim
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, uruar krishtlindje...
-
Rrëqeth Vlora Dumoshi me lot në sy tregon se çfarë tha babai i saj para se të ndërronte jetë
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovë, Vlora Dumoshi, ka rrëfyer si asnjë...
-
Falja e të burgosurve nga Presidentja, SHKK dërgon 94 kërkesa
Shërbimi Korrektues i Kosovës (ShKK) ka njoftuar se deri më 13 dhjetor janë d...