Rruga e pa fund e Kosovës për hyrje në BE dhe NATO
Autori: Gazeta inFokus 14:52 | 14 November 2017
Sa më shumë që Serbia ecën në negociatat për hyrje në BE, e sa më shpejt Prishtina do të aplikojë për anëtarësim aq më shpejt Kosovës do t’i shtohen gjasat për të marrë përgjigjen e madhe e të hidhur edhe zyrtarisht : se nuk ka anëtarësim pa njohje nga të gjitha shtetet anëtare. Mosnjohja e pavarësisë e bllokon Kosovën edhe për hyrje në NATO, po ashtu.
Shkruan Edmond Ekrem Krasniqi, Bruksel
Premtimet e përsëritura të perëndimorëve të shoqëruara nga udhëheqësit institucionalë të Kosovës për anëtarësim në Bashkim Evropian dhe në NATO nuk kanë të ndalur.
Kjo kështu përkundër faktit të madh që buron nga rregullat e brendshme të këtyre dy organizatave për pranimin e anëtarëve të rinj me konsensus.
BE dhe NATO zgjerohen vetëm me pajtim të plotë të krejt vendeve anëtare. Mjafton një vend të vendos veto dhe pranimi i vendeve të reja bllokohet.
Përvoja e Maqedonisë me Greqinë është ilustrimi i kësaj, tashmë.
Kosova aktualisht nuk njihet nga pesë shtete të BE-së (Greqia, Spanja, Qipro, Rumania dhe Sllovakia) dhe nga katër shtete të NATO-s (Greqia, Spanja, Rumania dhe Sllovakia).
Në këtë gjendje të tashme Kosova nuk do të mund të anëtarësohet në asnjërën nga këto dy organizata.
Përkundër kësaj, zyrtarët e institucioneve të BE-së si dhe krerët e vendeve anëtare e përsërisin premtimin e tyre të vjetër se Kosova, ashtu si edhe vendet e tjera të rajonit ballkanik , ka perspektivë euro-atlantike të anëtarësimit.
Por, për shkak të pesë mos-njohjeve brenda BE-së dhe katër brenda NATO-s, Kosova nuk mund të jetë anëtare në këto dy organizata.
Ashtu si edhe qeveria e kaluar, edhe kjo e tashmja e Kosovës, thotë se do të aplikojë për hyrje në BE.
Se ky aplikim do të bëhet në 2018, e thanë së fundi ministrja Dhurata Hoxha dhe Kryeministri Ramush Haradinaj.
Por, gjasat që Kosova të fitojë statusin e vendit kandidat për hyrje në BE, pas këtij aplikimi janë jashtëzakonisht minimale, pikërisht për shkak të mos njohjes së pavarësisë nga pesë shtetet.
Nëse bëhet aplikimi nga Prishtina, atëherë kur të bëhet, premtuesit në BE do të zihen pisk sepse do të detyrohen që të sqarojnë të vërtetën nëse Kosova do të mund të jetë udhëtare për anëtarësim në BE konkretisht apo jo.
Opsioni i parë dhe i dytë i përgjigjeve të BE-së
Mosdhënia e statusit do të mund të ndodhë në dy mënyra. Së pari përgjigja do të ishte jo, sepse pesë shtete nuk e njohin pavarësinë e saj.
Por, BE është mjeshtre e komunikimit publik.
Një përgjigje e këtillë zyrtare do të ishte e rrezikshme sepse opinioni publik në Kosovë do ta dëgjonte dhe mësonte të vërtetën e hidhur.
Prandaj, në sirtarët e BE-së tashmë po konsiderohet përgjigja tjetër ndaj aplikimit të premtuar nga Prishtina për anëtarësim. Kjo përgjigje pritet që të do të jetë e dyfishtë : Kosova ka perspektivë për anëtarësim në BE, por kushtet për reforma nuk janë përmbushur nga institucionet vendore kosovare.
Në këtë mënyrë faji do t’iu hidhej institucioneve në Kosovë, për ta fshehur të vërtetën, e BE do të shfajësohej nga rregullat e saj se pranimi i Kosovës nuk mund të bëhet pa njohjen e pavarësisë nga të gjitha shtetet e anëtare.
Në këtë mënyrë pritja dhe rrugëtimi pa fund i Kosovës për hyrje në BE do të vazhdojë. Por edhe sa kohë do të mund BE të mbajë të pathënë përgjigjën zyrtare dhe të vërtetën për rrugën e bllokuar të Kosovës për hyrje në BE ?
Opsioni i tretë : do të ishte dhënia e statusit të vendit kandidat për në BE. Por ky opsion nuk duket në horizont, sepse në këtë rast pesë shtetet që nuk e njohin Kosovën do të bënin një hap praktik – por të heshtur –  drejt njohjes së saj edhe pse juridikisht (de-jure). Përplasjet në Spanjë midis Madridit dhe Katalonjës, e bëjnë qeverinë e Spanjës të parën për të bllokuar këtë opsion.
E njëjta perspektivë e zbehtë për Kosovën vlen edhe për NATO.
Kryeministri Haradinaj të martën tha se synohet që të « përmbyllet » anëtarësimi në aleancën e madhe ushtarake perëndimore deri në vitin 2020.
Por të njëjtat rregulla si edhe në BE për zgjerimin e NATO-s janë ato që ia pamundësojnë këtë Kosovës.
Në këtë situatë faktike e të hidhur, Kosova do të duhej të shpresonte në « mrekullinë » e të pranohej në të dy organizatat pa u njohur pavarësia e saj.
Kjo, thjeshtë nuk është e mundur. Por ëndrra do të vazhdojë ndoshta me një formë tjetër komunikimi publik që do të mund të imagjinohej nga të dy këto organizata.
Opsioni i katërt dhe ekstrem
Serbia në fund të bisedimeve të anëtarësimit në BE do të përballet me kushtin e Kosovës. Por BE ende nuk e di se çfarë duhet të bëjë konkretisht ajo me pavarësinë e Kosovës.
BE dhe 23 vendet anëtare ( e pas Brexit të marsit të 2019 do të jenë 22) që e njohin Kosovën, nuk do të ketë të drejtë t’i kërkojë Serbisë që ta njohë atë përderisa pesë anëtare të saj nuk e njohin.
Kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiç e ka vënë në hall BE-në me enigmën e tij për ‘dialogun’ e brendshëm në Serbi se çfarë ‘zgjidhje’ të kërkohet në raport me Kosovën.
Ai tashmë po e luan enigmën duke e lënë të hapur mundësinë e kërkesës për copëtimin e Kosovës apo shkëmbimit të territoreve (veri i Kosovës me Luginën e Preshevës). Ky opsion thuhet publikisht nga ministri i tij Ivica Dacic.
Kur Serbia të përmbyllë 34 kapitujt e bisedimeve të anëtarësimit, BE pritet që të përballet edhe më konkretisht me shantazhet e Serbisë për ndryshimin e kufinjve të Kosovës, nëse BE nuk do të pranojë që Serbia të anëtarësohet pa gjetur një ‘zgjidhje’ për Kosovën.
Me refuzimin që BE do t’i bënte Serbisë, duke e lënë atë në prag të derës pa u futur brenda që të hyjë, Serbia pritet që të ndihmohet nga Rusia në destabilizimin e veriut në Kosovë apo edhe Bosnjës.
Kjo shantazhë e Serbisë ( të ndihmuar nga Rusia për shkak të interesave të saj gjeo-strategjike për burimet energjetike dhe tregun e fuqishëm konsumues evropian) ndaj BE-së do të tingëllojë kështu : nëse nuk na pranoni do të digjet Ballkani.
Në këtë situatë BE do të testohej vërtetë dhe do të duhej që të gjente një përgjigje edhe për Serbinë por edhe për Kosovën, përkatësisht për hyrjen e tyre në BE.
Por aktualisht askush në BE nuk ka përgjigje tash për tash për këtë skenar.
Ky kërcënim stabiliteti në këtë situatë do të mund të pasonte me një kompromis të BE-së ndaj Serbisë, duke e pranuar atë të anëtarësohet pa patur njohje të Kosovës nga Serbia.
Në këtë skenar Kosovës brenda BE-së do t’i bëheshin 6 shtete që nuk e njohin pavarësinë e saj.
Opsioni i pestë: shpëtim për të gjithë
Për të zhdukur bllokadat aktuale të anëtarësimit dhe ato të ardhshme ndaj vendeve aspiruese, heqja e vetos individuale dhe vendosja e kriterit të votës së shumicës për zgjerimin e BE-së do të ishte zgjidhja e përkryer.
Por, shtetet anëtare i frikohen marrjes së kësaj të drejte, përkatësisht kësaj fuqie të tyre individuale për vendosje për zgjerimin e BE-së.
E deri atëherë: perspektiva evro-atlantike e të gjitha vendeve Ballkanit është ë pakthyeshme, do të thonë në BE dhe NATO.
Kësaj i thonë se Kosova aktualisht ndodhet në një rrugë të pa fund drejt BE-së dhe NATO-s.
(Autori është gazetar dhe themelues i Agjencisë së Lajmeve në gjuhën angleze për Ballkanin Perëndimor: dtt-net.com)
Të tjera
-
Fundosen veturat te ura e Stacionit të Autobusëve në Prishtinë
Të paktën dy automjete janë fundosur në afërsi të urës së Stacionit të Autobu...
-
Kryesia e Kuvendit mblidhet të hënën, ky është rendi i ditës
Kryesia e Kuvendit ka bërë të ditur se do të mblidhet të hënën. Kjo mbledh...
-
Parashikimi i motit për vikend
Reshjet e shiut që filluan ditën e premtë, më vonë gjatë mbrëmjes dhe natën, ...
-
Konfiskimi i ạrmạtimit në veri, Kurti: Siguria e njerëzve dhe e të gjithë vendit mbeten prioritet
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në X ka bërë një shkrim në lidhje me konf...
-
Kurti: Qeveria që ka investuar më së shumti në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore islame në Kosovë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nën udhëheqjen e tij, Qe...
-
Durmishi bën apel pas reshjeve të vazhdueshme të borës: Kujdes gjatë vozitjes, ekipet e mirëmbajtjes janë në terren
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka dalë me një apel pa...
-
Rrugët e Prishtinës vërshohen, njohësi i emergjencave: Përsëri dështoi infrastruktura nëntokësore në kryeqytet
Njohësi i i çështjeve të emergjencave civile, Tahir Ahmeti ka reaguar pasi si...
-
Dita e Alfabetit, studiuesit: Duhet unifikim të praktikave të gjuhës në tri shtetet ku shqipja është zyrtare
Tashmë një ditë feste zyrtare, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, nuk vjen pë...
-
KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës stërviten së bashku të hënën
KFOR-i njofton së bashku me EULEX-in dhe Policinë e Kosovës do të zhvillojnë ...
-
Refuzohet kërkesa e Shalës për mosparaqitje ose shtyrje të seancës
Gjykata Speciale njofton se Trupi Gjykues i refuzoi kërkesën e Mbrojtjes që t...
-
Zemaj Kurtit e Vitisë për QKMF’në e Mamushës: Jeni definicioni i propagandës, preni shirita për punët që i kam bërë unë si ministër
Deputeti i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Armend Zemaj ka thënë sot se kryemi...
-
Riker: Mbyllni procesin e dialogut dhe zgjidhni problemet
Ish-zëvendës Ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit, Filip Riker, dekla...