Lajme

Rrjeti i Grave Gazetare dënon publikimin e pamjeve të gruas në gjendje të rënduar: Asnjë klikim nuk është mbi dinjitetin e viktimës

Autori: Gazeta inFokus 11:12 | 22 September 2026

Rrjeti i Grave Gazetare të Kosovës (RrGGK) ka reaguar ndaj publikimit dhe shpërndarjes nga disa media online të pamjeve të një gruaje në gjendje të rënduar emocionale dhe fizike, e cila raporton se ka qenë viktimë e dhunës seksuale.

RrGGK ka shprehur shqetësim për mënyrën e raportimit, duke vlerësuar se publikimi i pamjeve të një personi në një gjendje të tillë cenon rëndë privatësinë, dinjitetin dhe sigurinë e saj.

“Fakti që një ngjarje ndodh në hapësirë publike nuk e bën automatikisht të arsyeshëm publikimin e çdo pamjeje. Interesi publik nuk duhet të ngatërrohet me kureshtjen e publikut”, thuhet në reagim.

-Advertisement-

Sipas RrGGK-së, ekspozimi vizual në këtë rast nuk i shton vlerë informative raportimit, ndërsa mund të ketë pasoja të tjera për gruan.

“Ekspozimi vizual i gruas nuk i shton asnjë vlerë informative raportimit, ndërsa mund të kontribuojë në riviktimizimin, stigmatizimin dhe linçimin e saj të mëtejshëm”, thekson RrGGK.

Rrjeti paralajmëron se një raportim i tillë mund të ndikojë edhe te viktimat dhe të mbijetuarat e tjera të dhunës, duke krijuar frikë se denoncimi mund të pasohet nga ekspozimi publik dhe gjykimi në rrjete sociale.

“Mediat duhet të jenë pjesë e krijimit të një mjedisi ku viktimat ndihen të sigurta për të kërkuar ndihmë dhe drejtësi, jo faktor që i dekurajon ato nga raportimi”, thuhet tutje.

RrGGK u ka bërë thirrje mediave që i kanë publikuar pamjet t’i largojnë menjëherë dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë raportimit për rastet e dhunës seksuale dhe personat në gjendje të cenueshme.

“Asnjë klikim dhe asnjë shikueshmëri nuk mund të jetë më e rëndësishme se dinjiteti dhe siguria e një viktime”, përfundon reagimi./Gazeta Infokus

Udhëto Oslo – Prishtinë çdo javë me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy