Rozë

Rrëfehet si rrallë herë Albana Osmani: Dua të gjej babain perfekt të fëmijës tim…!

Autori: Gazeta inFokus 12:32 | 02 September 2017

Rrëfehet moderatorja seksi: Pushimet e kësaj vere, si dhe planet për një biznes.

Albana Osmani, moderatorja seksi, e cila këtë vit ndërmori edhe nismën e saj bamirëse për fëmijët talasemikë të Qendrës Universitare Spitalore “Nënë Tereza”, “Ti je një Luledielli”, duket se krahas pushimeve në Maltë, ka qenë mjaft e zënë edhe me punën. Në një intervistë për “Bluetooth”, për të rejat e jetës profesionale dhe aspektin personal, Albana thotë se është aq e ngarkuar me punën saqë ende nuk ka pasur kohë të merret me jetën private. Ajo rrëfeu për ne se një nga planet e afërta është hapja e një biznesi privat, të cilin ajo kishte kohë që e mendonte, por vetëm tani gjeti mundësinë financiare për ta bërë. Nëse ka apo jo një partner në krah, Albana u tregua mjaft e rezervuar, duke na lënë të kuptojë se është ende single. E çuditshme, por e vërtetë, edhe femrat e bukura mund të jenë single!

Si ishte vera e këtij viti për një luledielli si Albana?

Vera e këtij viti për mua ishte përsëri punë shumicën e kohës. Kam kaluar disa fundjava me familjen, të cilët vijnë çdo vit në Shqipëri për të kaluar pushimet dhe ditët e tjera kam qenë e angazhuar me fondacionin dhe, gjithashtu, me një biznes privat që po përpiqem të hap.

-Advertisement-

Çfarë po ndodh me karrierën televizive? Kur do të shohim në ekran?

Karriera ime vazhdon si gjithmonë në “Top Channel” dhe ende nuk e di se çfarë programi do të drejtoj pasi si mua dhe figurave të tjera na janë propozuar programe të reja. Me siguri dihet vetëm që “Top Show” do të vazhdojë si përherë.

Pas eksperiencës në festivalin e Kanës, çfarë arriti fondacioni “Ti je një Luledielli”? Kush janë synimet e ardhshme?

Në Kanë arrita të kem bisedime me disa organizata ku i prezantova fondacionin e sapo themeluar dhe kemi bërë mjaft projekte për të ardhmen dhe shpresoj që në 2018 të jemi një markë ndërkombëtare, pra që të ndihmojmë jo vetëm fëmijët shqiptarë, por fëmijët që kanë nevojë kudo për ndihmën tonë. Kjo është një nga qëllimet e fondacionit, pra që të përfshijmë sa më shumë individë në këtë kauzë. Siç dihet pati shitje marramendëse jo vetëm te shqiptarët brenda vendit, por edhe tek ata jashtë dhe synojmë që ta zgjerojmë edhe më shumë këtë fondacion. Po mundohemi të marrim fonde pasi qëllimi i radhës është spitali rajonal i Elbasanit, të cilin e kam vizituar dhe presim të fillojmë punën.

Si arrin të mbash këto linja pasi fotot e tua në palestër nuk janë dhe aq të shpeshta? Si kujdesesh për trupin tënd?

Duke qenë se kam qenë mjaft e angazhuar me punë dhe më është dashur të lëviz shumë, nuk kam mundur të frekuentoj palestrën, por edhe kjo ka qenë një formë aktiviteti fizik, le të themi, që më ka ndihmuar. Gjithsesi, palestrën e mendoj si shumë të domosdoshme për trupin, psikologjinë e një njeriu dhe sidomos duke qenë se e kam tensionin pak të ulët, të stërvitem një herë në ditë më bën shumë mirë për qarkullimin e gjakut. Sapo të jem më e lirë nga detyrimet e punës do rifilloj ta frekuentoj.

Mendon ndonjëherë ta lësh punën në televizion dhe t’i dedikohesh vetëm fondacionit?

Jo, nuk e kam menduar kurrë ta lë punën në televizion pasi është një pasion shumë i madh i imi dhe kurrsesi nuk do e braktisja. Unë jam një njeri që jam mësuar gjithmonë të punoj shumë për të arritur ato që dua dhe mendoj që do t’ia dal t’i bëj të dyja siç kam bërë deri tani. Nuk jetoj dot pa punë dhe do ta vazhdoj deri sa të kem forcë dhe dashuri për të punuar në televizion.

Kush është personazhi apo idhulli që ndjek në jetë? Kush e motivon Albanën në përditshmërinë e saj?

Unë jam rritur në një familje ku familja konsiderohet për si gjëja më e shtrenjtë në botë dhe janë pikërisht ata idhujt e mi. I vlerësoj të gjithë personat publikë apo të thjeshtë që dinë të jenë mbi të gjitha njerëz dhe që zgjohen në mëngjes apo flenë në darkë, duke u përpjekur që gjatë ditës të bëjnë mirë dhe të falin dashuri e mirësi kudo, duke dhënë më të mirën e vetes.

Duke qenë e dhembshur dhe e kujdesshme për fëmijët (këtë e tregove dhe me nismën që more) a mendon të kesh një fëmijë tëndin?

Po mendoj të kem më shumë se sa një fëmijë, por së pari, duhet të gjej babain e fëmijës tim.

E mendon një të ardhme jashtë vendit, duke qenë se dhe familja jote nuk jeton këtu?

Nuk ka qenë e lehtë të mos tundohesha nga fakti që familja ime jeton prej vitesh në Angli, por nuk e kam ndërmarrë si hap, pasi e kam ndjerë më shumë të jetoja këtu edhe pse atje do të kisha të ardhura më të mira.

Çfarë kërkon Albana te një mashkull?

Kërkoj të jetë i zgjuar, të jetë i realizuar në jetën e tij dhe i aftë të pranojë të mirat dhe të këqijat tek unë, ashtu sikurse unë tek ai. Duhet të kem një kimi mjaft të madhe, energji pozitive dhe nuk është se ka receta te këto gjëra, kur gjen shpirtin binjak thjeshtë e ndjen dhe kaq.

Duke qenë se konsiderohesh si një nga femrat më të bukura të ekranit, ka qenë kjo pengesë për të krijuar lidhje me një mashkull?

Së pari, ju falënderoj që më konsideroni si një nga fermat më të bukura. Së dyti, kjo është një medalje me dy anë. Është e vërtetë që ekrani të vesh me një lloj magjie apo idealizimi, por për mua nuk ka qenë kurrë pengesë në krijimin e marrëdhënieve me të gjithë jo vetëm me meshkujt.

Je me shprehjen “Më mirë vetëm se e shoqëruar keq” apo me idenë se më mirë të martohesh me dikë se sa të rrish vetëm gjithë jetën?

Unë jam e idesë të gëzosh jetën, veten dhe ata që të rrethojnë dhe këto klishetë më duken shumë patriarkale dhe të dala mode, pra preferoj më mirë të pres momentin dhe njeriun e duhur se sa të nxitohem vetëm për hir të rregullave që vendos shoqëria apo morali.

Siç dihet je e diplomuar në Akademinë e Arteve për pikturë. A do të kemi ndonjëherë një ekspozitë tënden?

Kam thënë shpesh që do të kem një ekspozitë time dhe sa herë i kam bërë gati, jam tërhequr pasi hyj tek ata artistë paksa të ndrojtur dhe jo se nuk e vlerësoj punën time, por dua të përfaqësohem sa më mirë dhe shpresoj që një ditë të gjej realisht kohë fizike për ta çuar deri në fund këtë projekt timin.

Çfarë urren dhe çfarë do Albana te puna që bën?

Nuk jam një njeri që urrej dhe tani që mendoj nuk po gjej diçka konkrete të cilën ta përkufizoj si urrejtje, sepse është fjalë e madhe dhe nga natyra që kam jam njëri që më shumë dua ata që kam pranë dhe sidomos punën që bëj. Po të mos e dashuroja kaq, jua siguroj që nuk do ta kisha bërë.

Kush ka qenë çelësi i suksesit tënd ndër vite?

Çelësi i suksesit tim nuk ka qenë vetëm një, por kanë qenë disa. Talentin tim e zbuloi Dritan Hoxha së pari, dhe zhvillimi i këtij talenti erdhi si pasojë e një punë të lodhshme e të gjatë në të gjitha programet që më kanë besuar t’i drejtoj dhe kjo e kombinuar me një personalitet timin. Janë një sërë komponentësh që më kanë mbajtur “të gjallë” në ekran, por mund të specifikoj energjinë dhe dëshirën për të punuar të cilat janë kryesoret për mua.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Intervistë: Dr. Gorazd Konjanovski – Klinika Zhan Mitrev ka luajtur një rol kyç në vendosjen e themeleve në kardiokirurgji dhe…

Të tjera