Ekonomi

Rekordi i depozitave, mbi 3.1 miliardë euro

Autori: Gazeta inFokus 13:09 | 04 October 2018

Depozitat e përgjithshme në sektorin bankar të Kosovës kanë arritur në 3.13 miliardë euro. Gjatë dekadës së fundit depozitat kanë shënuar rritje mesatare vjetore prej më shumë se 10 për qind

Mbi 3.1 miliardë euro ka arritur shuma e përgjithshme e depozitave në sektorin bankar të Kosovës, shifër kjo rekorde e parave të deponuara në banka që nga paslufta e këndej. Zyrtarë të Bankës Qendrore të Kosovës(BQK) bëjnë të ditur se është interesant fakti se depozitat e qytetarëve në bankat vendore kanë shënuar rritje edhe përgjatë periudhës së krizës financiare globale që kishte nisur në vitin 2008, përderisa rritja mesatare vjetore e depozitave gjatë dekadës së fundit ka qenë 10.2 për qind.

Derisa është konfirmuar në vazhdimësi qëndrueshmëria e bankave në Kosovë dhe besimi i qytetarëve ndaj tyre edhe norma e interesit në depozita në vend është ndër më ta lartat në rajon, përkatësisht më e lartë se në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi.

-Advertisement-

Depozitat në Kosovë u rritën edhe përgjatë periudhës së krizës globale

Fehmi Mehmeti, guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës, bënë të ditur se në fund të korrikut të këtij viti shuma e përgjithshme depozitave në sektorin bankar të vendit ka arritur në 3.13 miliardë euro dhe nëse krahasohet me periudhën e njëjtë të vitit paraprak depozitat janë rritur për 5.6 %.

Sipas tij, dy kategoritë kryesore të depozitave në bankat në Kosovë, e që janë depozitat në llogaritë rrjedhëse, si dhe depozitat e afatizuara kanë shënuar po ashtu rritje vjetore prej 7.9% respektivisht 7.3%.

Rritja e depozitave në sektorin bankar të Kosovës ka qenë mjaft e qëndrueshme përgjatë gjithë periudhës së funksionimit të këtij sektori dhe rrjedhimisht ka mundësuar edhe një rritje të qëndrueshme të kreditimit bankar.

‘Depozitat në sektorin bankar të Kosovës gjatë dhjetë viteve të fundit janë karakterizuar me një rritje mjaft të qëndrueshme, e cila reflekton aftësinë e ekonomisë së vendit për të gjeneruar kursime, por edhe besimin e qëndrueshëm të publikut në sektorin bankar’, ka thënë Mehmeti, duke shtuar se vlen të theksohet se depozitat në sektorin bankar të Kosovës vazhduan të rriten edhe përgjatë periudhës së krizës globale, me ç’rast e konfirmua qëndrueshmëria e bankave në vend dhe besimi i publikut ndaj tyre.

Norma mesatare e rritjes së depozitave në sektorin bankar të Kosovës përgjatë dhjetë viteve të fundit është 10.2 për qind.

Kosova me kamata më të larta në depozita

Në rritjen e qëndrueshme të depozitave në banka kanë ndikuar edhe normat më të favorshme të interesit, në krahasim me shumicën e vendeve të rajonit.
Në Kosovë norma mesatare e interesit në depozita në fund të korrikut të këtij viti ishte 1.54%, që paraqet nivelin më të lartë përgjatë vitit 2018, dhe ka shënuar rritje krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kur norma e interesit në depozita ishte 1.17%.

Bazuar në dhënat e publikuara nga vendet e rajonit, normat e interesit në depozita në Kosovë janë më të larta se ato në Shqipëri prej 1.2%, Maqedoni 1.47% dhe në Malin e Zi 0.61%.

Depozitat e ekonomive familjare 72%, të bizneseve 16.2%

Nga gjithsej 3.13 miliardë euro depozita, sa ishin në korrik 2018, pjesëmarrja e depozitave të ekonomive familjare ishte rreth 2.2 miliardë, apo rreth 72%, ndërsa për bizneset (korporata jofinanciare) vlera e depozitave është rreth 507.5 milionë, apo rreth 16.2% e gjithsej depozitave. Pjesa tjetër e depozitave është e sektorëve tjerë të ekonomisë.

Zyrtarët e BQK-së thonë se depozitat e ekonomive familjare në vazhdimësi kanë përfaqësuar burimin kryesor të financimit të bankave në Kosovë dhe janë përdorur kryesisht për të financuar bizneset përmes kredive të lëshuara.

Milionat nga diaspora në bankat kosovare

Në anën tjetër, depozitat e jorezidentëve janë 118.4 milionë euro, krahasuar me nivelin prej 105.6 milionë euro sa ishin në korrik 2017. Pjesëmarrja e depozitave të jorezidentëve në gjithsej depozitat e sektorit bankar, në muajin korrik 2018 ishte 3.8%, përqindje kjo e përafërt me mesataren e periudhës 2015 – korrik 2018.

Guvernatori Mehmeti pranon se rritja më e theksuar e depozitave të jorezidentëve në bankat në Kosovë është ajo e viteve 2008-2009 si dhe 2014-2015, periudha këto që korresponduan me krizën financiare globale dhe me aplikimin e normave negative të interesit në banka të Bashkimit Evropian.

‘Bazuar në statistikat e publikuara, sikurse është cekur më sipër, ka rritje të vazhdueshme të depozitave në sektorin bankar në Kosovë e ku vlera e tërësishme e depozitave të jorezidentëve, që në masë të konsiderueshme përbëhet nga diaspora kosovare është 118.4 milion euro’, thotë Mehmeti.

Mbi 2.1 milionë llogari bankare

Në tremujorin e parë të vitit 2018, numri i përgjithshëm i llogarive bankare ishte rreth 2.1 milionë, nga të cilat 98.2% janë llogari të rezidentëve, ndërsa pjesa tjetër janë llogari të jorezidentëve.

Në krahasim me tremujorin e kaluar, numri i llogarive ka shënuar rritje rreth 7.5%. ‘Nëse krahasimin e bëjmë me periudhën e njëjtë të një viti më parë, vërejmë se numri i përgjithshëm i llogarive është rritur për rreth 11.9%. Nga numri i përgjithshëm i llogarive të klientëve, 80.9% e tyre janë llogari rrjedhëse, 17.8% llogari të kursimeve dhe 1.3% llogari të depozitave të afatizuara’, bënë të ditur guvernatori i BQK-së.

Sigurimi i depozitave

Depozitat në sektorin bankar janë të sigurta dhe mbikëqyren shumë për së afërmi konform qasjes së bazuar në rrezik dhe krahas parimeve dhe praktikave më të mira bashkëkohore ndërkombëtare në fushën e mbikëqyrjes bankare. Pragu i shumës së depozitave të siguruara nga Fondi për Sigurimin e Depozitave të Kosovës (FSDK) është rritur në 5,000 euro.

‘Shuma e siguruar nga FSDK mbulon 98.6% të depozitorëve. Në raport me gjithsej shumë e depozitave në sektorin bankar, shuma e siguruar është ekuivalente me 23.9%’.

Violeta Arifi-Krasniqi, drejtoreshë menaxhuese e Fondit për Sigurimin e Depozitave në Kosovë, thotë se Kosova në raport me vendet e rajonit ka limitin më të ulët të sigurimit të depozitave. Mirëpo, sipas saj, vlerësimi nëse limiti i sigurimit të depozitave është adekuat varet nga përqindja e depozitoreve plotësisht të mbuluar që në Kosovë është 90.09%, që do të thotë që rreth 90% e depozitorëve të siguruar kanë depozita deri në limitin e sigurimit.

Rritja e depozitave mundësoi zgjerimin e kreditimit

Kryetari i Bordit të BQK-së, Flamur Mrasori, kryetar i Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës, thotë se rritja e qëndrueshme e depozitave ka mundësuar zgjerimin e vazhdueshëm të kreditimit bankar në ekonominë e vendit, duke shërbyer kështu si burim shumë i rëndësishëm për financimin e bizneseve.

“Aktualisht, sektori bankar i Kosovës ka potencial të mjaftueshëm për të zgjeruar edhe më tutje kreditimin, mirëpo për të pasur një rritje edhe më të madhe të kreditimit ndikim të rëndësishëm ka edhe madhësia dhe cilësia e kërkesës për kredi. Prandaj, përmirësimi i kushteve të kreditimit që ka ndodhur viteve të fundit, së bashku me mbështetjen e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, si dhe një rikuperim më i madh i sektorëve me qasje më të ulët në kredi bankare, sigurisht se do të rezultojë në një kreditim më të madh për këta sektorë në periudhat e ardhshme”, shprehet Mrasori.

Shatri: Bankat shumë të sigurta

Haki Shatri, ish- ministër i Ekonomisë dhe Financave dhe aktualisht këshilltar për ekonomi i kryeministri të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se rritja e vazhdueshme e depozitave në bankat komerciale është një sinjal i mirë që bankat në Kosovë janë shumë të sigurta.

“Është shumë e mirë për shtetin, por edhe për investitorët e huaj siguria e madhe në sistemin bankar të vendit. Të gjitha bankat që operojnë në Kosovë performojnë mirë dhe deri më tash nuk kanë pasur ndonjë problem. Ky është sinjal i mirë”, ka thënë Shatri.

Shatri thotë se normat e interesit në depozita nuk mund të rriten edhe më tutje, pasi që sipas tij, bankat kanë në dispozicion një shumë të madhe të parave, të cilat, sipas tij, janë pa të pa afatizuara.

“Për depozita të afatizuara mbi 2 vite qytetarët mund të përfitojnë nga norma e interesit, e cila është rreth 2 për qind, por për momentin për depozita të pa afatizuara qytetaret nuk mund të përfitojnë asgjë. Fatkeqësisht shumica e depozitave janë të tilla. Qytetarët i mbajnë parat në banka, jo për qëllim të përfitimit, por vetëm për shkak të sigurisë”, ka thënë Shatri.

Arsyet e rritjes së depozitave

Halit Shabani, dekan i Fakultetit të Biznesit “Haxhi Zeka” në Pejë, thotë se nëse bëjmë një krahasim të normës së interesit për depozita të afatizuara që aplikohen tash, me ato që janë aplikuar vitin e kaluar ka një ngritje. Por, sipas tij, ato duhet të ngrihen edhe më shumë, pasi që, siç thotë ai, dallimi mes normës së interesit në kredi dhe asaj në depozita është ende i madh.

Profesor Shabani thotë se janë dy arsye pse në vendin tonë ka rritje në shumës së depozitave nëpër bankat komerciale.
“Sa iu perfekt depozitave të ekonomive familjare, ato janë rritur ngase qytetarët nuk mund t’i ruajnë parat në shtëpi, sepse kanë frikë nga vjedhjet e shpeshta që ndodhin në vend, deri sa rritja e depozitave të bizneseve mendoj se ato janë rritur, pasi që për shkak të stabilitetit të brishtë politik bizneset nuk kanë kryer planin investim të cilin ata e kanë paraparë me plan biznesi”, ka thënë dekani Shabani.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Afati i fundit për regjistrime në programin MSc. Data Science & Analytics në UNI – Universum International College – Powered…

Të tjera